Prishtinë, 30 nëntor 2010
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim udhëheqësit e institucioneve të arsimit të lartë privat në Kosovë, në të cilin është njohur me zhvillimin e këtyre institucioneve dhe sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar këto institucione.
Kryeministri ka vlerësuar se Kosova tashmë ka arritur të rregullojë tregun e dijes dhe funksionimin e institucioneve private të arsimit të lartë, në përputhje me standardet më të avancuara të rajonit dhe me perspektivë evropiane. “Ky është një sukses i arritur në bashkëpunim të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe bartësve të institucioneve të edukimit privat”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Në takim, kryeministri ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë në krijimin e kushteve për zhvillimin e arsimit në përgjithësi, në Kosovë, duke qenë të bindur se ky angazhim i Qeverisë së Kosovës do të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe në ngritje të mirëqenies sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Unë kam besim të plotë se këto institucione edukative do të plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme dhe vlerësimi për to, do të jetë pozitiv. Do të vazhdohet me krijimin e kushteve dhe lehtësirave tjera edhe për universitetet, fakultetet dhe kolegjet private, në mënyrë që të kemi lirim nga TVSH-ja për studentët e regjistruar, por edhe të shqyrtohet mundësia për lirimin nga tatimi në fitim për universitetet private, duke filluar me implementimin e këtyre lehtësirave që nga janari i vitit të ardhshëm”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.
Udhëheqësit e institucioneve të arsimit të lartë privatë në Kosovë, kanë shprehur falënderimin për angazhimin e kryeministrit për të ndihmuar zhvillimin e arsimit dhe edukimit në Kosovë në kuadër të ligjeve të Republikës së Kosovës.
