Kryeministri Thaçi: Me inaugurimin e Autostradës Digjitale Prishtinë-Tiranë, dy shtetet tona po shënojmë një hap tjetër me rëndësi në jetësimin e partneritetit ekonomik


Image

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e Inaugurimit të Autostradës Digjitale Prishtinë-Tiranë

Prishtinë, 20 nëntor 2012

I nderuari Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë,
Zonja dhe zotërinj,

Jam tepër i nderuar, por edhe i emocionuar që gjendem në këtë pikë, ku vetëm para 13 vitesh Serbia ndante Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa sot, kështu të bashkuar si kurrë ndonjëherë më parë, jemi të bashkuar në rrugën tonë integruese euroatlantike.

Në të njëjtën kohë, ndihem tepër i nderuar që sot gjendem këtu, në vendlindjen e kryeministrit Sali Berisha.

Në vendlindjen e kryeministrit Berisha, me bashkëvendasit e tij, me të cilët bashkëluftuam dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe çlirimin e Republikës së Kosovës.

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Kosovës, në emrin tim personal, t’iu falënderoj secilin prej jush, familjet tuaja, për kontributin e jashtëzakonshëm që e keni dhënë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës.

Ju jeni heronjtë e gjallë. Çdo familje e juaja, ishte shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Prandaj, liria dhe pavarësia e Kosovës lidhen drejtpërdrejt me kontributin tuaj individual dhe familjar. Lavdi dëshmorëve të lirisë, që dhanë jetën, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë.

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Autostrada “Rruga e Kombit”, – e cila do të përfundojë së shpejti, pra më 27 nëntor do ta përurojmë bashkërisht me kryeministrin Sali Berisha, – nuk është e vetmja vepër e përbashkët për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sot, tetë ditë para Festës së Flamurit, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, z. Berisha, po inaugurojmë autostradën tjetër, AUTOSTRADËN DIGJITALE Prishtinë-Tiranë, Kosovë-Shqipëri.

Fillimisht kombet e civilizuara investuan në zhvillimin e rrjetit të hekurudhave dhe rrugëve nacionale.

Tani, në epokën e modernitetit bota investon në infrastrukturën digjitale, pra në shtrirjen e internetit dhe në lidhjet elektronike, që i mundëson kjo e arritur e jashtëzakonshme e teknologjisë së lartë.

Republika e Kosovës, si shtet i ri, ka nevojë për investime përmbajtjesore në të gjitha llojet e infrastrukturës.

Prandaj, Qeveria e Kosovës, në kuadër të Platformës Reformatore për Zhvillim Ekonomik kemi identifikuar krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si parakusht për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Po ashtu, përgëzoj kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij, që zhvillimit të infrastrukturës i ka dhënë rëndësi prioritare, si kusht i thellimit të bashkëpunimit midis shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo autostradë nuk është komponentë e vetme në kuadër të iniciativave për partneritetin tonë ndërshtetëror ekonomik.

Me inaugurimin e Autostradës Digjitale Prishtinë-Tiranë, përmes së cilës do të krijojmë rrjetin ndërshtetëror të fibrave optikë, dy shtetet tona po shënojmë një hap tjetër me rëndësi në jetësimin e partneritetit ekonomik.

Ky projekt infrastrukturor nuk është qëllim në vetvete e as fundi i bashkëpunimit tonë ndërshtetëror, por është vazhdim i partneritetit afatgjatë në rrugën drejt shfrytëzimit të potencialeve plotësuese për zhvillim ekonomik.

Autostrada Digjitale do të ndihmojë edhe në ngritjen e mirëqenies shoqërore.
Të gjithë do të përfitojmë me krijimin e vendeve të reja të punës.

Po ashtu, nga ky projekt do të përfitojnë edhe Qeveritë e të dy vendeve, duke qenë shfrytëzuese të shërbimeve të ndryshme digjitale.

Projekti E-Qeverisje, i cili rrit efikasitetin e punës së Qeverisë dhe ulë koston e punës së saj, – mund të realizohet vetëm me zhvillimin e rrjetit digjital.

Në fund, dua të përsëris faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka përkushtim të veçantë për këtë projekt, që do të përforcojë bashkëpunimin ndërshtetëror dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Pra, Qeveria e Republikës së Kosovës do ta mbështesë Ndërtimin dhe Zhvillimin e Autostradës Digjitale me të gjitha instrumentet institucionale që ka në dispozicion.

Edhe njëherë urime dhe gëzuar të gjithëve.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors