Kryeministri Thaçi: Shteti i Kosovës ka një njohje gjithë ndërkombëtare, është shtet i ri, shtet i mundësive të mëdha, një shtet që do të ndihet mirë çdo qytetar për të jetuar


Image


Image


Image

Prishtinë, 30 dhjetor 2010

Në një fjalë rasti kryeministri Thaçi ka pohuar se:

Duke iu falënderuar shumë për prezencën tuaj sot në këtë konferencë e cila do të jetë e fundit për këtë vit, dëshiroj të theksoj se përmbyllja e këtij viti përkon edhe me përmbylljen e kapitullit të parë të Qeverisë së parë të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Përkundër sfidave të shumta, me të cilat jemi ballafaquar, unë me bindje të plotë e them që Qeveria e pavarësisë së Kosovës e ka përmbyllur me sukses të plotë misionin shekullor të qytetarëve të Kosovës për shtet të lirë dhe të pavarur.

Tri vitet e para të Qeverisë, të cilën e kam drejtuar unë, ishin vite të shtetformimit, të ndërtimit të institucioneve shtetërore, të zhvillimit ekonomik, të afrimit me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe thellimit të raporteve speciale me SHBA-të.

Përderisa si vend, si institucione dhe qytetarë ishim me fat që jetuam periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në planin ekonomik u përballëm me krizën më të rëndë, më të egër globale financiare që ka njohur bota në 70 vitet e fundit.

Megjithatë, ekonomia e Kosovës gjatë qeverisjes tonë është rritur me rreth 5 për qind. Në vitin 2009-2010, Kosova është ndër vendet e vetme në rajon që ka pasur rritje ekonomike, përderisa vendet tjera kishin rritje negative ekonomike. Ndërsa për vitin 2010, sipas parashikimeve zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova do të ketë rritje 5. 39 për qind.

Sa i përket politikës fiskale, nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, për nëntë muajt e parë të vitit 2010, konstatohen rritjet e të hyrave të mbledhura nga tatimi prej 14 për qind më shumë, krahasuar me periudhën e vitit të kaluar.

Të hyrat nga doganat, po ashtu të hyrat nga tatimet e brendshme kanë shënuar rritje gjatë vitit 2010.

Investimet kapitale në vitin 2010, Qeveria ka aprovuar dhe arritur t’i implementojë afërsisht 500 milionë investime kapitale. Këto kanë ndikuar edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik, por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Nga viti 2009 deri në vitin 2010, investimet kapitale janë rritur 25 për qind.

Gjithashtu jemi fokusuar për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Qeveria e Kosovës ka shtuar buxhetin për pagat gjatë vitit 2010 në krahasim me vitin 2009 për 30 milionë euro ose 11 për qind më tepër, nga 268 milionë euro në 300 milionë euro, për punëtorët universitarë 100 për qind, për mjekët rreth 60 për qind, për mësimdhënësit deri në 47për qind, për policët  mbi 30 për qind dhe kategoritë tjera të shoqërisë kosovare, edhe shërbyesit civilë.

Kemi filluar me reforma të thella fiskale, reforma këto të iniciuara në vitin 2009 që kanë pasur ndikimin pozitiv edhe në vitin 2010.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka kompletuar infrastrukturën ligjore dhe nga viti 2009 ka filluar me zbatimin e projektit mbi dhënien e numrave fiskal, për pajisje me arka fiskale për të gjitha bizneset kosovare. Janë lëshuar rreth 62 mijë numra fiskalë deri më tani.

Efektet e fiskalizimit të bizneseve, vlerësohen me parandalimin e ekonomisë joformale dhe në rritjen e të hyrave buxhetore.

Tani, në mandatin e dytë, në mandatin e Kosovës evropiane, ne kemi planifikuar që në luftën kundër ekonomisë joformale, të kemi të hyra në buxhetin e Kosovës për çdo vit rreth 150 milionë euro shtesë.

Është rritur edhe numri i bizneseve të regjistruara gjatë vitin 2010, që tregon përmirësimin e ambientit të biznesit në Republikën e Kosovës.

Përkrahja në sektorin e bujqësisë ka qenë shumë e fuqishme seç ka qenë në vitet e kaluara apo mandatet e kaluara.

Investimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës ne sektorin e bujqësisë janë shtuar në vazhdimësi. Përkrahja dedikuar sektorit të bujqësisë ka shkuar përmes investimeve kapitale përmes subvencioneve për fermerët dhe prodhimet bujqësore për herë të parë në Republikën e Kosovës.

Vetëm në vitin 2010 nga buxheti i ministrisë së Bujqësisë janë ndarë më shumë se 5 milionë euro për subvencione të ndryshme në fushën e bujqësisë, mbi 2.6 milionë euro gjatë vitit 2010 janë ndarë për investime kapitale, po ashtu edhe vreshtarët  janë subvencionuar gjatë vitit 2010 me subvencione shtesë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Edhe sa i përket infrastrukturës apo transportit, si rezultat i investimeve të fuqishme në këtë sektor, ne kemi përmbyllur projektin e ndërtimit rreth 1250 km rrugë të asfaltuara, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe kemi filluar ndërtimin e autostradës moderne “Ibrahim Rugova”, që tani rreth 30 për qind të ndërtimit veç po kryhen, por edhe kemi zotuar për vitin e ardhshëm rreth 275 milionë euro që do të punohet në përmbylljen e këtij projekti të autostradës Vërmicë-Merdare.

