Kryeministri Thaçi takon kryeministrin e Antigua dhe Barbuda, presidentin e Irakut dhe kryeministrin e Andorës


Image

Prishtinë, 24 shtator 2010

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar tri takime të rëndësishme me burrështetas botërorë.

Kryeministri Thaçi ka takuar fillimisht kryeministrin e Antigua dhe Barbuda, Winston Baldwin Spencer , me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike rreth Kosovës, me theks të veçantë për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, të krijuar pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe rezolutës së OKB-së.

Me këtë rast, kryeministri i Antigua dhe Barbuda, ka shprehur solidarizimin me popullin dhe Qeverinë e Kosovës dhe ka theksuar se me vëmendje të posaçme i ka përcjellë zhvillimet e fundit rreth Kosovës. Ne i mbështesim angazhimet e Kosovës për paqe, stabilitet, zhvillim dhe bashkëpunim rajonal, dhe së shpeht do të marrim vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës, në koordinim me shtetet e Komunitetit të Karaibeve.

Kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim edhe me presidentin e Irakut, Jalal Talabani.

Duke e vlerësuar lartë rolin e presidentit irakian për lirinë, paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Irakut, kryeministri Thaçi ka thënë se dy popujt tanë kanë vuajtur dhe sakrifikuar shumë, prandj Republika e Kosovës pret natyrshëm që Iraku në një periudhë sa më të afërme të merr vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës, duke hapur kështu rrugën për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

Nga ana e tij, presidenti i Irakut, Jalal Talabani, ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për zhvillimet politike që ndërlidhen me avancimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne e çmojmë shumë popullin tuaj, sakrificën që e keni bërë. Ju e keni merituar lirinë – ka theksuar presidenti Irakian në takim me kryeministrin Thaçi dhe ka saktësuar se sapo të konstituohet qeveria e Irakut, një ndër çështjet e para do të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po sot ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Andorës, Jaume Bartumeu Cassany. Në takim u konfirmua mbështetja e Andorës për zhvillimet pozitive lidhur me avancimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Kryeministri i Andorës, në takim theksoi se qeveria që drejton ai në një periudhë të afërme do ta shqyrtojë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors