Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar dhe marrë vendime për të ardhmen e Kosovës evropiane dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit


Image


Image

Prishtinë, 22 prill 2013

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Të nderuar zëvendëskryeministra
Të nderuar ministra
Të nderuar kabinet qeveritarë

Më lejoni që të hap mbledhjen e  radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, me vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të miratimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të përafruara më 19 prill 2013 nga dy kryeministrat e dy vendeve.

Siç edhe e dini, pas negociatave të gjata, fillimisht të nisura në baza teknike, për çështje teknike, të udhëhequra nga zëvendëskryeministrja, zonja Edita Tahiri, pastaj për të vazhduar në nivel të lartë politik, të udhëhequr nga dy kryeministrat e dy shteteve, pas dhjetë raundeve, kemi ardhur në përfundim për përafrimin e qëndrimeve për arritjen e një marrëveshje, marrëveshjes së parë të parimeve që e rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. 

Këto takime, këto biseda, këto negociata, nuk kanë qenë fare të lehta, përkundrazi kanë qenë jashtëzakonisht të rënda, por ne kemi shkuar të vendosur në Bruksel me autorizimin e plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të rezolutës që ka nxjerrë Kuvendi i Republikës së Kosovës, në tetor të vitit të kaluar, dhe me zotimin dhe përgjegjësitë e plota për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të ligjeve të Kosovës, dhe natyrisht përkushtimin për ngadhënjimin e vlerave euro-atlantike në rajon.

Që në fillim më lejoni që t’iu falënderoj të gjithë juve për mbështetjen, për mirëkuptim dhe besimin e plotë. I falënderoj partitë e koalicionit për përgjegjësinë e lartë që kanë treguar në këtë çështje, jashtëzakonisht të ndjeshme, të nevojshme dhe të domosdoshme në të njëjtën kohë, edhe për Kosovën edhe për rajonin.

Dëshiroj t’i falënderoj me këtë rast edhe partitë opozitare, AAK-në që mori pjesë dhe participi në këtë proces, me pjesëmarrjen e nënkryetarit Shala. Gjithashtu dëshiroj të falënderoj kryetarin e LDK-së, z. Mustafa dhe vetë LDK-në për mundësitë që të informohet vazhdimisht në baza të rregullta, në informata dhe raportimet tona, por edhe për mbështetjen që i dha këtij procesi, dhe mbështetjen e marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Falënderoj presidentin e AKR-së, z. Pacolli. Falënderoj zëvendëskryeministrin dhe liderin e SLS-së, z. Petroviq, për pjesëmarrjen e tij dhe rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm. Gjithashtu falënderoj z. Yagcillar për rolin dhe kontributin e Grupit Parlamentar Gjashtë Plus, dhe kontributin e tij personal. Thjesht iu falënderoj të gjithëve.

Falënderoj mediat për korrektësinë, për pjesëmarrjen e tyre në takimet që kemi zhvilluar në Bruksel, prezantimit të rregullt. Pra falënderoj gjithë mbështetësit e këtij procesi, por në të njëjtën kohë, shpreh  mirëkuptimin e plotë edhe për të gjithë kritikët, të cilët duke i ngritur shqetësimet e tyre, duke i ngritur pyetjet e tyre, i ndihmuan këtij procesi, që edhe ne të jemi edhe më të vëmendshëm.

Në të njëjtën kohë, dëshiroj para së gjithash të falënderoj gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,  të pozitës dhe opozitës, që mbrëmë në një seancë të jashtëzkaonshme plenare, pra të mbajtur më 21 prill 2013, pas raportit që kam prezantuar si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, rreth marrëveshjes së parë të parimeve të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që është përafruar më 19 prill 2013, Kuvendi i Republikës së Kosovës i dha mbështetje masive mund të themi, i dha mbështetje me dy të tretat, i dha mbështetje me 90 vota të deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Prandaj falënderoj çdo deputet, dhe në baza eventuale, falënderoj grupet parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Koalicionit të AKR-së, falënderoj grupin parlamentar të SLS-së, falënderoj gjithë deputetët e të gjitha komuniteteve

veç e veç që janë të përfaqësuara në Kuvend, falënderoj grupin parlamentar Gjashtë Plus. Pra të gjithë deputetët që si kurrë ndonjëherë më parë treguan unitetin dhe përgjegjësinë e tyre shtetërore politike për të ardhmen e Kosovës së re, Kosovës evropiane.

