Prishtinë, 8 tetor 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Me këtë rast, z. Zhbogar edhe në mënyrë zyrtare i dorëzoi kryeministrit Thaçi Raportin e Progresit për Kosovën.
“Raporti konfirmoi progresin e arritur në përmbylljen e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi dhe progresin drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave. Këto dy procese tani më kanë konsoliduar dhe formësuar fuqimisht agjendën evropiane të Kosovës” – theksoi Kryeministri Thaçi dhe shtoi se “sot, ne jemi para një agimi të ri për Republikën e Kosovës. Një epoke të re, një epoke të integrimit evropian”.
Në takimin e sotëm, kryeministri Thaçi u shpreh se arritja e Marrëveshjes Stabilizim Asociimit përbën një momentum historik në kuadër të historisë moderne të Kosovës.
“Kemi filluar procesin zyrtar që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky moment largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian”.
Kryeministri Thaçi në takimin me Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar potencoi edhe konfirmimin që i bën raporti përparimit të arritur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
“Tani kemi hyrë në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave dhe dëshiroj të shpreh fuqimisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar të gjitha rekomandimet e mbetura, brenda disa muajve të ardhshëm” – tha z.Thaçi.
Nga ana e tij Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar, vlerësoi përkushtimin e kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës, për punën e bërë në realizimin e obligimeve dhe të sfidave që dalin nga Raporti i Progresit, dhe theksoi nevojën e rritjes së angazhimeve të institucioneve të Kosovës për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për Kosovën.
