Prishtinë, 25.10.2012
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, pas takimit me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague
Mirëmëngjes të gjithëve,
Edhe njëherë, në emrin tim personal, në emër të Qeverisë së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, i dëshiroj mirëseardhje sekretarit Hague. Kjo është vizita e parë e z.Hague në Republikën e Kosovës. Roli dhe kontributi i sekretarit Hague është i një kohe të gjatë për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, është një rol mbështetës dhe historik i tij, por edhe i Mbretërisë së Bashkuar për pavarësinë e Kosovës, dhe perspektivën euro-atlantike.
Prandaj, edhe njëherë faleminderit për rolin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.
Është një kënaqësi e veçantë. Ne ndamë opinionet për zhvillimet në Kosovë, për rajonin. Falënderoj shumë për mbështetje sekretarin. E informova për zhvillimet në Kosovë, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, për zhvillimin ekonomik, për progresin që po arrin, për ballafaqimet dhe sfidat që i kemi, për reformat demokratike që po i bëjmë, reforma këto qoftë në legjislacion, në ekonomi apo në sfera tjera, për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, për angazhimet e përbashkëta që kemi me gjithë komunitetin ndërkombëtar, roli i Britanisë së Madhe është jetik edhe me prezencën në KFOR, edhe në EULEX, edhe në të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë në Republikën e Kosovës.
Raportet mes shtetit të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar janë raporte të shkëlqyera dhe në të gjitha rrafshet.
Gjithashtu, diskutuam edhe për kapitullin e ri që është hapur pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, një kapitull ky i përmbullyr suksesshëm falë punës që e kemi bërë në Kosovë dhe mbështetjes së plotë ndërkombëtare. Roli i Britanisë së Bashkuar ka qenë krucial në këtë drejtim, dhe ne jemi shumë mirënjohës.
Diskutuam edhe për procesin e fundit, që me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke respektuar vlerat dhe vizionin evropian që e kemi, për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
E informova sekretarin për takimin në mes meje, si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë Daçiq, për një takim korrekt, një takim i frymës evropiane, për të ngadhënjyer vlera dhe vizioni evropian, edhe në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Kosova është gati për të vazhduar këtë proces, është ndërtuar një konsensus i gjerë politik në Kosovë, shumëpartiak dhe gjithë etnik.
Është jashtëzakonisht me rëndësi për ne që edhe gjithë bota demokratike, BE është unike dhe mbështetëse për iniciativat e baroneshës Ashton. Është mbështetje e fuqishme edhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës .
Kjo është siguri dhe besim për neve si institucione të Republikës së Kosovës, për qytetarët e Republikës së Kosovës. prandaj, unë dua të besoj se kapitulli i konflikteve dhe problemeve të mëhershme edhe në rajonin tonë gradualisht po përmbyllet, dhe po hapet kapitulli i bashkëpunimit, i paqes, i stabilitetit, i frymës euro-atlantike. Dhe, Kosova do të integrohet në të ardhmen e afërt edhe në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë është në interesin e gjithë rajonit , jo vetëm të dy shteteve tona dhe të dy popujve tanë, por edhe në interesin e investimeve të Bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe rajon.
Jam optimist se me këtë frymë do ta evropianizojmë gjithë rajonin.
Faleminderit shumë i nderuari sekretar.
Fjala e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, në konferencën për media, pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi
Jam i kënaqur që jam këtu, në Prishtinë. Kjo është vizita ime e parë në vendin tuaj, siç e dini, por Mbretëria e Bashkuar është njëra nga mbështetësit më të fuqishëm të Ksoovës gjithkund në botë.
Vij këtu i vetëdijshëm për miqësinë e fuqishmë që është mes dy vendeve tona. Sapo kam pasur një takim me kryeministrin, kam pasur diskutim të mirë me presidenten mbrëmjen e kaluar.
E mirëpres faktin që me 10 tetor BE i dha Kosovës një angazhim të qartë, negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Ky është momenti i parë historik në udhëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përveç që jemi besnik i mikut tonë, Kosovës, Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse lider për zgjerimin e Bashkimit Evropian, për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor.
Jam i kënaqur që po diskutojmë të ardhmen evropiane të Kosovës. Kosova ka bërë përparime të dukshme në katër vitet e gjysmë që nga pavarësia e vendit. E përgëzoj kryeministrin dhe kabinetin e tij edhe njëherë, që arriti të përmbush kushtet për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë.
Siç e kam diskutuar me të dhe kolegët e tij, një kapitull i ri tash është hapur, në marrëdhëniet Kosovë-BE.
Kjo është një hap shumë pozitiv për Kosovën, por tash Kosova duhet të bëjë progres në kushtet e njëjta dhe të trajtohet njësoj si edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo duhet të shihet si një lajm i mirë.
Progresi drejt anëtarësimit në BE do të jetë përfitues për të gjithë qytetarët e këtij vendi, por kërkon punë të madhe dhe reforma fundamentale, në fusha si ekonomia, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, reformat energjetike, administratë publike.
Jam i kënaqur që kemi diskutuar disa nga planet për këto reforma në takimet që kemi pasur, dhe e mirëpres përkushtimin e Qeverisë për procesin e këtyre reformave.
Rruga drejt anëtarësimit në BE është shpërblyese, por jo domosdoshmërisht është e shpejtë apo e lehtë. Kërkohet shumë punë sigurisht, por Kosova mund të llogaris në mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, derisa çon përpara punën në përmirësimin e këtyre fushave kyçe, posaçërisht në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e minoriteteve.
Natyrisht, që gjatë takimeve të mbrëmshme dhe sot në mëngjes, e kam theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial për të dy vendet, në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.
E mbështes fuqishëm takimin që është mbajtur javën e kaluar, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton. Kryeministri dhe unë kemi pasur një diskutim të mirë për këtë takim.
E rëndësishme është që të bëhet progres, që të bëhet progres i qëndrueshëm, që çdo ditë të merret ashtu si është, dhe të vazhdojmë përpara.
Është e rëndësishme që të bëhet progres çdo ditë, dhe unë e kryeministri e kemi diskutuar këtë gjë. Në fazën e parë, baronesha Ashton do të identifikoj fushat e veçanta që kanë nevojë për vëmendje nga të dyja palët, dhe ata duhet ta bëjnë këtë gjë.
Gjithmonë kemi qenë të qartë me Serbinë se çfarë kërkohet në çdo fazë. Kemi qenë të qartë edhe për kushtet që Serbia të jetë kandidat për anëtarësim në BE. Personalisht kam qenë në Beograd bashkë me kolegun tim gjerman, dhe kam thënë se harta ka përfunduar në Evropën Juglindore. Nëse dëshironi të jeni kandidat për anëtarësim në BE, duhet t’i përgjigjen ftesës për dialog me Kosovën.
Ajo që duam është që të shohim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, të ulur në të njëjtën tavolinë. Në këtë tavolinë në Bruksel, duke e trajtuar njëri-tjetrin si partnerë të barabartë dhe me marrëdhënie të mira bilaterale mes tyre.
Me respekt!
