Kryeministri Thaçi: Mujë Krasniqi do të mbahet mend me trimërinë e rrallë që buronte nga shpirti i tij


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 14 dhjetor 2012

Fjala e kryeministrit Thaçi në Akademinë Përkujtimore, me rastin e 14 vjetorit të rënies së Mujë Krasniqit

Të nderua përfaqësues të institucioneve,
I nderuari simbol i rezistencës kombëtare,  z. Adem Demaçi,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
 
Sot, me nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale po përkujtojmë bashkëluftëtarët tanë si dhe njërin ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Mujë Krasniqin dhe 40 dëshmorët e lirisë, të rënë heroikisht 14 vjet më parë.

Katërmbëdhjetë vjet më parë Kosova kishte kaluar nëpër një histori të tërë, që para botës nxori fuqishëm përcaktimin dhe vullnetin e popullit tonë për liri dhe çlirim nga okupimi administrativ e ushtarak i Serbisë.

Artikulimin më të qartë dhe  më të thellë të këtij vullneti e kishte krijuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si në planin e brendshëm, në terren, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vetë vullneti i qytetarëve, zëri autentik i thirrjes për liri, për çlirim, prandaj ajo ishte e pamposhtur.

Duke qenë sublimim i aspiratave të popullit tonë për liri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës,  arsenalin kryesor e kishte vullnetin liridashës, vizionin çlirimtar të orientuar drejt vlerave më të përparuar të qytetërimit perëndimor.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcë politiko – ushtarake e pamposhtur, sepse në radhët e saj kishte komandantë e ushtarë që identifikonin fatin e tyre me fatin e atdheut, me fatin e popullit të tyre,  duke u bërë misionarë, prijës, luftëtarë, martirë e heronj të tokës së tyre.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në themel kishte sakrificën sublime të komandantit Adem Jashari që mori përmasa legjendare.

Prandaj vetëm kështu mund të shpjegohet shpirti  sakrifikues dhe luftarak i komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së. E çlirimtarë të Kosovës janë gjithë qytetarët e Kosovës që sakrifikuan për liri dhe pavarësi.

Vetëm kështu mund të kuptohet karakteri, guximi dhe vullneti i pamposhtur i Komandantit Mujë Krasniqit, i cili edhe pse i plagosur, kurrë nuk u tërhoq nga fushëbetejat kudo anekënd Kosovës.

Vetëm kështu mund të kuptohet shpirti liridashës i komandantëve të UÇK-së, të cilët më parë se urdhërdhënës u bënë prijës të betejave.

Prandaj, tipar dallues i Brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rënia në beteja e  disa prej komandantëve më të shquar të tyre, si Fehmi e Gjevë Lladrovci, Ilaz Kodra, e të tjerë.

Zonja dhe zotërinj,

Mujë Krasniqi do të kujtohet me dinjitet dhe do të mbetet i paharrueshëm për kontributin e dhënë si veprimtar i lëvizjes kombëtare, si pjesëtar i radhëve të para të UÇK-së, aksionist, organizator dhe komandant i parë i Brigadës 113.

Brigada 113, që përfshinte një territor të gjerë, ishte ndër Brigadat më të shquara të luftës së UÇK-së.

Sot secili nga ne, si bashkëluftëtarë të tyre, ndihemi krenarë.

Kjo Brigadë me rreth dy mijë ushtarë, lirisë së Kosovës i dha 166 dëshmorë, 13 prej të cilëve ranë më 14 dhjetor 1998 në Pashtrik,  si dhe 300 ushtarë të plagosur.

Mujë Krasniqi, do të mbahet mend jo vetëm si pjesëmarrës i shumë betejave, por edhe për inspektimet me plagë në trup, për t’ u dhënë edhe më shumë moral bashkëluftëtarëve në fushëbetejë.

Mujë Krasniqi do të mbahet mend me trimërinë e rrallë që buronte nga shpirti i tij, me gatishmërinë për t’i shërbyer atdheut me devotshmëri të plotë.

Para 14 vitesh, në krye të luftëtarëve, ai do ta marr rrugën e vështirë të rikthimit në Kosovë, duke kuptuar më së miri urgjencën edhe nevojën jetike të  furnizimit me armatim të bashkëluftëtarëve.

Edhe pse ende i pashëruar nga plagët e marra në beteja, në krye të bashkëluftëtarëve bie heroikisht në kufirin më të rrezikshëm të Evropës, në kufirin Kosovë – Shqipëri, i cili gjashtë muaj më vonë do të jetë kufi i lirë, i hapur njëherë e përgjithmonë.

Së bashku me Mujën bien edhe 40 dëshmorë të lirisë, duke e larë me gjak kufirin më tragjik të Evropës, kufirin e vitit 1912.

Rënia e dëshmorëve dhe komandantit Mujë Krasniqi,  ashtu si rënia e komandantëve të mëdhenj, u bë frymëzim dhe moral për bashkëluftëtarët për ta vazhduar rrugën e lirisë me vendosmëri edhe më të madhe.

Zonja dhe zotërinj,

Sot, kur përkujtojmë bashkëluftëtarët tanë, komandantin e Brigadës 113 të UÇK-së, Mujë Krasniqin dhe dëshmorët e lirisë, Kosova për të cilën sakrifikuan jetën, ka hyrë në 13 vjetorin e çlirimit dhe në pesë vjetorin e pavarësisë.

Sot kur kujtojmë 14 vjetorin e rënies së Komandantit Mujë Krasniqi, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me perspektivë të qartë euroatlantike.

Kosova është vend demokratik, në të cilin të gjithë qytetarët e saj gëzojnë të drejtat dhe liritë, ashtu si kanë qenë synimet e dëshmorëve të lirisë, ashtu siç janë edhe synimet dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, që Kosova të integrohet në NATO dhe Bashkim Evropian.

Prandaj mbrojtja institucionale e familjeve të dëshmorëve, e invalidëve të luftës, mbrojtja institucionale e veteranëve të UÇK-së është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtje e kategorive shoqërore që kanë dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Lavdi komandantit Mujë Krasniqi!
Lavdi gjithë dëshmorëve të lirisë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors