Prishtinë, 4 gusht 2011
Në vazhdim, po e prezantojmë të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Të nderuar zëvendës kryeministra,
Të nderuar Ministra
Me lejoni t’ju informoj për zhvillimet e fundit.
Posa e përfundova një takim të gjatë dhe të frytshëm me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Byhler, ku sqaruam situatën e krijuar pas zhvillimeve të mbrëmshme dhe arritëm mirëkuptim për hapat e mëtutjeshëm.
Shqetësimi ynë ndërlidhet me formulimet e raportuara për kriza dhe nevoja humanitare.
Pikë së pari, në Kosovë nuk ka krizë humanitare. Politikanët nuk janë ata që përcaktojnë a ka krizë humanitare apo jo.
Dje në Mitrovicë, të gjitha agjencionet e Kombeve të Bashkuara që merren me çështje humanitare kanë konkluduar që nuk ka asnjë lloj krize humanitare në veri.
Më lejoni të them qartë, që ne nuk i kemi braktisur dhe nuk do t’i braktisim qytetarët tanë në veri. Ata janë shtetasit, qytetarët tanë, ne do t’u dalim në ndihmë dhe do të jemi afër tyre.
Unë e njoftova komandantin e KFOR-it, se në rast se agjencionet e pavarura ndërkombëtare që merren me çështje humanitare vlerësojnë se ka nevoja, ne do të bashkëpunojmë.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Është e rëndësishme që të angazhohemi që ta konsolidojmë realitetin në veri.
Nuk ka kthim prapa.
Dhe, askush nga partnerët tanë nuk kërkon një gjë të tillë. Nuk ka kthim në gjendjen e para 25 korrikut.
Veriu, që deri para 25 korrikut ka qenë vrimë e zezë dhe burim i kontrabandës dhe krimit, tashmë ka hyrë në një etapë tjetër. Atë të rendit dhe ligjit.
Ballafaqimi ynë nuk është kundër qytetarëve serbë që jetojnë atje, përkundrazi. Është krijimi i mundësive të barabarta, krijimi i një ambient ku rregullat i përcakton ligji, e jo kriminelët dhe kontrabandistët.
Çfarëdo lloj rrethane e re do të reflektojë këtë realitet të ri dhe kapitull të ri.
Për Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat tona nuk negociojmë me askënd.