Prishtinë, 5 korrik 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në takimin e radhës të Komitetit Drejtues per Liberalizimin e Vizave. Në hapje të takimit, kryeministri Thaçi, i është drejtuar me një fjalë rasti këtij komiteti.
Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se procesi i liberalizimit të vizave vazhdon të mbetet një nga prioritetet kryesore për qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Në vazhdim, po e prezantojmë fjalën e Kryeministrit Thaçi në këtë takim:
Siç kemi thënë edhe në takimet e kaluara, procesi i liberalizmit të vizave vazhdon mbetet një nga prioritetet kyçe të cilën e mbartni edhe ju dhe stafi juaj në ministri dhe në agjencitë të ndryshme. Për këtë arsye më lejoni t’ju përgëzoj për angazhimin tuaj dhe të stafit profesional, të cilët janë duke treguar angazhim të veçantë në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Sidoqoftë para nesh kemi ende punë për të bërë dhe angazhimi i të gjithëve duhet të jetë në rritje e sipër. Ne ende nuk jemi në atë pikë ku dëshirojmë të jemi. Liberalizimi ende nuk ka ndodhur dhe ne nuk mund ti lejojmë vetes ndonjë situatë të lodhjes apo relaksimit. Pra, tash më shumë se kurrë duhet intensifikuar përpjekjet tona edhe më shumë.
Përndryshe, sot jemi mbledhur për të diskutuar pakon ligjore të procesit të liberalizimit të vizave, kështu që pres të dëgjoj që komentet e Brukselit në draft ligjet për liberalizim të vizave, keni arritur t’i inkorporoni, pres që të më informoni që i keni inkorporuar të gjitha këto komente në nivel të kënaqshëm, pres të dëgjoj që këtë e keni bërë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare e posaçërisht me institucionet e BE-së, si Zyrën ndërlidhëse të BE-së dhe EULEX-in.
Pres nga ju të finalizoni të gjitha aktet ligjore, nënligjore dhe strategjitë e nevojshme, të përmbyllim këtë pako legjislative, derisa njëkohësisht kërkojë nga ju të angazhoni stafin tuaj në zbatimin e shpejtë dhe të pa kompromis të kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe adresimin e plotë të rekomandimeve të Brukselit.
Ne e kemi deklaruar këtë vit si vit i liberalizimit të vizave, kështu që kërkoj nga të gjithë angazhimin maksimal në kryerjen e detyrave të shtëpisë, përderisa vendimin final e marrin institucionet e BE-së, por mos lejoni që të arsyetohen që moszbatimi i mjaftueshëm i kritereve e ka bërë të pamundur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Të nderuar,
Siç edhe kam thënë takimet e më hershme të këtij forumi, shtete e rajonit udhëtojnë pa viza në BE më shumë se 4 vite, për këtë arsye insistoj dhe kërkoj përkushtim maksimal, angazhoni stafin tuaj maksimalisht në të mirë të këtij proces, ndani resurset e nevojshme, sigurohuni që intensiteti të jetë në ngritje e jo në rënie.
Ju, Ministra të nderuar, duheni të kërkoni llogari në baza javore nga stafi juaj për zbatimin e këtyre kritereve, keni përvojën dhe ekspertizën e duhur, nuk ka asgjë të panjohur tani më në këtë proces, apo që nuk mund të realizohet nga ju dhe stafi juaj.
Unë ju ftoj të gjithëve edhe njëherë që të mos ndaloni për asnjë minut. E di që është periudhë e verës, periudhë e pushimeve, por ju ftoj të gjithëve që të angazhohemi maksimalisht.
E nderuara Ministre Çitaku, edhe juve dhe stafit tuaj ju falënderoj për angazhimin në këtë proces, duke iu kërkuar të gjithëve një angazhim maksimal, të rritur edhe në këtë periudhë kohore që ka mbetur.
Pra, ne do të shikojmë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit edhe ndërinstitucional, për realizimin plotë të të gjitha këtyre kritereve të nevojshme, në mënyrë që edhe këta dy-tre muaj të jenë jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe të gjitha obligimet që dalin nga takim, të implementohen deri në takimin e radhës.
