Prishtinë, 12.08.2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e parë të ekipit negociator për negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën
Fjalimi i plotë i kryeministrit Thaçi:
Të nderuar Zëvendëskryeministra,
Të nderuar Ministra, Kabinet Qeveritar
Të nderuar Sekretarë dhe udhëheqës të institucioneve tjera të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe Zotërinj,
Ju dëshiroj të gjithëve mirëseardhje në takimin e parë të ekipit negociator për negociimin e Marrëveshjes Stabilizim-Asociimit.
Më lejoni që menjëherë të theksoj dy prioritetet kryesore të Republikës së Kosovës, në kuadër të procesit te integrimit ne Bashkimin Evropian për këtë periudhë.
Procesi i parë ka të bëjë me negocimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe procesi i dytë është procesi i përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave që po ashtu është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët tanë dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.
Nisja e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim-Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është një moment historik në kuadër të procesit integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ne dhe Bashkimi Evropian do të bëjmë zotime të ndërsjella: nga njëra anë, vendi jonë për të ndërmarrë reforma edhe më të thella, dhe nga ana tjetër BE-ja do të ofroj mundësi reale për anëtarësimin e Kosovës në familjen evropiane.
Është inkurajuese se para nesh kemi një agjendë ambicioze për një marrëveshje që do të përfshij të gjitha elementet kryesore të Marrëveshjes Stabilizim-Asociimi si për vendet tjera të rajonit, përfshirë dialogun politik, aspektin tregtar, politikat e bashkëpunimit, pjesët që kanë të bëjnë me Drejtësi, Liri dhe Siguri si dhe një sërë çështjesh tjera të rëndësishme.
Të nderuar të pranishëm,
Qeveria e Republikës se Kosovës është e përgatitur që të fillojë sa më shpejt negocimin e MSA-së.
Besoj që Kryenegociatorja, Ministrja Çitaku, së bashku me dy negociatorët e emëruar, Zëvendësministrin Kasapolli dhe Zëvendesministrin Nikaj, do të na njoftojnë për detajet e përgatitjeve të ndërmarra, si dhe për hapat e radhës në kuadër të këtij procesi.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, siç e kemi thënë shumë herë deri më tani, procesi i liberalizimit të vizave është proces të cilin qytetarët tanë e vlerësojnë më së shumti, pasi që në fakt, liria e lëvizjes pa viza përbën prioritetet kryesor të kësaj qeverie.
Me lejoni të ju falënderoj të gjithë juve të cilët keni marrë këtë përgjegjësi me seriozitetin më të madh – për këtë përkushtim unë jam shumë mirënjohës dhe ju inkurajoj me përkushtim t’i përmbushni të gjitha detyrat e përcaktuara.
Sidoqoftë, deri sa të sigurojmë liberalizimin e vizave, ne nuk mund të relaksohemi, por duhet të punojmë edhe më shumë dhe veprimet tona duhet të intensifikohen në maksimum. Posaçërisht, angazhim edhe më të shtuar duhet të tregojnë agjencitë për zbatimin e ligjit, si Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Doganat, Administrata Tatimore, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe mekanizma të tjerë.
Përpos që duhet të intensifikojnë punën e tyre, këto agjenci duhet të ndërmarrin veprime të përbashkëta dhe mirë të koordinuara, duhet të ngritin bashkëpunimin e ndërsjellë në nivelin më të lartë dhe të shkëmbejnë informata dhe statistika për rezultate konkrete.
Të nderuar të pranishëm,
Me fjalë të tjera këto janë kriteret që kërkohen në bllokun e tretë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, këtu duhet të tregojmë rezultate dhe t’i ndajmë këto rezultate me miqtë tanë ndërkombëtarë. Për këtë arsye pres nga të gjithë të kenë përkushtim më të madh, të fokusohen në rezultate konkrete dhe te jenë bindës në prezantimin e rezultateve.
Kosova ka nevojë për të afirmuar edhe më shumë imazhin e vet në arenën ndërkombëtare por edhe në aspektin e brendshëm. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim në punën efikase dhe transparente që bëjnë institucionet e vendit një gjë e tillë arrihet vetëm me punë konkrete dhe të pandërprerë.
Të nderuar,
Dëshiroj të dërgoj mesazh të qartë te të gjithë Ministrat, Sekretarë dhe udhëheqës të institucioneve tjera përgjegjëse.
Kërkoj nga secili nga ju që aktivitetet dhe obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe negociimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimi të trajtohen me prioritet më të lartë të mundshëm.
Kjo nuk ka të bëjë me agjendat politike të asnjë partie politike. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet unike sa i përket të ardhmes evropiane, edhe sa i përket spektrit politik, vullnetit qytetar, por edhe i një uniteti të plotë gjithëqytetar, pa dallim etnie.
Kjo ka të bëjë me kryerjen e obligimeve që kemi ne si institucione, në kuadër të dy proceseve të cilat gëzojnë mbështetjen e plotë të të gjithë spektrit politik. Kosova është unike për të ardhmen evropiane të saj.
Ju dëshiroj të gjithëve që ky takim të jetë i frytshëm dhe konstruktiv dhe të jep edhe rezultate konkrete, siç presim rezultate konkrete edhe në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm që janë vendimtar për liberalizimin e vizave.
Ju faleminderit shumë për vëmendjen tuaj!
