Prishtinë, 26 tetor 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Me këtë rast , kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij i ka përcjell myftiut Naim Tërnava, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe besimtarëve mysliman të Kosovës urimet për festën e Kurban Bajramit.
Kryeministri Thaçi theksoi se në këtë ditë, të gjithë janë në Bashkësinë Islame, pa dalim fehe, pasi kjo festë është e sakrificës, e solidaritetit, tolerancës dhe bamirësisë.
“Kosova është shembulli i tolerancës ndërfetare, shembull i zhvillimit të besimit, respektit të ndërsjellë. Edhe sot në këtë ditë kujtojmë të kaluarën tonë të ndritshme dhe krenare, kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, kujtojmë sakrificën e qytetarëve të Kosovës për liri, natyrisht gjithmonë duke marr energji për të ardhmen. Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë ditë të sakrificës, mirëkuptimit dhe solidaritetit”, ka thënë kryeministri Thaçi.
