Prishtinë, 24 nëntor 2009
Kryeministri Thaçi falënderoi z. Rohan për kontributin e tij të madh për Kosovën, për paqen, stabilitetin, për dokumentin bazë për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik.
“Ne kemi punuar gjatë për këtë periudhë të Kosovës së lirë, të Kosovës së pavarur, me perspektivë të sigurt evropiane. Roli i z. Rohan ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe në periudhën para luftës, edhe gjatë saj, ku kemi zhvilluar takime, kemi biseduar, i kemi besuar këtij procesi për të ardhur këtu ku jemi, e në veçanti në procesin negociator për statusin politik të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.
Po ashtu Kryeministri vlerësoi rolin e z. Rohan në periudhën para luftës edhe gjatë saj duke thënë se ne kemi besuar këtij procesi për të ardhur këtu ku jemi, e në veçanti në procesin negociator për statusin politik të Kosovës.
“Sot jemi në një situatë krejt të re, në një situatë të zhvillimit ekonomik, të perspektivës së sigurt evropiane. Vizioni i Republikës së Kosovës, i politikës së saj, i vullnetit të qytetarëve, është për tu integruar në NATO dhe Bashkim Evropian dhe në këtë drejtim jemi duke punuar maksimalisht”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkaq, ish-zëvendës kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Ambasadorin Albert Rohan, pasi falënderoi kryeministrin Thaçi për ftesën që ta vizitojë Kosovën, uroi gjithë qytetarët e Kosovës për punën që kanë bërë deri tani.
“Jam i bindur se Kosova do të jetë anëtare e Unionit Evropian sa më shpejt që t’i ketë plotësuar kushtet e nevojshme, ashtu si edhe çdo vend tjetër”, theksoi Albert Rohan.
