Kryeministri Thaçi: Me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit është vënë ligjshmëria e plotë dhe sundimi i ligjit edhe në kufirin verior të Republikës së Kosovës


Image


Image

Prishtinë, 6 dhjetor 2011

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës

Të nderuar ministra,
Kabinet qeveritar,

Më lejoni që ta hap mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës në rendin e ditës të cilin e keni para jush.

Ajo çka sot dëshiroj është t’iu informoj juve, pasi edhe keni qenë të informuar, por në të njëjtën kohë edhe të integruar në proces, por edhe opinionin publik dhe institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarët e vendit, gjithmonë në shërbim të transparencës dhe përgjegjësive më të larta shtetërore, kushtetuese dhe ligjore, dhe obligimit qytetar.

Ditë më parë është arritur marrëveshja mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit.

Dëshiroj të theksoj që në fillim se menaxhimi i integruar i kufirit është koncept dhe model evropian që duhet aplikohet dhe që aplikohet vetëm midis shtetesh që aspirojnë të hyjnë në Bashkim Evropian, si parapërgatitje për integrim në zonën Shengen.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovë në maj 2008.

Menaxhimi i integruar të kufirit, arrihet vetëm mes dy shteteve, dhe jo në nivele tjera.

Dëshiroj të potencoj edhe njëherë se Republika e Kosovës tashmë e ka infrastrukturën ligjore të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian për këtë fushë, të cilën e zbatojmë me të gjitha shtetet fqinje, në këtë kuadër edhe me  Serbinë. Pra, menaxhimi i integruar i kufirit do të përfshijë gjithë vijën kufitare të Republikës së Kosovës me të gjithë fqinjët, me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe Serbinë, derisa do të hapen krejt kufijtë dhe do të kemi një rajon me kufij të hapur të modelit të vendeve të Bashkimit Evropian.

Me këtë Kosova plotëson edhe një standard evropian për kufijtë, liberalizimin e vizave dhe hyrjen sa më të shpejtë dhe më të lehtë në zonën e Shengenit në të ardhmen.

Menaxhimi i integruar i kufirit nënkupton bashkëpunim dhe bashkërendim kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve përkatëse dhe agjencive të përfshira në sigurinë kufitare, dhe lehtësimin e tregtisë, të vendosjes së sistemeve më të efektshme dhe me rendiment të menaxhimit të integruar të kufirit, me qëllim arritjen e objektivit të kufirit të hapur, por të mirëkontrolluar dhe të sigurt.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit e arritur në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen dhe prezencën e plotë të SHBA-së është marrëveshje që do të mundësojë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve tona. Me këtë marrëveshje, Republika e Kosovës ka përmbyllur kuadrin e kontrollit kufitar në të gjitha pikat e kalimit kufitar anë e kënd kufijve të saj.

Menaxhimi i integruar i kufirit si model evropian garanton kalim të shpejtë dhe të lehtë të njerëzve dhe mallrave, por njëkohësisht siguron që autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës të luftojnë dhe parandalojnë kontrabandën, trafikimin dhe krimin e organizuar që kishte lulëzuar veçanërisht në veri në 12 vitet e kaluara.

Me këtë marrëveshje është vënë ligjshmëria e plotë dhe sundimi i ligjit edhe në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje është edhe një njohje në një kuptim apo kuptimin tjetër edhe ‘de jure’ të Serbisë për Republikën e Kosovës, pra kufijve nga Serbia në raport me kufijtë e Kosovës, në të gjashtë pikëkalimet kufitare me Serbinë.

Gjithashtu do të zbatohet në tërësi legjislacioni i Republikës së Kosovës nga ana e të gjitha agjencive të zbatimit ë ligjit të Republikës së Kosovës, policisë, doganave, agjencisë së veterinës, etj.
Ndërsa EULEX me ftesën tonë do të jetë aty në përputhje me mandatin që e ka nga ftesa e institucioneve të Republikës së Kosovës. Pra do të monitorojë dhe mbështes zbatimin e standardeve evropiane për menaxhimin i integruar të kufirit.

Të gjitha simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës do të jenë prezentë anekënd kufijve të Republikës së Kosovës, ashtu si janë deri më tash, ashtu si është në Merdare, do të jetë edhe në pikën kufitare 1 dhe 31.

Me këtë marrëveshje është vënë ligjshmëria e plotë dhe sundimi i ligjit edhe në kufirin verior të Republikës së Kosovës.

Më lejoni të përshëndes dhe mirëpres konkluzionet e Këshillit të ministrave të BE-së të nxjerra mbrëmë për Kosovën, konkluzione këto që do të konfirmohen rimohen në samitin e BE-së më 9 dhjetor, ndërsa të katër konkluzionet janë të mirëseardhura dhe të përshëndetura nga Qeveria e Republikës së Kosovës: e para agjenda e qartë evropiane e Kosovës, dy- dialogu për liberalizimin e vizave fillon këtë vit, pra në ditët e ardhshme, marrëdhëniet kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, ndërmjet lidhjes së marrëveshjes tregtare dhe qasjes në programe të shumta të financimit të BE-së dhe katër, zotimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për mbështetje të plotë të Kosovës në Bankën për zhvillim dhe Ndërtim Evropian.

Ajo çka kërkohet tani edhe nga dëshmitarët dhe garantuesit e marrëveshjes ndërshtetërore, është përcjellja nga afër e fillimit të implementimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, në mënyrë që Serbia mos t’i bishtnojë kësaj marrëveshje, sikur ka pretenduar herëve të tjera, dhe diçka e tillë do të kërkohet edhe ditëve të ardhshme në Bruksel por edhe nga SHBA-a.
Por do të jetë kusht për dy vendet implementimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel për integrimin dhe perspektivën evropiane.

Nuk do të ketë blanko mbështetje për askënd pa u implementuar marrëveshjet, ndërsa Kosova do të jetë e përgjegjshme në implementim në mënyrë që të ketë kontroll të plotë të kufirit, menaxhim të integruar, sundim të ligjit në veri, lëvizje të lirë, gjithashtu angazhim të përbashkët të të gjithëve për zgjedhje të lira atje, në mënyrë që të kemi investime ekonomike dhe një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Republikës së  Kosovës dhe autoriteteve lokale.

Duam dhe do t’i shërbejmë si Qeveri e Republikës së Kosovës të gjithë qytetarëve pa dallim etnike, në këtë drejtim mendoj se është një mbështetje apo përkushtim i gjithë spektrit kosovar, por para së gjithash, i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors