Kryeministri Thaçi: Objektivi im kryesor për vitin 2010 është që të kemi një Raport të Progresit, i cili është pozitiv për Kosovën


Image

Prishtinë, 29 Qershor 2010

Fjalimi i Kryeministrit z. Hashim Thaçi drejtuar stafit akademik dhe studentëve të Kolegjit UBT

I nderuar staf akademik i Kolegjit UBT,
Të nderuar studentë,

Fillimisht dëshiroj të shpreh konsideratën time të lartë për Kolegjin e Biznesit dhe të Teknologjisë dhe për ata të cilët janë e ardhmja e këtij vendi, pra për ju, të nderuar studentë.

Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në ligjëratën e sotme, të flasim për progresin e Kosovës , për sfidat që kemi përpara dhe natyrisht t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja.

Të nderuar studentë,

Sot Kosova njihet nga 69 shtete anembanë botës, dhe është anëtarë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

Ne po bëjmë përpjekje për të qenë anëtare e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim – ka mbetur të sigurojmë vetëm edhe një votë për anëtarësim.
 
Sot Kosova është e pavarur, sovrane dhe Kosova është shtet funksional.

Sot populli i Kosovës mund të krenohet me arritjet e tij por, njëkohësisht, ai nuk mund të dorëzohet para sfidave të vështira që i ka.

Në të ardhmen e afërt, Kosova do të jetë përballë opinionit të shumëpritur të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
 
Çfarëdo që të jetë opinioni, pavarësia jonë është e pakthyeshme dhe kufijtë tanë janë të pacenueshëm.

Ne do të vazhdojmë të ecim përpara dhe do ta kemi mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë.

Sfida jonë kryesore është për të ecur përpara me aspiratat tona Euro-Atlantike – drejt anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Objektivi im kryesor për vitin 2010 është që të kemi një Raport të Progresit, i cili është pozitiv për Kosovën.

Lidhur me përpjekjet tona për integrim, ne i kemi dorëzuar përgjigjet tona në pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE-në; tash i presim rekomandimet nga ana e BE-së.

Institucionet e Kosovës janë poashtu gati për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe unë e kam theksuar në të gjitha takimet me përfaqësues të BE-së, përfshirë në vizitën time të fundit në Bruksel – Kosova nuk do të mbetët vrimë e zezë në rajonin e Europës Jug Lindore.

Të nderuar studentë,

Pikërisht ju mund të përfitoni shumë nga liberalizimi i vizave përshkak se kjo do t’ju mundësojë lehtësira të mëdha në shkëmbimet akademike me vende të ndryshme Europiane.

Të nderuar profesorë e studentë të Kolegjit të Biznesit,

Krahas angazhimeve tona për integrime Europiane, ne synojmë ta përmirësojmë rritjen ekonomike.

Në Kosovë, rritja ekonomike gjatë vitit të fundit kap shifrën prej afërsisht 4%.

Për vitin 2010 do te shënojmë rritje prej rreth 6%.

Ndërsa, për periudhën e ardhshme makrofiskale 2011-2013 planifikojmë rritje të vazhdueshme prej mbi 6%.

Kosova ka nevojë për norma më të larta të rritjes ekonomike për të ulur nivelin e lartë të papunësisë, sidomos tek rinia jonë.

Për të arritur këtë, Qeveria e ka përmirësuar ekzekutimin e shpenzimeve kapitale, duke ndërtuar një infrastrukturë moderne.

Nga 155 milion euro ne vitin 2007, në vitin 2008 kemi realizuar 347 milion euro investime, një ngritje mbi 120%.

Ne vitin 2009 kemi investuar mbi 400 milion euro.

Ndërsa këtë vit planifikojmë të investojmë rreth 500 milion euro. Krahasuar me vitin 2007 kjo shënon një rritje mbi 320%.

Infrastruktura moderne publike do të jetë një themel i fortë i rritjes ekonomike të Kosovës.

Ne, poashtu, kemi filluar të ulim pjesëmarrjen e Qeverisë në ekonomi, për të stimuluar sektorin privat.

Kjo është arsyeje kryesore pse ne po i privatizojmë, sikur shumica dërmuese e Europës, asetet e shtetit: Post-Telekomunikacionit e Kosovës dhe shërbimin e shpërndarjes së KEK-un.

Si Qeveri, ne gjithashtu po marrim hapa për t’i reformuar politikat fiskale.

Përmes reformave ne politikat fiskale kemi ulur normat e tatimeve direkte për 50%, siç është norma e tatimit në fitim të korporatave, që është ulur nga 20% ne 10%.

Edhe për tatimet në të ardhura individuale shkalla maksimale është ulur nga 20% ne 10%.

Tashmë i kemi shkallet tatimore më të ulëta në rajon.

Të nderuar profesorë e studentë,

Ky vit është viti i vendimeve të mëdha të Qeverisë, për përmirësimin e gjendjes së ekonomisë sonë.

Kompania Amerikano-Turke Bechtel Enka po ndërton autostradën e parë moderne të Kosovës.

Si Kryeministër, jam zotuar për ndërtimin e rrugëve te reja dhe autoudhëve me standarde ndërkombëtare.

Kemi ndërtuar anekënd vendit rreth 600 km rruge të reja, kemi rinovuar shumë të tjera.

Investimi prej mbi 700 milion euro në rrugën Vërmicë-Prishtinë-Mërdarë që e kemi filluar, ju siguroj se do ta përfundojmë në kohë rekord.

Vetëm nga ky projekt ne po hapim rreth 4000 mijë vende të reja pune.

Dhe ju siguroj se nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursejmë për ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore në vendin tonë.

Konsorciumi Francezo-Turk Limak-Aeroport de Lyon e ka fituar të drejtën për ta zgjeruar dhe përmirësuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. 

Si rezultat, Aeroporti i Prishtinës do të ofroj shërbime më të mira dhe do të ketë kapacitet më të madh me terminalin e ri.

Gjatë këtij viti, do fillojnë investimet private në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Ne do të fillojmë projektin energjetik për 24 orë energji elektrike, përmes projekteve madhore të termocentralit Kosova e Re dhe hidrocentralit të Zhurit.

Në krahasim me vitin 2007, kemi deri në 40% më tepër furnizim dhe mbi 13% më shumë prodhim të energjisë elektrike.

Të nderuar studentë,
Zonja dhe Zotërinj,

Arsimi është prioritet i lartë për Qeverinë time.

Si Kryeministër, ka qenë obligimi dhe përkushtimi im ndaj jush që të ndërtojmë sistemin më modern të arsimit në rajonin tonë.

Dhe këtë jemi duke arritur.

Kemi rritur pagat e mësimdhënëseve publik universitar për 100%.

Ndërsa, punëtorëve të arsimit fillor dhe të mesëm deri në 47%.

Në jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton dhe jemi të përkushtuar për të bërë gjithë që është e nevojshme për të vazhduar këtë sukses.

Qeveria ime është e përkushtuar për të ngritur standardin e shërbimit dhe përkujdesjes mjekësore në vendin tonë.

Kemi rritur buxhetin për shëndetësinë.

Kemi përmirësuar furnizimin me barëra esenciale.

Kemi ngritur pagat e punëtorëve mjekësorë deri në 60%.

Por kjo nuk mjafton.

Sepse në disa çështje nuk kemi arritur atë që ju keni pritur dhe atë që ne si Qeveri kemi shpresuar ta arrijmë.

Por përsëri, ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë.

Dhe do të ndërtojmë, për të gjithë ne, një sistem shëndetësor modern dhe efikas.

Të nderuar studentë,

Si Kryeministër, unë jam zotuar për një qeverisje efektive, efikase, transparente dhe të hapur.

Qeveria ime ka synuar rritjen e dinamikës së punës, por edhe luftimin e dukurive negative, e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Qeveria ime, në bashkëpunim me EULEX-in dhe me partnerët të tjerë ndërkombëtarë, po punon për sundimin e ligjit dhe për luftimin e korrupsionit.

Për të ndërtuar sundimin e ligjit, ne po miratojmë ligje për ta thjeshtëzuar dhe modernizuar kornizën bazike për institucionet tona të sundimit të ligjit.

Poashtu, po punojmë për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë me qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Një sistem i cili inkurajon investimet, duke zbatuar kontratat dhe duke inkurajuar zgjidhjen e shpejt të mosmarrëveshjeve,  duke i bërë të gjithë  të përgjegjshëm ndaj standardeve të njëjta.

Të nderuar studentë,

Ju falënderoj për vëmendje dhe ju ftoj të bëni pyetje; mirëpres diskutimin me ju.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors