Prishtinë, 30 nëntor 2009
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi, pas takimit:
Sapo përfundova takimin me shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon. Më herët sot nga mëngjesi janë zhvilluar takime të njëpasnjëshme me presidentin, Fatmir Sejdiun, pastaj kam mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke vazhduar me takimet e zyrtarëve të EULEX-it për t’u takuar me ambasadorët e kuintit dhe për të vazhduar me pastaj takimin e Këshillit e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Kosovës. Tani sapo përfunduam takimin me z. Kermabo.
E gjithë përpjekja ime ka qenë që të diskutohen të gjitha çështjet e ngritura ditëve të fundit.
Rrethanat e reja të krijuara janë rrethana me elemente të cenimit të rendit dhe sigurisë nacionale.
Prandaj, është konkludim i përbashkët së do të ketë veprime unike, të përbashkëta, energjike, të respektimit të plotë të ligjit, të pamotivuara e të pandikuara politikisht, me transparencë të plotë, në interes të rendit, stabilitetit dhe të perspektivës së ndërtimit të shtetit demokratik.
Ne e kemi konsoliduar shtetin, nuk do të lejojmë destabilizim.
E kemi dhënë provimin më 15 nëntor, nuk do të lejohet që këtë proces askush ta shkatërrojë në mes. Do të kemi sukses edhe me 13 dhjetor që të avancojmë me standardin demokratik.
Prandaj, organet e drejtësisë do t’a kryejnë detyrën e vet deri në fund. Dhe këtu nuk do të ketë të ndalur. Përkundrazi, do të jemi shumë të drejtpërdrejtë, shumë të vendosur, shumë energjikë dhe çdo rrethanë e ngritur do të sqarohet deri në fund.
Dhe as akuzuesit, as të akuzuarit nuk mund t’u ikin përgjegjësive të transparencës, dhe vendosjes së plotë të rendit, të ligjit, të respektimit të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe të autoriteteve ndërkombëtare, që do të thotë EULEX-it.
Nuk duhet të lejojmë dhe nuk do të lejojmë të keqpërdoren situata e rrethana të individëve. Rendi dhe ligji për mua, për Qeverinë e Kosovës, për institucionet e Kosovës, është i shenjtë.
Nuk do të lejojmë që për qëllime të tjera të ulëta të keqpërdoret situata e këtij procesi pozitiv të Republikës së Kosovës.
Ne do të vazhdojmë me moton zero tolerancë ndaj fenomeneve negative, kudo dhe nga kushdo që paraqiten.
Dua t’i garantoj dhe t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës, gjithë bashkësinë ndërkombëtare se askush nuk do ta lejohet që të ngadalësojë apo pengojë perspektivën dhe suksesin e shtetit të Kosovës.
Po e prezantojmë edhe deklaratën e shefit të Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon:
Posa u ktheva nga Brukseli, menjëherë u takova me presidentin Sejdiu, me z. Pieter Feith dhe sapo përfunduam takimin me kryeministrin Thaçi.
Gjatë këtyre takimeve kemi diskutuar tre pika kryesore:
– E para është rëndësia e sundimit të ligjit dhe EULEX-i është krejtësisht i përkushtuar për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
– Pika e dytë, shumë e rëndësishme, detale – asnjë ndërhyrje politike në sundimin e ligjit. Kjo është baza e nevojshme, absolutisht baza e nevojshme.
– Dhe, po ashtu puna e përbashkët me institucionet e Kosovës. Këto janë pikat kryesore të cilat i kemi përmendur sonte.
Lidhur me rastin e individit, ai person është ftuar nga prokurori i EULEX-it për t’u marrë në intervistë këtë pas dite. Vazhdon kjo intervistë.
Po ashtu ne jemi në kontakte të vazhdueshme me institucionet e Kosovës, duke përfshirë gjyqësinë e Kosovës në këtë proces. Ne duhet të funksionalizojmë gjyqësinë me pavarësi të plotë.
Më tej, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e gazetarëve. Po japim thekse nga përgjigjet e kryeministrit Thaçi:
Në Kosovë do të ketë rend dhe ligj. Nuk do të lejojmë që asnjë proces i karakterit të tillë të ndikohet apo motivohet politikisht. I gjithë procesi dhe zhvillimet do të jenë transparente, prandaj e kemi arritur standardin me 15 nëntor, do të avancojmë me 13 dhjetor. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë cenimin e rendit kushtetues dhe sigurisë nacionale.
Ne jemi duke punuar bashkërisht dhe në këtë drejtim do të jemi të pa kompromis që konkluzioni të nxirret nga e vërteta dhe vetëm nga e vërteta dhe jo nga lajthitjet.
Askush nuk është mbi ligjin. Gjithçka do të bazohet mbi të vërtetën, të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim tek organet e drejtësisë edhe kosovare, edhe ato ndërkombëtare – të EULEX-it.
Dhe, asnjë qytetar nuk është mbi ligjin. Të gjithë janë të barabartë dhe ligji do të funksionojë, për të gjithë qytetarët njësoj.
Çdo rast, qoftë i përfolur, qoftë e ngritur si çështje do të fillohet e do të përfundohet. Dhe, askush nuk do të mund të përfitojë nga situatat e para fushatave elektorale, siç ka ndodhur në Kosovën e pasluftës, apo gjatë fushatave elektorale me motivacione politike. Fituesin e zgjedhjeve e përcakton vullneti i qytetarëve të Kosovës.
