Prishtinë, 4 qershor 2014
Nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e radhës e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryeministri Thaçi, me këtë rast ka falënderuar qytetarët e Kosovës për kulturën e lartë politike në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen më 8 qershor.
Në vijim po sjellim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:
Vendi ynë po hyn në një fazë të rëndësishme të procesit elektoral, përmbyllës.
Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për kulturën e tyre të lartë politike që po e tregojnë, për fushatën e qetë, mirëkuptuese, të konkurrencës së lirë, prezantimit të konkurrencës së projekteve, jo e mllefeve, akuzave e shpifjeve personale.
Përmes kësaj fushate, shteti i Kosovës dhe shoqëria e saj po dëshmon se po ndërtojmë demokraci, se demokracia me të vërtetë është në veprim dhe zhvillim në Republikën e Kosovës.
Këto zgjedhje organizohen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Pres pjesëmarrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.
Unë uroj si kryeministër i vendit të gjithë për këtë rol aktiv, dinamik, konstruktiv dhe pozitiv, spektrin politik, shoqërinë civile, mediet. Përshëndes prezencën tanimë edhe në terren të vëzhguesve evropianë dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu pres edhe të shtunën dhe të dielën të kemi një proces të qetë, ndërsa të dielën të kemi një votim të mirëfilltë, duke respektuar vullnetin e plotë të gjithë, vullnetin e qytetarëve të vendit dhe Kosova edhe njëherë të dëshmohet fuqishëm se po konsolidohet dhe forcohet si shtet me të ardhme të sigurt perëndimore dhe për të vazhduar me hapat tonë të mëtutjeshëm për integrime në Bashkim Evropian dhe NATO dhe miqësinë tonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faleminderit për pjesëmarrje në këtë mbledhje dhe vazhdojmë.
********************
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar projekt-rregulloren për Punën e Këshillit Ndërministror për Ujërat, që përcakton mënyrën e punës, organizimin, fushëveprimin dhe funksionimin e Këshillit Ndërministror për Ujërat, i themeluar sipas nenit 15, 16 dhe 17 të Ligjit 04/L-147 për ujërat e Kosovës.
Në rrjedhë të miratimit të Ligjit Nr.04-233 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, me qëllim të zbatimit të legjislacionit, është marrë vendim të shfuqizohet Rregullorja Nr. 01/2008 për funksionimin e Fondit për mbështetjen e mediave minoritare dhe grupeve tjera të veçanta. Kjo është bërë me qëllim të përshtatjes së akteve nënligjore me legjislacionin primar duke bërë harmonizimin me Ligjin Nr.04-233 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014.
Po ashtu, është marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 18 mijë e 620 euro për kompensime dhe shtesa për punë jashtë orarit për anëtarët e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe zyrtarët e Sekretariatit të PZAP-it.
Në emër të Komisionit Ndërministror për ndërtimin e rrugës 6 Prishtinë- Hani i Elezit,ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka njoftuar kabinetin me Vendimin e Komisionit Drejtues Ndërministror për zhvillimin e projektit Rruga 6 Autostrada Prishtinë- Hani i Elezit.
Ministri Mujota ka bërë të ditur se Komiteti ka zhvilluar të gjitha procedurat e nevojshme konform ligjeve të Republikës së Kosovës dhe konform konkurseve ndërkombëtare në projekte të tilla të mëdha, dhe duke respektuar plotësisht të gjitha procedurat tjera për përzgjedhjen e Këshilltarit të Transaksionit, dhe punën e përbashkët të autoritetit kontraktues. Pas dy viteve pune, Komisioni Ndërministror ka zgjedhur kompaninë Bechtel Enka si më të suksesshmen në bazë të konkursit të shpallur.
“Komisioni Ndërministror ka arritur që ato çështje që janë sqaruar brenda këtij afati kohor t’i aprovoj të tërat, dhe të autorizoj autoritetin kontraktues , në këtë rast Ministrinë e Infrastrukturës, për përfshirjen në kontratën përfundimtare dhe për nënshkrimin e kontratës. Mund të informoj kabinetin, i nderuari kryeministër, se Komisioni Ndërministror ka përfunduar punën e vet, dhe ka përmbyllur procesin, dhe kontrata tashmë është e gatshme për nënshkrim, dhe ne po presim procedurat e mëtejshme të nevojshme për përmbylljen e këtij procesi” ka bërë të ditur ministri Mujota.