Mbrëmë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me një unanimitet të fuqishëm, me një mbështetje e ritheksoi masive të deputetëve, aprovoi rezulton e propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës , që shpreh përkrahje dhe jep pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për nënshkrimin e marrëveshjes së parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Tani, duke u nisur nga autoriteti ynë kushtetues dhe ligjor, jemi sot në mbledhje të Qeverisë, edhe njëherë e ritheksoi pas të gjitha raundeve të takimeve që kemi zhvilluar në Bruksel, duke e falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm baroneshën Ashton, që ka përafruar qëndrimet e dy shteteve, për arritjen e marrëveshjes së paqes.

Dëshiroj të falënderoj të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që i dhanë mbështetje baroneshës Ashton dhe kësaj marrëveshje, ku mbështetje unike i dhanë 22 vende që e kanë njohur pavarësinë dhe pesë të tjerave që janë në proces të njohjes.

Gjithashtu dëshiroj të falënderoj edhe NATO-n për zotimin që ka marrë për implementim, por falënderoj mbi të gjitha edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që qëndruan afër nesh,  na dhanë mbështetje të fuqishme. Falënderoj presidentin Obama që ka qenë në dijeni të vazhdueshme për procesin, por edhe involvimin e drejtpërdrejt të zëvendëspresidentit Biden në takimin që kemi zhvilluar në Romë, e në të njëjtën kohë edhe për mbështetjen publike të sekretarit John Kerry.

Dëshiroj të falënderoj edhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për mbështetjen që i dha këtij procesi.

Tani në ditët e ardhshme që të qartësohen edhe periudhat kohore të implementimit dhe akterët. E akterët implementues janë institucionet e Kosovës, është EULEX-i, NATO në rolin lehtësues, në bazë të përgjegjësive nga marrëveshja që do ta ketë Serbia për ndalimin e financimit të strukturave atje, në të njëjtën kohë edhe për kryerjen e përgjegjësive që ka në bazë të marrëveshjes, dhe lehtësimin e shpërbërjes së plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë.

Ajo që dua të them, edhe njëherë, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritarë, qytetarë të respektuar të Republikës së Kosovës, është se me këtë marrëveshje është respektuar në plotëni Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet e Republikës së Kosovës, dhe nuk do të ndryshohet për asnjë moment, ama bash për kurrgjë hiç Kushtetuta e Republikës dhe as ligjet.

Marrëveshja është kushtetuese, është ligjore, e ka mbështetjen e Kuvendit, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, duke punuar dhe marrë vendime për të ardhmen e Kosovës evropiane, të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë edhe me të gjitha vendet e rajonit, me zotimin e plotë për të punuar për integrimin sa më të plotë të Kosovës në NATO, Bashkim Evropian, OSBE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, respekton aprovimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës të kësaj marrëveshje.

Prandaj sot jemi mbledhur që të miratojmë dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të miratohet nënshkrimi i marrëveshjes së parë të parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përafruar më 19 prill 2013 nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë.

Pra Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet zotimet e përmbajtura në këtë marrëveshje.

Ne kemi diskutuar gjatë edhe në Kuvend, kemi diskutuar edhe në ambiente tjera, dhe në forume tjera të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj t’iu falënderoj të gjithëve për mbështetjen, falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës për durimin, besimin dhe mbështetjen që kanë treguar. Prandaj tani mbetet për ne sfidë implementimi për të cilën duhet të angazhohemi të gjithë.

Me këtë rastë dëshiroj të bëj një thirrje edhe për të gjithë qytetarët në veri, që të mos i frikësohen kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje është në interesin e tyre, është në interesin e paqes dhe stabilitetit,  është në interesin e bashkëpunimit, është në interesin e zhvillimit ekonomike, krijimit të vendeve të reja të punës, është në interesin  e rritjes së mirëqenies sociale, është në interesin e sigurisë, është në interesin gjeneratave të sotme, e fëmijëve, është në interesin e fëmijëve të fëmijëve tanë, është në interesin e së ardhmes, është në interesin e rajonit, është në interesin e BE-së, është në interesin e vlerave euro-atlantike që i kanë munguar rajonit.

Jam shumë i vetëdijshëm se një shekull konflikt nuk është i lehtë për t’u përmbyllur.

Por po e përmbyllim me Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane, shtet i respektuar dhe i nderuar ndërkombëtarisht, në proces të sigurt integrues euroatlantik.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, prandaj t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë për ndërtimin e shtetit të Kosovës në baza të demokracisë qytetare .

Iu ftoj që të miratojmë nënshkrimin e marrëveshjes së parë të parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kush është për? Kundër nuk ka.

Faleminderit shumë.

Atëherë më lejoni  që ta përmbyll këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke iu falënderuar për mbështetjen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors