Prishtinë, 15 nëntor 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka votuar sot rreth orës 9, në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, znj. Lumnije Thaçi.
Pasi ka votuar, Kryeministri Thaçi në një deklaratë për media ka thënë se kjo është ditë e shënuar, dita më e rëndësishme për shtetin tonë, për gjithë qytetarët tone, pas shpalljes së pavarësisë.
“Kjo është ditë historike, dita e votimit të parë të qytetarëve të Kosovës, në shtetin e pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik”, pohoi z. Thaçi, duke shtuar se të gjithë kemi sakrifikuar shumë për këtë ditë. Prandaj është një ngjarje historike, dhe unë dua të besoj fuqishëm se të gjithë do të bëhemi pjesë e kësaj historie të re të shtetndërtimit, të ndërtimit të demokracisë së re, të një shoqërie moderne dhe shumetnike.
“Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Përgëzoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje, të gjitha komunitetet. Ne sot po dëshmojmë se vendi ynë e ka merituar pavarësinë, se qytetarët tanë e kanë merituar pavarësinë, rendin demokratik dhe perspektivën evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Më tutje kryeministri Hashim Thaçi pohoi se nga sot ne po fillojmë një etapë të re, etapën e integrimeve të shteti të Kosovës në familjen evropiane.
Kryeministri Thaçi edhe një herë ka falënderuar të gjitha partitë politike dhe të gjithë qytetarët për fushatën e qetë e demokratike.
“Sot Kosova ka fesë shtetërore, ka festë gjithë qytetare. Kosova do të ketë sukses.
Pra është dita e votimit por është edhe dita e festës. Urime dhe suksese”, tha kryeministri Thaçi në ditën e votimeve për pushtetin lokal.
