Kryeministri Thaçi: Ka fituar opsioni i paqes, stabilitetit dhe integrimit


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 20 prill 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot një konferencë për media, një ditë pasi në Bruksel është nënshkruar marrëveshja e përafruar mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi në konferencë

Të nderuar përfaqësues të mediave
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës

Dje Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë dhe rajoni hapën një kapitull të ri, kapitullin e bashkëpunimit.

Dje me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova dhe Serbia u përcaktuan për evropianizimin e rajonit. Kosova ka fituar, Serbia ka fituar dhe rajoni mbi të gjitha ka fituar, ka fituar Bashkimi Evropian, kanë fituar vlera euro-atlantike. Ka fituar opsioni i paqes, stabilitetit dhe integrimit.

Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë.

Do të shkrijmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në çdo cep  të territorit të Republikës së Kosovës, do të normalizojmë gjendjen në veri të vendit, dhe do të çimentojmë të ardhmen tonë evropiane.

Normalisht se nuk ka qenë proces i lehtë, normalisht se ka pasur momente të vështira, por e rëndësishme është që kemi arritur të shtyjmë përpara interesat e qytetarëve dhe vendit tonë.

Marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet tona. Policia dhe gjyqësia do të funksionojnë me ligjet e Kosovës dhe do të ruhet karakteri unitar i shtetit tonë.

Asociacioni i komunave do të funksionoj me ligjet e Kosovës, dhe do të ketë po ato struktura që ka edhe asociacioni aktual tjetër i Kosovës, pa karakter ekzekutiv apo legjislativ apo të pushtetit të tretë.

Strukturat paralele do të shpërbëhen dhe zgjedhjet lokale do të organizohen në pjesën e dytë të këtij viti, me lehtësimin e OSBE-së dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Tani ne duhet të përqendrohemi në implementimin e marrëveshjes.

Kemi marrë edhe dje garanci nga NATO që edhe ata do të jenë partner në implementimin e plotë të marrëveshjes.

Do të doja poashtu t’iu drejtohem me një mesazh qytetarëve tanë edhe në veri të Kosovës.

Kjo marrëveshje është lajm i mirë për ju dhe për ne. Kjo marrëveshje hap perspektivë për qytetarët që të kthehen në pronat e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë pa frikë.

I ftoj që të mos bien pre e atyre që tash e 14 vite e kanë mbajtur peng gjendjen në veri, e kanë mbajtur peng jetën tuaj, jo për të quar përpara agjendën politike të vendit, por thjesht për përfitime të ngushta politike, materiale dhe personale.

Prandaj, i ftoj që të mos i frikësohen marrëveshjes, mos t’i frikësohen institucioneve të Kosovës.

Me shtrirjen e rendit dhe ligjit do të kenë mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik

Të nderuar të pranishëm
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës

Kosova përfundimisht me marrëveshjen e djeshme po hyn në epokën e normalitetit. Tani si institucione e shoqëri, duhet të kanalizojmë të gjitha përpjekjet dhe energjitë tona në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmbushjen e reformave demokratike.

Rruga drejt BE-së do të jetë e gjatë dhe do të  kërkoj transformime rrënjësore. Tani e tutje, ky do të jetë prioriteti ynë kryesor.

Ju faleminderit edhe njëherë. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors