Prishtinë, 28 tetor 2013
Fillimisht i uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës ekipit negociator të Komisionit Evropian që kanë ardhur nga Brukseli, të kryesuar nga kryenegociatori Korte.
Është kënaqësi e veçantë të ju kemi sot në mesin tonë.
Fillimi i negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimit, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e bën ditën e sotshme, me plot kuptimin e fjalës – historike, dhe po hap një kapitull të ri për Republikën e Kosovës
Them se është një ditë historike, sepse sot po hapet një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i pakthyeshëm që ndodh një herë në historinë e Kosovës.
Sot, Kosova po fillon negociatat për Marrëveshjen Stabilizim Asociim.
Ne jemi anëtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, anëtarë të Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, kemi nënshkruar Marrëveshjen Kornizë me Bankën Evropiane për Investime, si dhe Kosova është në fazën finale të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.
Para se gjithash ky progres është meritë e qytetarëve të Kosovës, dhe gjithë spektrit politik ne vend, pozitë dhe opozitë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Progresi në avancimin e shtetit të Kosovës na bënë të gjejmë motivim shtesë për të vazhduar reformat tona, reforma këto që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tonë e cila do kurorëzohet me anëtarësimin e plotë të shtetit të Kosovës në Bashkim Evropian.
I nderuari z. Korte,
Përmes jush dua të falënderoj Komisionerin për Zgjerim, Z. Stefan Füle, për mbështetjen e tij, dua t’ju falënderoj juve për angazhimin tuaj personal si dhe të shpreh mirënjohje për të gjithë ekipin tuaj për punën që keni bërë për të filluar sot negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
E ritheksoj, është një ditë historike, sepse sot po hapet kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i pakthyeshëm.
Sot po fillojmë një proces që shpie drejt anëtarësimit në BE.
Ky moment përputhet plotësisht me vizionin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtar i BE-së dhe NATO-s, ndërsa bashkimi Evropian sot po përmbushë premtimin e bërë ndaj Kosovës duke ofruar një perspektivë të qartë të anëtarësimit dhe kështu, po vendos shtetin e Kosovës në nivel të barabartë me të gjitha vendet e rajonit.
MSA do të jetë Marrëveshja formale, gjithëpërfshirëse mes shtetin të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, deri në aktin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në BE.
MSA do të jetë bazament i marrëdhënieve tona.
Grafikoni i ecurisë së Kosovës drejt BE-së është karakterizuar me një dinamikë eksponenciale. Hiq më larg se para dy viteve agjenda evropiane e Kosovës është përkufizuar vetëm me partneritetin evropian dhe Raportin e Progresit.
Prandaj, sot, jemi në një ditë historike të një kapitulli të ri për Kosovën, për marrëdhënien mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Shpreh konsideratat më të larta për të gjitha kryeqytetet e shteteve anëtare të BE-së, të cilat i kanë dhënë mbështetje për këtë hap të rëndësishme të marrëdhëniëve të BE-së dhe shtetit të Kosovës
Gjatë muajve të kaluar ekipet e udhëhequra nga ju dhe Ministrja Çitaku kanë punuar shumë për të përgatitur pozicionet tona negociuese.
Ato do të vazhdojnë punën e tyre intensive gjatë muajve në vazhdim me qëllim të përmbylljes së shpejtë dhe të suksesshme të procesit negociator.
Për fund, i uroj të gjithë pjesëmarrësit për fillim të mbarë, dhe sot ju dëshiroj takim të suksesshëm, ndërsa, uroj gjithë qytetarët e republikës së Kosovës për këtë ditë të rëndësishme historike për shtetin.
Faleminderit shumë!
