Uashington DC, 11 qershor 2013
Me rastin e 14 vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në hapësirat e Kongresit amerikan (Capitol Hill) nderoi me mirënjohje të veçanta senatorin Mark Kirk, si dhe kongresmenin Eliot Engel.
Para pritjes së nderimit të kongresistit dhe senatorit amerikan, kryeministri Thaçi pati takim me kongresmenin Eliot Engel.
Senatori Mark Kirk ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përkrahjen politike dhe ushtarake si në përforcimin e idesë për intervenim ushtarak ashtu edhe gjatë kohës së bombardimeve.
Kryeministri Thaçi shfrytëzoi këtë pritje ceremoniale për të falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Senatori Mark Kirk dhe kongresmeni Eliot Engel evokuan kujtime nga periudha e krizës së Kosovës dhe falënderuan popullin e Kosovës për ndjenjat e shquara proamerikane.
