Prishtinë, 23 nëntor 2009
Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me projekt-buxhetin e vitit 2010, mbajtur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës
I nderuar Kryetar i parlamentit,
Të nderuar parlamentarë,
Dhe të gjithë të pranishëm,
Kam nderin që para jush të prezantoj projekt buxhetin për vitin 2010, të përgatitur nga Ministria për Ekonomi dhe Financa në bashkëpunim të ngushtë dhe i harmonizuar me të gjitha ministritë dhe agjencionet tjera relevante.
Me lejoni të theksoj se ky është buxheti i zhvillimit ekonomik, i vazhdimit të reformave dhe integrimit.
Në këtë kohë, kur bota po ballafaqohet me efektet e krizës ekonomike globale, ne presim që ekonomia jonë gjatë vitit 2010 të shënoj një rreth 5%, që padyshim paraqet një sukses të konsiderueshëm.
Mbi bazën e këtyre vlerësimeve është ndërtuar edhe ky projekt buxhet i cili duhet konsideruar si një arritje e re në mesin e sukseseve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ky buxhet do të jetë i orientuar në drejtim të implementimit të politikave zhvillimore për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e në veçanti përkrahjen e atyre politikave të cilat janë vlerësuar prioritare në këtë fazë të zhvillimit të shtetit tonë.
Buxheti i paraparë për vitin 2010 do të jetë në nivelin prej 1,461 milion euro (Një miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë e një milion euro), që përfshinë të gjitha ndarjet buxhetore, me një rritje prej rreth 6% krahasuar me buxhetin e vitit 2009.
Ndarjet primare në strukturën e këtij buxheti janë paraparë të jenë €1,146 milion, që paraqet një rritje prej 8% krahasuar me nivelin e paraparë të shpenzimeve primare për vitin 2009.
Brenda buxhetit, është paraparë ruajtja e rezervës fiskale në vlerë prej €200 milion, e cila rezervë i jep kredibilitet politikave tona për përballimin e rreziqeve potenciale.
Gjithashtu edhe servisimi i borxhit të jashtëm është pjesë e ndarjeve buxhetore për vitin e ardhshëm.
Kjo rritje e shpenzimeve buxhetore është mundësuar përmes dy faktorëve: parashikimit për rritjen e të hyrave buxhetore si dhe shfrytëzimin e bilancit të akumuluar bankar nga vitet e kaluara.
Për dallim nga viti 2009, kur pati një rritje në nivelin e të ardhurave nga grumbullimi i të hyrave të njëhershme, rritja e të hyrave buxhetore për vitin 2010 vjen si rezultat i zgjerimit të bazës tatimore, dhe paraqet ngritje në trendin e të hyrave.
Duke ruajtur ngritjen e përgjithshme buxhetore që ne si Qeveri e filluam dy vite më parë, kemi arritur që edhe përmes këtij buxheti të sigurojmë fonde shtesë dhe të mbështesim fushat në vijim:
• Në sektorin e Shëndetësisë, janë rritur fondet për sigurim të barnave esenciale si dhe ai për trajtim të pacientëve jashtë vendit. Po ashtu, është planifikuar kompensim shtesë për personelin mjekësorë për punën jashtë orarit. Rritjen e përkrahjes financiare për kategoritë e dala nga lufta, në veçanti për invalidët e luftës.
• Kemi mundësuar fonde të nevojshme për zbatimin e platformës së re të gradimit konform ligjit mbi Policinë.
• Ne po ashtu kemi dhënë mbështetje shtesë për punonjësit në shërbimin e zjarrfikësve.
• Janë ofruar dispozitat financiare dhe buxhetore për themelimin e Universitetit të Prizrenit – universitetit të dytë publik në Republikën e Kosovës.
• Në të njëjtën kohë është rritur mbështetja maksimale për Universitetin e Prishtinës.
• Mbi të gjitha, në pajtueshmëri me prioritete e Qeverisë sonë kemi mbajtur shpenzimet (investimet) kapitale mbi €400 milion, shumë kjo që ka ndikim direkt në gjenerimin e rritjes ekonomike.
Duke pas parasysh përgatitjet tona për tërheqjen e kapitalit privat të huaj dhe vendor, si përmes procesit të privatizimit ashtu edhe përmes procesit të koncesionimit, ne mbetemi të përkushtuar që ta rrisim vlerën e investimeve kapitale përmes të ardhurave nga këto procese.
• Rritje të mëtejshme janë bërë edhe në shumë projekte tjera të cilat janë paraqitur në tabelat pranë jush.
• Do ju përkujtoja këtu për një mori të projekteve infrastrukturore, e posaçërisht për fillimin e autostradës Vermicë-Morinë-Prizren drejtimi i Prishtinës, ndërtimin e shkollave të reja si dhe mbështetjen e vazhdueshme të komunave përmes granteve qeveritare.
Qeveria e Kosovës gjithashtu vazhdon të ndërtojë dhe plotësojë institucionet e një shteti sovran.
Në këtë drejtim është paraparë financimi i blerjes së ambasadave të reja, funksionalizimi i Agjencionit Kosovar të Inteligjencës, Gjykatës kushtetuese të Kosovës, si dhe shumë institucione tjera që do të na sjellin më afër përmbushjes së objektivave tona si Qeveri: atë të qeverisjes së mirë dhe fuqizimit institucional.
Në përgatitjen e këtij projekt buxheti në kemi pasur mbështetjen e plotë edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar, siç janë FMN-ja, Banka Botërore, si dhe Komisioni Evropian.
Aftësia jonë për të realizuar një planifikim të mirëfilltë të buxhetit ka qenë një nga parakushtet për transferin e ndihmave të shumta financiare; si të atyre të premtuara në Konferencën e Donatorëve ashtu edhe nga fondet shtesë që ne presim t’i përfitojmë si anëtarë në FMN dhe Bankë Botërore.
Me aprovimin e këtij buxheti ne dëshmojmë se veprimet tona si Qeveri janë në pajtueshmëri me planet strategjike të paraqitura në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, dhe njëkohësisht shfaqim pjekurinë tonë si menaxhues të mirë të parasë publike.
I gjithë ky sukses është arritur para se gjithash me anë të:
– instalimit të qeverisjes së mirë, efikase dhe efektive,
– rritjes së transparencës,
– sundimit të Ligjit,
– faktorit gjithëpërfshirës
– reformave demokratike të shumanshme dhe shumë të fuqishme,
– Luftës së pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dukurive tjera negative,
– Përgjegjësisë së lartë qeverisëse në nivel qendror dhe lokal,
Ky buxhet është i të gjithëve dhe në shërbim të të gjithëve. Ky buxhet është buxheti i zhvillimit ekonomik, gjenerimit të vendeve të reja të punës, i reformave demokratike dhe perspektivës evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës.
Si Kryeministër, ky buxhet ka mbështetjen time të plotë. Në vazhdim ministri i Ekonomisë dhe Financave do të prezantojë para jush në detaje Buxhetin për vitin 2010.
Ju faleminderit.
