Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit
Prishtinë, 21 dhjetor 2012
E nderuara Presidente,
I nderuar Kryeparlamentar, të nderuar Ministra
Përfaqësues të gjyqësorit dhe policisë,
Të nderuar të pranishëm,
Takimi ynë i sotëm, prezenca jonë e vazhdueshme në këtë forum është edhe një indikator për seriozitetin me të cilin institucionet tona tregojnë drejt luftimit të korrupsionit.
Korrupsioni mbetet jo thjeshtë një sfidë por kërcënuesi kryesor i çdo procesi prosperues të vendit tonë, i kualitetit të jetës së qytetarëve tanë, ndjenjës së tyre të sigurisë por edhe aspiratës sonë për integrim në BE.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar shumë dhe është bërë punë e madhe në këtë drejtim.
Ne kemi filluar luftën kundër korrupsionit me nxjerrjen e legjislacionit më të ashpër kundër tij jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
Përmes bashkëpunimit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Punëve të Brendshme, dhe institucioneve të tjera partnere në sundimin e ligjit- gjyqësorit e prokurorive, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur që të sjellë një reformë të thuktë në kornizën ligjore në luftën kundër korrupsionit.
Me politikat që ka vendosur Qeveria, Kodi i ri Penal dhe ai i Procedurës Penale kanë sjellë mjetet që Prokurorët dhe Gjyqtarët tanë nuk i kanë pasur kurrë më parë, për t’i mbështetur ata në punën e tyre drejt luftimit të korrupsionit.
Duhet rikujtuar këtu sot që me Kodin e ri Penal janë ashpërsuar dënimet për veprat penale të korrupsionit.
Gjithashtu, Qeveria ka synuar që përmes këtyre ligjeve të reja të mënjanojë të gjitha ato forma të abuzimit të zbrazëtive ligjore që janë përdorë në të kaluarën për t’i ikur drejtësisë.
Prandaj, me mjetet që kemi miratuar gjatë këtij viti e të cilat fillojnë aplikimin e tyre nga janari i vitit të ardhshëm, janë adresuar të gjitha shqetësimet praktike që kanë munguar deri më sot.
Ne kemi përkrahur mendimin se praktikat jo të mira do të ndryshohen me adoptimin e politikave të cilat imponojnë të kundërtën.
Prandaj, kemi filluar me krijimin e mekanizmave si Agjencia Kundër Korrupsionit, e më pas me Prokurorinë Speciale dhe Task forcën Kundër Korrupsionit.
Ndërkohë, kemi punuar shumë për t’i fuqizuar sa më shumë këto institucione, duke i pavarësuar ato dhe duke i përkrahur sa më shumë, në mënyrë që të mos ndalojnë asnjëherë punën e tyre për çfarëdo arsye apo ndikimi nga jashtë.
Kur flas për fuqizim, dua të kujtoj njërin nga shembujt më të fundit, i cili do t’i ndihmojë shumë Agjencisë Kundër Korrupsionit: ndonëse janë detyruar të gjithë zyrtarët e lartë që të deklarojnë pasurinë, qytetarët e Kosovës kanë pasur shqetësime se ky deklarim nuk ka qenë i sinqertë.
Prandaj, me aktivizimin tonë, kemi sjellë dispozita në Kodin Penal, të cilat jo vetëm që dënojnë ashpër deklarimin e rrejshëm apo mos-deklarimin e pasurisë, por që gjithashtu i mundëson zbatuesve të ligjit që të konfiskojnë gjithë atë pasuri.
Ndonëse ky është një standard tejet i lartë që ne vetë e kemi vendosur, jam i bindur që do të dëshmojë edhe një herë seriozitetin me të cilin ne synojmë të luftojmë korrupsionin, në çdo cep te vendit tonë, në të gjitha nivelet.
Zonja dhe zotërinj,
Unë jam i vetëdijshëm që rezultatet që i duam, ende nuk i kemi, por, janë rezultatet të prekshme që kemi arritur bashkërisht.
Por, ajo për të cilën jam i sigurt si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është se kjo luftë ka filluar dhe po vazhdon e nuk do të ndalet.
Përveç ligjeve, kemi përkrahur edhe gjyqtarët dhe prokurorët tanë në çfarëdo kërkese që ata e kanë pasur gjatë tërë këtyre viteve.
Kosova sot është njëri nga partnerët më kryesor, më të devotshëm dhe më besnik në rajon e Evropë, e cila bashkëpunon pa kusht për luftimin e krimit të organizuar e ndërkufitar.
Duke përshëndetur edhe një herë nismën tuaj, e nderuara Presidente, për krijimin dhe funksionalizimin e këtij Këshilli me qëllim bashkërendimit të mekanizmave të gjithanshëm për të luftuar korrupsionin, unë shpresoj që ky Këshill do të vazhdojë punën e tij me akoma më tepër suksese gjatë vitit që po vjen.
Kosova ka shënuar rezultate të prekshme në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kundër dukurive tjera negative dhe ky sukses duhet të mirëpritet dhe duartrokitur nga të gjithë, duke mos qene asnjëherë i kënaqur, por duke kërkuar që të bëhet edhe më tepër, më mirë dhe më shpejt.
Gjithashtu, uroj që të gjithë këta pjesëmarrës, të cilët jemi këtu, do të sjellin vazhdimisht lajme të mira për shumë suksese të arritura në luftën e përditshme kundër korrupsionit.
Gjithashtu dëshiroj të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë gjithnjë përkrahëse e çfarëdo nisme në këtë drejtim dhe do të jetë si gjithnjë shtytësi kryesor i politikave aktive për të çuar drejt eliminimit të të gjitha formave të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ju faleminderit!
