Kryeministri Thaçi: Marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE nga Shqipëria – një inkurajim i ri dhe shtysë për aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës


Image

Prishtinë, 25.06.2014

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e saja të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka uruar edhe njëherë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat.

Më poshtë, po sjellim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Kabinet qeveritar,

Më lejoni që edhe njëherë që në fillim të shfrytëzoj rastin dhe të përgëzoj Republikën e Shqipërisë, kryeministrin Rama, dhe gjithë spektrin politik dhe shoqëror të Shqipërisë, e cila nga dje është kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Pa dyshim ky është një lajm shumë i mirë, lajmi më i mirë i mundshëm për Shqipërinë, për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Dëshiroj edhe njëherë të uroj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, gjithë shqiptarët, për këtë sukses historik, dhe çdo shqiptar sot ndihet krenar me këtë të arritur.

Gjithashtu, më lejoni të ritheksoj se edhe Kosova, si një shtet i ri, i mundësive të mëdha, i njohur nga 106 shtete, mbetet e përkushtuar që të punoj drejt përmbushjes së standardeve euroatlantike, që të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe Bashkim Evropian.

Kjo është aspirata jonë, ky është qëllimi ynë, ky është vizioni ynë, dhe kjo është e drejta jonë.

Unë dua të besoj se marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE nga Shqipëria, do të jetë edhe një inkurajim i ri dhe shtysë edhe për aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës.

Gjithashtu, më lejoni që të uroj dhe përgëzoj edhe të gjitha institucionet që janë duke u marrë tash me procesin e menaxhimit pas zgjedhor, KQZ-në dhe gjithë mekanizmat tjerë, për punën që janë duke e bërë në afat rekord, për të përmbyllur edhe këtë fazë të procesit elektoral, pas organizimit të zgjedhjeve më të mira të pas luftës në Kosovë, të zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike, transparente.

Është arritur standardi më i lartë perëndimor, evropian. Tash natyrisht presim certifikimit e rezultatit zgjedhor dhe përgjigjet e Gjykatës Kushtetuese në pyetjet e parashtruara nga presidentja e Kosovës, znj. Jahjaga, dhe pastaj partia fituese dhe koalicioni do të fillojë konkretisht të punoj për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

****************

Katër vendime të miratuara në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë të bëjnë me mbrojtjen e burimeve ujore, që përdoren për pije në komunat e ndryshme të Kosovës. 

Qëllimi i këtyre vendimeve është mbrojtja e burimeve ujore nga ndikimet negative, të cilat mund të dëmtojnë gjendjen normale nga aspekti i cilësisë dhe sasisë; të sigurojë shfrytëzim të qëndrueshëm, në dobi të shëndetit publik, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit social-ekonomik të Kosovës; si dhe të përcaktojë zonën mbrojtëse të burimeve.

Sipas vendimeve, veç e veç, janë përcaktuara zonat e mbrojtura të burimeve ujore që përdorën për pije: “Puset” në Banjë, Komuna e Malishevës; “Lumi Radeshë” në Radeshë, Komuna e Dragashit; “Bunarllyk-Galeria 1 dhe Bunarllyk-Galeria 2 dhe tri puset e reja 1,2,3” në Prizren, Komuna e Prizrenit; dhe, “40 bunarët”, Komuna e Prizrenit.

Qeveria e Kosovës ka emëruar në pozitën e kryeinspektorit në Inspektoratin e Tregut, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, z.Lulzim Syla.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors