Prishtinë, 4 maj 2011
Fjala e Kryeminstrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e fillimit të punës në Linjën Interkonektive Shqipëri-Kosovë
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ceremoninë e fillimit të punës në Linjen Interkonektive Shqiperi-Kosovë.
Në mënyrë të veçantë, falendëroj për prezencë sot:
• Ministrin për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik të Qeverisë Gjermane, z. Niebel dhe Delegacionin Gjerman
• Ambasadorët e Misioneve Diplomatike në Kosovë
• z. Ramadani, Drejtor i përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Republika e Shqipërisë
• Përfaqësuesin e Bankës për Zhvillim – KfË
Të nderuar të pranishëm;
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës;
Së fundi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka prezantuar PLATFORMËN REFORMATORE TË ZHVILLIMIT EKONOMIK.
Kjo paltformë, e cila është reflektim i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fokusohet në zhvillimin e sektorit privat si motor të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, për një shoqëri me standard më të mirë jetësor dhe një Kosovë evropiane.
Një nga parakushtet për zhvillimin e sektorit privat paraqitet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike.
Vite me radhë, furnizimi me energji elektrike është konsideruar si një nga pengesat kryesore të të bërit biznes.
Prandaj, Kosova ka nevojë për investime përmbajtësore në infrastrukturën e sistemit energjetik.
Duke pasur parasysh kufizimet buxhetore për realizimin e prioriteteve të saja strategjike, Qeveria e trajton këtë përkrahje financiare, ku gjysma është në formë të grantit dhe gjysma në formë të kredisë, si mundësi për të përmirësuar infrastrukturën e Kosovës.
Sot, me ndihmën e Qeverisë Gjermane dhe me përkushtimin e institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të KOSTT-it ne po fillojmë punën drejt ndërtimit të linjës interkonektive të tensionit të lartë 400 kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë do të ndikojë në optimizimin e të dy sistemeve energjetike, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektro-energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ky projekt do të ndikojë në bashkimin e tregjeve të energjisë ekektrike dhe përmes kësaj do të ndikojë në optimizimin e shkëmbimit të energjisë elektrike në mes dy vendeve.
E gjithë kjo do të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në Republikën e Kosovës, si dhe rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese që planifikohet të realizohen përmes projektit Kosova e Re.
Ky projekt është ndër të parët në fushën e ndërtimit të infrastrukturës së rëndë në sistemin e energjetikës në Republikën e Kosovës.
Së shpejti, do të fillojmë me projekte tjera kapitale në këtë fushë, siç janë Kosova e Re dhe Hidrocentralet.
Po ashtu, do të punohet edhe në përgatitjen e studimeve të arsyeshmërisë ekonomike për projekte kapitale në fushën e energjisë alternative, gjegjësisht asaj të bazuar në energji të erës dhe në atë solare.
Edhe një herë, dua të ritheksoj se Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për këtë projekt në mënyrë specifike, dhe më përgjithësisht për projektet e ardhshme kapitale në fushën e energjetikës, duke pas parasysh që energjia elektrike është një parakusht për rritje dhe zhvillim të qëndrueshm ekonomik.
Në fund, me lejoni që edhe një her të falënderoj Qeverinë e Gjermane për përkrahjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës në përgjithësi, dhe në veçanti për këtë projekt.
Qeveria Gjermane është një partnere strategjike në përpjekjet tona zhvillimore në përgjithësi dhe ne shpresojmë sinqerisht që do të kemi asistencën e Qeverisë Gjermane në këtë dhe në projektet tjera në këtë fushë dhe në fusha tjera.
Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Financave dhe KOSTT-in për kontributin e tyre në lidhje me fillimin e realizimit të këtij projekti.
Në emër të tërë Qeverisë, ju falënderojë të gjithëve për kontributet tuaja.
Ju faleminderit
