Prishtinë 19 shkurt 2014
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, pas takimit me Zëvendëskryeministrin dhe ministër i punëve te jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos
Ishte një kënaqësi e veçantë që sot të prisja në Prishtinë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Greqisë z.Venizelos, në kapacitetin e dyfishtë si përfaqësues i shtetit të Greqisë, por edhe në kapacitetin evropian.
Unë dëshiroj të falënderoj zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek, shtetin grek, qytetarët grekë, për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë Kosovës në këtë proces të tranzicionit demokratik, në këtë proces të perspektives së sigurtë euroatlantike.
Falënderoj shtetin grek për prezencën e trupave të tyre në kuadër të KFOR-it, dhe rotacioni që kanë ushtruar këta ushtarë grek në Kosovës, gjithashtu edhe me prezencën e ekspertëve, njerëzve tjerë grek në EULEX, në OSBE dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
E informova zëvendëskryeministrin e Greqisë për progresin e arritur në Kosovë, për reformat demokratike që jemi duke bërë, qoftë në politikë, ekonomi apo legjislacion, për agjendën tonë evropiane, për procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e stabilizim-asociimit.
Dëshiroj të shprehë mirënjohjen për mbështetjen e plotë greke, gjithashtu edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për marrëveshjen e 19 prillit, për hapat që po i ndërmarrim për implementimin e asaj marrëveshje dhe për marrëveshjen e arritur në princip për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në veri.
Shpresoj që ky proces do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa ne do të hapim së shpejti në Athinë edhe zyrën ndërlidhëse në mënyrë që të kemi një komunikim edhe më të shpejtë, më të shpeshtë, më produktiv, por edhe të kemi prezencën e shumë investitorë grekë në Kosovë, që kanë pasur sukses të plotë. Dhe, ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë bilateral në mes të Kosovës dhe Greqisë.
Edhe njëherë faleminderit i nderuari zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, z.Venizelos.
*************
Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos fillimisht e falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen dhe për referencën miqësore të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Greqisë.
Z.Venizelos theksoi se është takuar me kryeministrin Thaçi në kapacitetin e tij të dyfishtë si zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme të Greqisë, dhe si President i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.
Në aspektin bilateral, takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për të dy palët që të thellojmë dhe të forcojmë marrëdhëniet bilaterale dhe të ecim përpara në drejtim të një vizioni të përbashkët që është perspektiva evropiane dhe eurotlantike për Kosovën dhe për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, tha z.Venizelos.
“Për ne qëllimi kryesor është integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosoves. Ky është një projekt i rëndësishëm dhe gjatë periudhës transitore kemi kohë të përpunojme të gjithë hapat e nevojshëm”, u shpreh z.Venizelos.
Në kapacitetet e tij si president i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, z.Venizelos bazuar në konkluzionet e takimit të fundit të Këshillit të Ministrave të BE-së, nënvizoi përkushtimin për perspektivën evropiane të Kosovës, në linjë me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se “forcimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së dhe promovimi i zhvillimit ekonomik dhe social të Kosovës është i rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Kosovës”.
Konkluzionet e marrëveshjes së stabilizim-asociimit mes Kosovës dhe BE-së që besojmë se do të implementohen këtë vit, do të jenë moment historik për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe të gjithë rajonit, tha z.Venizelos.
Zëvendëskryeministri grek në kapacitetin e tij të përfaqësimit në nivel të Bashkimit Evropian po ashtu theksoi mesazhin e qartë se reformat, raportet e fqinjësisë së mirë, fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, promovojnë stabilitet dhe zhvillim ekonomik në rajon and integrim në Bashkimin Evropian.
Rrini në rrugën e drejtë dhe vazhdoni të punoni për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike dhe ne do të qëndrojmë në anën tuaj – tha z.Venizelos.
Zëvendëskryeministri i Greqisë vlerësoi lartë procesin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Po ashtu, ai mirëpriti mirënjohjen e kryeministrit Thaçi për kontributin e Greqisë në kuadër të forcave të KFOR-it, si dhe në kuadër të Misionit të EULEX-it.
Zëvendëskryeministri grek në konferencën për media, që u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, foli edhe për prezencën ekonomike dhe financiare të Greqisë në Kosovës, të cilën e vlerësoi të fuqishme dhe theksoi se është vullnet politik i Qeverisë së Greqisë që kompanitë greke të marrin pjesë gjithmonë në mënyre aktive në jetën ekonomike të Kosovës.