Do të vazhdojmë me zgjerimin e magjistrales M9 Prishtinë Pejë dhe M2 sipas planit të paraparë.

Sa i përket energjisë, kemi pasur rreth 40 për qind më tepër furnizim me energji, ndërsa që në vitin e parë të mandatit të Qeverisë, për Kosovën evropiane do të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, që do të sigurojë dhe garanton gjithë qytetarët e Kosovës24 orë rrymë.

Do të vazhdojmë reformat në gjyqësor, reforma këto jashtëzakonisht të rëndësishme, do të vazhdojmë reformat në gjithë sektorët, ndërsa është bërë një punë e çmueshme dhe shumë e vlerësuar edh prej Komisionit Evropian edhe në Raportin e Progresit, sa i përket betejës ndaj së keqes, në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve. Është kompletuar baza ligjore për luftë kundër korrupsionit, është krijuar me vendimin tim Task Forca kundër korrupsion në kuadër të prokurorisë speciale dhe janë krijuar kushtet për punën e saj, ndërsa për herë të parë kemi rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe do të vazhdohet kjo betejë e pakompromis, ndërsa së shpejti do të formohet Task Forca kundër krimit të organizuar vendor dhe ndërkombëtar. Gjithashtu kam iniciuar edhe nxjerrjen e ligjit Anti-Mafia.

Reformat kanë filluar edhe ne administratën publike. Në kuadër të zbatimit të reformës janë miratuar Ligji për Shërbimin Civil, Ligji për Pagat dhe Ligji për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndërsa mrekullia qeverisëse ka ndodhur në investimin në sistemin e edukimit.

Sot, sistemi i edukimit në Republikën e Kosovës ka tejkaluar reformën në nivel rajonal dhe gradualisht do të jetë i standardeve perëndimore të vendeve të Bashkimit Evropian.

Kemi arritur që gjatë këtij procesi të kemi rritje të cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet.

Kemi ndërtuar mbi 100 shkolla të reja, ndërsa, gjithashtu kemi rritur pagat e të gjithë punëtorëve universitarë deri në 100 për qind, ndërsa atyre të shkollave fillore dhe të mesme deri në 47 për qind.

Pas dyzet vitesh të funksionimit të vetëm një universiteti publik në Republikën e Kosovës, tani kemi edhe themelimin e Universitetit të Prizrenit.

Në fillimin e mandatit të dytë qeverisës, do të fillojmë me themelimin e universiteteve publike edhe në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan.

Sa i përket rritjes së mirëqenies sociale, kemi vazhduar me kompletimin e infrastrukturës ligjore që rregullon të drejtat dhe përfitimet e kategorive të veçanta sociale.

Është hartuar draft-ligji që rregullon të drejtat e kategorive të luftës, i cili pritet të zbatohet gjatë vitit 2011, përmes së cilit do të rritet përkrahja për këto kategori, pra nxjerrja e Ligjit për Vlerat e Luftës, që rregullon njëherë e përgjithmonë çështjen e veteranëve të luftës dhe familjeve të tyre.

Gjatë këtij viti janë organizuar edhe zgjedhjet e para nacionale në Kosovën e pavarur, zgjedhje këto që kanë arritur standardin e lartë ndërkombëtar.

Objektivat kryesore në mandatin e ardhshëm e ardhshëm katërvjeçar do të jenë objektiva për Kosovën evropiane, që nga janari i vitit të ardhshëm në 15 muajt e ardhshëm të meritojmë liberalizimin e vizave.

Gjithashtu gjatë mandatit të ardhshëm do ta anëtarësojmë Kosovën në NATO, ndërsa do të punojmë maksimalisht për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe në kuadër të kësaj edhe bashkëpunimi ndërshtetëror Kosovë-Serbi dhe njohjen reciproke, si kusht i domosdoshëm për t’u integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Do të vazhdojmë me të gjitha përgjegjësitë që kemi për njohje të reja, por them se viti 2010 ishte vit historik i prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën për bërjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Prandaj, tek çështja e njohjeve e kemi një numër prej 72 njohje bilaterale, por për shtetin e Kosovës me prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, që bërja e Kosovës shtet ka ndodhur në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare, kemi të bëjmë më një njohje gjithë ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.

Shteti i Kosovës ka një njohje gjithë ndërkombëtare, është shtet i ri, shtet i mundësive të mëdha, në të cilin do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për konsolidimin dhe fuqizimin e saj, për zhvillimin ekonomik, për rritjen e mirëqenies sociale për investime kapitale, krijimin e vendeve të reja të punës, një shtet që do të ndihet mirë çdo qytetar për të jetuar. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors