Kryeministri Thaçi: Vendimi për rritjen e pagave për punëtorët kosovarë është finalizuar – do të përfshijë rreth 82 mijë punëtorë të të gjitha kategorive


Image

Prishtinë, 27 shkurt 2014

E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt, të 172-tën me radhë, në të cilën aprovoi vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë:

“Siç edhe kemi paralajmëruar javë më parë, siç edhe ka qenë zotim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, tanimë mund të konfirmoj se vendimi për rritjen e pagave për punëtorët kosovarë është formësuar, është finalizuar, kanë mbetur edhe disa nuance teknike të qartësohen dhe të finalizohen dhe vendimi  më së largu do të merret nesër ose deri të hënën në mesditë.

Dëshiroj të konfirmoj për opinionin e gjerë dhe të gjithë se, rritja e pagave do të përfshijë rreth 82 mijë punëtorë kosovarë të të gjitha kategorive. Duhet kuptuar se nga viti 2007 e deri më 2013 rritja ka përfshirë të gjitha kategoritë. Edhe tani, pra më 2014, kjo rritje do të përfshijë infermierët, mjekët, policët, profesorët universitarë, mësuesit, zjarrfikësit, punëtorët e administratës, shërbyesit civilë, gardianët, prokurorët, gjykatësit, doganierët, inspektorët tatimorë, të gjithë pjesëtarët e FSK-së, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, veteranët, minatorët, gjithashtu edhe pensionistët kontribut dhënës.

Dëshiroj të potencoj se të gjitha këto kategori, rritja e pagave nga viti 2007 deri më 2013, për infermierët ka ndodhur një rritje prej 86 për qind, për mjekët 86 për qind, për policët 54 për qind, për profesorët universitarë mbi 100 për qind, për mësuesit mbi 50 për qind, për zjarrfikësit mbi 43 për qind, për shërbyesit civilë 43 për qind, për gardianët, punëtorët e administratës, për prokurorët 149 për qind, për gjykatësit 163 për qind, për doganierët 144 për ind, inspektorët tatimorë 143 për qind.

Ndërsa, gjithashtu rritje rreth 70 për qind,  janë përfshirë edhe invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve. Gjithashtu, në vitin e kaluar vetëm për pensionistët kontributdhënës ka ndodhur prej 26 për qind, dhe rritje do te ketë për minatorët.

Kjo rritje do t’i përfshijë edhe institutet shkencore, duke përfshirë Institutin Albanologjik, Institutin e Historisë, pra të gjitha kategoritë. Vendimi pritet të merret nesër më së largu të hënën”.

Në vazhdim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për Kredi Eksportuese ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores, për funksionimin e Fondit për Kuadro, përmes të cilit përcaktohet niveli maksimal i shpërndarjes së mjeteve financiare, numri i përfituesve.

Me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës, është bërë emërimi i 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, të cilit janë:

1.    Fetah Podvorica,
2.    Isa Haxhiu,
3.    Shyqri Nimani,
4.    Eda Vula,
5.    Bajram Berisha,
6.    Naser Sahiti,
7.    Zymer Neziri,
8.    Sabile Basha-Keçmezi,
9.    Husnija Bubuljica,
10.    Alush Musa,
11.    Ramadan Zejnullahu,
12.    Musli Bajraktari,
13.    Zejnullah Gruda,
14.    Nexhmi Rexha,
15.    Radivoje Mançiç.  

Qeveria e Kosovës aprovoi nismën për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunim dhe lehtësim e zbatimit të FATCA-së. (Partneriteti FATCA- Ligji mbi pajtueshmërinë e taksave në llogaritë e huaja).

Kabineti qeveritar ka ndarë 700,000 (shtatëqind mijë) euro për zbatimin e vendimit për heqjen e pagesave për sigurimin e auto-veturave të qytetarëve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin që të gjitha organizatave buxhetore të ju rekomandojë identifikimin e programeve për kursimin e 15 për qind të shpenzimeve për vitin 2014.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors