Kryeministri Thaçi: Procesi i integrimit evropian është një proces i të gjithëve dhe të arriturat, janë të arritura të të gjithëve


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 6 nëntor 2009

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

I nderuar zëvendëskryeministër Kuçi,
I nderuar zëvendëskryeministër Manaj,
I nderuar z.Renzo Daviddi,
Të nderuar ministra,
E nderuara kryetare e Komisionit për Integrime në Parlamentin e Kosovës,
Të nderuar udhëheqës të institucioneve shtetërore,

Kam kënaqësinë të hap takimin e tretë të rregullt të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian.

Sot jemi takuar të diskutojmë procesin e integrimit në Bashkim Evropian dhe veprimet që do të ndërmarrim në muajt në vijim.

Fillimisht dua të potencoj se Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe të gjitha institucionet e vendit, të jenë maksimalisht të angazhuara në intensifikimin e dinamikës së procesit të integrimit, në shtimet e dialogut politik dhe teknik me Komisionin Evropian.

Zonja dhe zotërinj,

Muajin e kaluar Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për vitin 2009 dhe studimin e fizibilitetit.

Ishte një raport i vlerësimit real dhe pozitiv i të arriturave në Kosovë, i prezantimit të sfidave për sot dhe të ardhmen, por edhe i hapjes së perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës.

Studimi i fizibilitetit në anën tjetër shprehë përkushtimin e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, duke thelluar dialogun dhe raportet ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Jemi të vetëdijshëm se thellimi i këtij procesi do të jetë shumë sfidues dhe kompleks, dhe për këtë arsye kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të lehtësuar angazhimin tonë në këtë drejtim.

Në vlerësimin e progresit, Komisioni Evropian ka pasur parasysh periudhën sfiduese të shtetndërtimit, ku Republika e Kosovës është përballur me çështjen e ngritjes dhe zhvillimit të institucioneve, për çka edhe në mënyrë të drejtpërdrejt ka ndikuar në pamundësinë e adresimit të çështjeve të caktuara të cilat figurojnë në raport si sfida.

Ky është një vlerësim, i cili ceket në mënyrë të qartë në Raportin e Progresit, ku Bashkimi Evropian, lavdëron zhvillimin e suksesshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ruajtjen e stabilitetit politik.

Është me rëndësi të veçantë të theksohet se studimi i fizibilitetit ka hapur një epokë të re për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj, etapë e sigurt e perspektivës evropiane të shtetit tonë të ri.

Këto të arritura janë historike, por janë edhe përgjegjësi e re për vazhdimin e implementimit të të gjitha kritereve të nevojshme demokratike, qoftë në ekonomi, politikë apo legjislacion.

Prandaj suksesi që kemi arritur në Kosovë, është vlerësim për perspektivën e liberalizimit të vizave, të marrëdhënieve tregtare dhe dialogut për asociim-stabilizim, si dhe qasjen më të madhe në asistencën që ofron Komisioni Evropian.

Kjo nuk do të jetë një rrugë edhe aq e lehtë, është plotë sfida e përgjegjësi, por ky është besimi ynë, qëllimi ynë, është vizioni ynë dhe ne kemi përkrahje të plotë në arritjen e këtij qëllimi nga Komisioni Evropian.

Këto të arritura të Kosovë, janë të arritura të ët gjithëve, gjithë spektrin politik kosovar dhe gjithë qytetarëve.

Prandaj, kontributet janë të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj, si dhe të gjitha institucioneve në nivel lokal dhe atë qendror.

Besoj fuqishëm se do të kemi sukses të plotë.

Kjo tregon përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj vullnetit, gatishmërisë dhe seriozitetit të institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim në Bashkim Evropian.

Studimi i fizibilitetit bëhet vetëm për vendet, të cilat janë serioze dhe kanë ardhmëri të qartë për Bashkim Evropian.

Ky studim tregon se Republika e Kosovës është e gatshme drejt arritjes së marrëdhënieve drejt marrëveshjes për stabilizim-asociim.

Ky do të jetë një proces sa teknik po aq edhe politik, gjatë të cilit ne do të lobojmë për njohje të reja nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende janë në proces të njohjes, në mënyrë që së bashku të japim miratimin e tyre për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

Zonja dhe zotërinj,

Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2010 do të ketë prioritet strategjik adresimin e të gjitha sfidave që kanë dal nga Raporti i Progresit 2009: fuqizimin e kapaciteteve institucionale në fushën e integrimit evropian dhe mundësia e reformimit të ministrisë për integrim; reformën e administratës publike; reformën e sistemit gjyqësor; luftimin e pakompromis ndaj korrupsionit, krimit të organizuar me moto zero tolerancë ndaj korrupsionit; prokurimit publik; liberalizimin e vizave; mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare dhe respektimin e tyre afirmativ; garantimin e lirisë dhe shprehjes; bashkëpunimin rajonal; luftimin e ekonomisë joformale.

Këto prioritete do të trajtohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës si prioritete kyçe në punën e Qeverisë, me qëllim të përmbushjes së kritereve evropiane për integrim në Bashkim Evropian.

Natyrisht, në këto prioritete do të kemi bashkëpunim shumë të ngushtë, Qeveria, Parlamenti, Presidenca, institucionet lokale dhe të gjitha institucionet relevante shtetërore përkatëse.

Për t’i adresuar dhe përmbushur këto prioritete strategjike, do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat institucionalë të Republikës së Kosovës, me qëllim që të kemi një punë efektive në koordinimin e këtij procesi.

Këshilli Ndërministror për Integrim Evropian është mekanizimi më i lartë për monitorimin e implementimit të sfidave dhe prioriteteve karshi agjendës evropiane, ku çdo tre muaj do të kërkohet raportimi i ministrave lidhur me përmbushjen e sfidave që dalin nga Raporti I Progresit dhe sfidave të tjera në procesin e integrimit evropian.

Agjencia për Koordinim dhe Zhvillim të Integrimit Evropian në bashkëpunim me të gjitha institucionet, do të përgatisë raportet tremujore, të cilat do të shqyrtohen në takimet e Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian.

Kjo mënyrë e punës do të shërbejë si një mekanizëm permanent për të shikuar se ku janë ngecjet në zbatimin e prioriteteve strategjike dhe në përgjithësi ngecjet në procesin e integrimit evropian.

Tashmë kemi filluar në analizimin e hollësishëm të Raportit të Progresit për vitin 2009 dhe finalizimi i sfidave, si dhe inkorporimi i tyre në Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian, me të cilin proces do të përfshihen të gjitha institucionet qeveritare.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të kujdeset që t’i sinkronizojë në mënyrë më të mirë dokumentet më të rëndësishme të Qeverisë si:

–    Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian
–    Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve
–    Planin Vjetor të Punës
–    Planin për Investime Publike dhe
–    Buxhetin e Kosovës

Zonja dhe zotërinj,
I nderuar z.Davidd,

Gjetjet e Raportit të Progresit janë po ashtu prioritetet e identifikuara nga Qeveria e Kosovës dhe me këtë rast shfrytëzoj rastin të kërkoj nga gjithë ju të nderuar ministra, angazhim të fuqishëm për adresimin e këtyre sfidave.

Unë si kryeministër i Qeverisë së Kosovës, jap garanci në fuqizimin e strukturave institucionale në fushën e integrimit evropian.

Në këtë aspekt do të kërkoj urgjentisht të rritet efikasiteti i strukturës aktuale që përbëhet nga Agjencia për Koordinim dhe Zhvillim të Integrimit Evropian, Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, Komiteti i Punës për Integrim Evropian, grupet punuese për integrim evropian, si dhe i zyrave për integrim evropian të ministrive.

Gjithashtu është vullneti i qytetarëve dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha partnerët ndërkombëtar, në veçanti me Komisionin Evropian, si partner kyç në rrugën tonë drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi një politikë unike dhe të qëndrueshme për integrim sa më të shpejtë në Bashkim Evropian.

Procesi i integrimit evropian është një proces i të gjithëve dhe të arriturat, janë të arritura të të gjithëve.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors