Kryeministri Thaçi: Studimi i Fizibilitetit ka konfirmuar që shteti i Kosovës është i gatshëm të fillojë negociatat zyrtare për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit


Image


Image


Image

Prishtinë, 15 tetor 2012

Është mbajtur sot takimi i Trembëdhjetë i Këshillit Ministror për Integrime Evropiane.

Ju sjellim të plotë fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi në këtë takim.  

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra,

Sot takohemi përsëri për të diskutuar planin e Qeverisë për adresimin e rekomandimeve të Studimit të Fizibilitetit dhe negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Studimi i Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimi ka konfirmuar që shteti i Kosovës është i gatshëm të filloj negociatat zyrtare për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimi, që përbënë hapin e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, politika evropiane e Qeverisë së Kosovës do të bazohet në tri shtylla kryesore:

1.      Plotësimi në afat rekord i kritereve teknike për fillimin e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim- Asociimit;

2.      Vazhdimi i reformave kyçe evropiane të parapara me Studimin e Fizibilitetit, gjegjësisht përgatitja e Planit të Veprimit për Studimin e Fizibilitetit 2012; dhe

3.      Themelimi i strukturave negociuese dhe ekipeve teknike negociatore me Bashkimin Evropian.

Më lejoni që unë të ndalem pakëz tek shtylla e parë, ndërsa besoj ministrja Çitaku do të elaboroj më detajisht shtyllën e dytë dhe tretë të prioriteteve që kemi.

Sa i përket plotësimit të kritereve teknike për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimi, dëshiroj të jam shumë i qartë për përgjegjësitë e secilit institucion në kuadër të përmbushjes së këtyre kritereve. Më lejoni t’i adresoj decidivisht këto kritere dhe institucionet përgjegjëse një nga një.

Ftoj organet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit të demonstrojnë përkushtim të qartë në arritjen e rezultateve konkrete për të vazhduar luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, ju ofroj mbështetjen time të plotë me gjithë autoritetin tim kushtetues dhe ligjor.

Ministria e Drejtësisë të vazhdoj koordinimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in dhe Task Forcën Speciale për Hetime.

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës, duhet të sigurohet që gjatë zbatimit të strukturës së re te gjykatave, kompetencat e Prokurorisë Speciale për rastet e krimit të organizuar, krimet e luftës dhe korrupsion të mbesin të pandryshuara. Natyrisht, gjithmonë duke rritur përgjegjësitë e institucioneve të shtetit të Kosovës.         

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, duhet të punojnë në miratimin sa më të shpejt të Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë. Tani më leximi i parë veç ka kaluar.

Ministria e Financave duhet të rishikon Ligjin për Parandalimin e Shpëlarjes së Parasë dhe Financimin e Terrorizmit për të siguruar harmonin e tij të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar.

Në emër të Qeverisë ofroj mbështetjen time të plotë Agjencisë për luftë Kundër Korrupsionit në miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit në Qeveri dhe Kuvend.

Pra, Qeveria e Kosovës do t’i kryej të gjitha obligimet në kohë rekord.

Pres nga Ministri i Administratës Publike që në afatin më të shkurt të mundshëm të finalizohet legjislacioni i nevojshëm sekondar të Ligjeve të Shërbimit Civil dhe Paga.

Ministri i Financave dhe Ministri i Administratës Publike duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Institucionin e Avokatit të Popullit me qëllim të sqarimit të çështjes së buxhetit dhe hapësirave për punën e  Avokatit të Popullit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet të koordinon themelimin e trupit që mundëson konsultimet direkte me komunitetet fetare për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze, në veçanti me Kishën Ortodokse Serbe.

Gjithashtu Ministria  e Tregtisë dhe Industrisë të vazhdoj me finalizimin e ri-strukturimit të ministrisë dhe të funksionalizohen strukturat koordinuese për negociatat tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Poashtu, duhet të përfundohet analiza e ndikimit të aspekteve tregtare të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra,

Nga ju pres po ashtu që të jeni sa më konkret në adresimin e këtyre kritereve, gjithmonë duke ju falënderuar për punën që është bërë.

Shërbimet e Ministrisë së Integrimit Evropian tanimë kanë filluar koordinimin e monitorimit të përmbushjes së këtyre kritereve. Në këtë drejtim, ministritë e cekura më lartë do të pranojnë sot nga një letër nga unë lidhur me çështjet e cekura më lartë dhe pres që këto çështje të janë faktor përcaktues i punës suaj gjatë javëve në vijim.

Pra, të vazhdojmë agjendën tonë për realizimin e aspiratës, qëllimit dhe vizionit tonë për Kosovën e re, demokratike dhe evropiane.

Ju faleminderit edhe njëherë. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors