Prishtinë, 31.10.2012
Fjalimi i Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët për media me Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Rodham Clinton dhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Catherine Ashton.
Sot është një ditë e veçantë për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj dhe për mua personalisht. Jam i nderuar dhe që jam nikoqir i dy mikeve të mëdha të Kosovës dhe rajonit.
E nderuara Baronesha Ashton,
E nderuara Sekretare Clinton,
Mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës.
Para së gjithash, e nderuara sekretare Clinton, më lejo të shpreh ngushëllimet e mia dhe qytetarëve të Kosovës për jetët e humbura dhe pasojat tragjike të shkaktuara nga uragani. Lutemi për ta dhe jemi të bindur se SHBA-të do të rimëkëmben shpejt nga kjo goditje.
E nderuara Sekretare Clinton,
E nderuara Baroneshë Ashton,
Vetëm 13 vite më parë, Kosova ishte një vend tërësisht i rrënuar nga lufta, me mbi 1 milionë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me mijëra të vrarë e të zhdukur, me shumë plagë.
13 vite më parë, e nderuara sekretare Clinton, ju vizituat qytetarët e mi në kampet e refugjatëve. Ato pamje janë të paharrueshme.
Sot i vizitoni në shtetin e tyre, në Kosovën e pavarur dhe sovrane.
Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përjetësisht mirënjohës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, në mbështetjen e fuqishme, që i dhanë Kosovës në rrugëtimin tonë të gjatë për liri dhe pavarësi.
Përkundër progresit që e kemi shënuar bashkërisht në këto 13 vite liri dhe katër vite e gjysmë pavarësi, Kosova sot nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Po punojmë këmbëngulësisht për Kosovën evropiane, për Kosovën euro-atlantike.
Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër.
Ende kemi shumë për të bërë për rend dhe ligj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar.
Ende pritet për t’u bërë shumë punë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe përfshirjen më të fuqishme të komuniteteve pakicë në jetën institucionale dhe publike.
Ndonëse është shënuar sukses i jashtëzakonshëm në integrimin e qytetarëve serb në jug të vendit, sfidë mbetet gjendja në veri.
Unë jam kryeministër i gjithë qytetarëve, edhe qytetrarëve në veri të vendit, dhe ju konfirmoj se do t’ju shërbej të gjithëve.
Ne do të punojmë shumë në projektet zhvillimore atraktive për qytetarët tanë edhe në atë pjesë të vendit.
Do të vazhdojmë të zgjasim dorën e bashkëpunimit dhe të ofrojmë shërbime për të gjithë.
Por, përkundër vullnetit tonë, prania e strukturave ilegale të financuara nga Serbia, po e bën shumë të vështirë punën tonë atje.
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Unë e sigurova Baroneshën Ashton dhe Sekretaren Clinton që institucionet e Kosovës do të përmbushin të gjitha kriteret në mënyrë që të realizojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vizionin dhe qëllimin tonë, për t’u integruar si shtet i Kosovës sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Integrimi në Bashkim Evropian nuk ka alternativë.
E nderuara baroneshë Ashton,
Unë ju siguroj që Kosova do të prodhojë vazhdimisht argumente pozitive në mënyrë që edhe ju ta keni më të lehtë ta shtyni përpara agjendën evropiane për Kosovën.
U pajtuam bashkërisht me Sekretaren Clinton dhe Baroneshën Ashton që procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për evropianizimin e rajonit.
Kosova është e vendosur për këtë proces, por të jemi të qartë, ora e historisë nuk do të kthehet prapa.
Shteti i Kosovës po konsolidohet dhe po forcohet çdo ditë.
Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial dhe organizimi i saj i brendshëm shtetëror, janë fakte të njohura ndërkombëtarisht dhe të pa diskutueshme.
Por, ka shumë gjëra që janë në interes të të dyja vendeve dhe në dobi të qytetarëve të të dy shteteve.
Dialogu është rruga e vetme e integrimit në BE, është katalizatori vendimtar për suksesin e këtij procesi.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në interesin e Kosovës, është në interesin e Serbisë, është në interesin e rajonit, është në interesin e investimeve të fuqishme të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën euro-atlantike.
Prandaj, qytetarët pas hapjes së këtij kapitulli edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në rajon, janë më me shumë shpresë dhe me më shumë besim për të ardhmen zhvillimore euro-atlantike.
Ndërsa, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, pas takimit me Kryeministrin Thaçi, mes tjerash theksoi se normalizimi i marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë është kyç për progresin e ardhshëm për Kosovën dhe Serbisë.
“Ne në SHBA besojmë se hapat e ndërmarrë nga Kosova janë veçanërisht të rëndësishme për ju. Ne besojmë se duke lëvizur drejt BE-së, do t’iu jep juve shpërblimin për punën e madhe, sakrificën e njerëzve të kësaj gjenerate, të gjeneratave të kaluara, dhe edhe për gjeneratat që do të vijnë” – tha Sekretarja Clinton.
Në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin Thaçi dhe Baroneshën Ashton, Sekretarja Clinton ka potencuar edhe një mesazh të rëndësishëm:
“Më lejoni që të jem e qartë jo vetëm për njerëzit në Prishtinë, por për të gjithë që po na shohin e dëgjojnë në gjithë rajonin: SHBA-të mbështet plotësisht sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial të saj, dhe dëshiron të shoh shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën. Ne kundërshtojmë çdo lloj bisedimesh për ndryshime territoriale apo për hapjen e temës për statusin e pavarur të Kosovës. Këto tema nuk janë të hapura për diskutim. Kufijtë e Kosovës sovrane dhe të pavarur janë të qartë dhe të caktuar” – tha Sekretarja Clinton.
“Jam mirënjohës kryeministrit që thotë se është kryeministër i veriut dhe jugut. Mezi presim të ndihmojmë kryeministrin dhe Qeverinë, dhe popullin e Kosovës derisa e bëjnë realitet këtë zotim, në veri dhe në jug. SHBA është shumë krenar me miqësinë që kemi me Kosovën” ka theksuar Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Ndërsa, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Catherine Ashton në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin Thaçi dhe Sekretaren Amerikane të Shtetit, Clinton theksoi: “Dua të them për popullin e Kosovës, se e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian, dhe ne me padurim presim për t’iu parë juve të realizoni këtë synim”.
Në vazhdim, Baronesha Ashton u shpreh se është e vetëdijshme se dialogu që kemi filluar në Bruksel nuk është i lehtë për Kryeministrin e Kosovës, nuk është i lehtë as për për popullin e Kosovës, me historinë dhe frikën që e keni.
Por, Znj.Ashton ka garantuar se ky është një dialog për të bërë jetën më të mirë, një dialog për të normalizuar jetën, në mënyrë që njerëzit në veri të vazhdojnë jetën e përditshme, duke u ndjerë pjesë e komunitetit, dhe pjesë e jetës shoqërore. Kjo bëhet duke u ulur dhe duke biseduar, duke biseduar hapur dhe lirshëm– tha Baronesha Ashton.
