Kryeministri Thaçi: Investitorët kanë të drejtën për fitime, por duhet t’i mbrojmë edhe interesat e qytetarëve të Kosovës – të sigurojmë që çmimet e energjisë të jenë të pranueshme


Image

Prishtinë, 28 qershor 2010

Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin e Nivelit të Lartë për Privatizimin e Distribuimit dhe Furnizimit në KEK

I nderuar ambasador Dell,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë forum të lartë të Privatizimit dhe Distribuimit dhe Furnizimit në KEK

Është kënaqësi e veçantë që jam këtu për të hapur forumin e nivelit të lartë për privatizimin e divizioneve të distribuimit dhe furnizimit të KEK-ut.

Do të dëshiroja fillimisht të falënderoja veçanërisht Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara-USAID, dhe Asociacionin Kombëtar të Komisionerëve të Zyrave të Rregullatorëve nga SHBA për organizimin dhe sponzorimin e kësaj konference.

Objektivat kyçe të cilat do t’i arrijmë përmes këtij privatizimi janë:

1. Ngritja e sigurisë si furnizim me energji elektrike në Kosovë, përmes përmirësimit të inkasimit dhe eliminimit të humbjeve, në mënyrë që të krijohen  mundësitë për të financuar kapacitete të reja të domosdoshme gjeneruese.

2. Shërbime të përmirësuara dhe qëndrueshmëri në furnizim me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

3. Eliminimin e subvencioneve në sektorin e energjisë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe nga donatorët, në mënyrë që të fokusohemi në prioritete tjera të rëndësishme sociale.

4. Krijimi i një klime të favorshme për investitorë potencial, jo vetëm në sektorin e energjisë, për të stimuluar krijimin e vendeve të reja të punës në të ardhmen.

Për të arritur këto objektiva të rëndësishme, Qeveria e Kosovës me aprovimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka iniciuar dhe autorizuar themelimin e Komitetit Ndërministror për Privatizim të Distribuimit dhe Furnizimit të KEK-ut, mandat i qartë i së cilës është të mbikëqyr kryerjen me sukses të transaksionit të privatizimit të distribuimit dhe furnizimit, dhe ky privatizim pritet  të rezultojë me:

 Rritjen e të ardhurave nga ngritja e nivelit të inkasimit dhe eliminimit të humbjeve komerciale
 Realizimin e investimeve afatgjata të nevojshme për të zvogëluar humbjet teknike, dhe
 Krijimin e një shtegu të balancuar për ngritjen e tarifave që do të sigurojë kthimin e kostos dhe një fitim të arsyeshëm për investitorët, duke mbrojtur në të njëjtën kohë konsumatorët me të ardhura të ulëta.

Një lidership i vendosur për këtë proces është i domosdoshëm dhe populli i Kosovës e ka vëmendjen te Qeveria për t’u siguruar që ky transaksion do të sjellë përfitimet e cekura më lartë.

Detyrimet e vazhdueshme në sektorin e energjisë, të mbuluara nga Qeveria, si dhe ngarkesat e mëdha për Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës, janë kundër interesave të vendit.

Asnjëra nga këto nuk janë të qëndrueshme dhe nuk mund të justifikohen më tutje.

Koha është shumë e rëndësishme dhe unë ju inkurajoj të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdoni përpara me një përkushtim të theksuar për ardhmërinë e Kosovës dhe fuqimisht të përkrahni procesin e privatizimit.

Sikur të gjitha transaksionet e natyrës së tillë, posaçërisht në ekonomitë në zhvillim, janë të shumta pengesat dhe natyrisht janë edhe serioze.

Pa marrë parasysh se a ballafaqohemi me çështje dhe sfida  politike, fizike, kontraktuese, fiskale apo ligjore, të gjitha pengesat për të shkuar përpara me këtë transaksion duhet të adresohen, tejkalohen me sinqeritet dhe ndershmëri e vendosmëri, si dhe me përkushtim për një zgjidhje sa më të mirë.

Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë dilemë.

Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se investitorët kanë të drejtën për fitime prej investimeve të bëra, mirëpo duhet t’i mbrojmë edhe interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të sigurojmë që çmimet e energjisë të jenë gjithmonë të pranueshme.

Megjithatë, duhet të ketë një balancë ndërmjet këtyre interesave të rëndësishëm dhe ne presim që nën mbikëqyrjen tonë, këshilltari i Transaksionit të sigurojë që ky balancë të arrihet.
 
Të gjithë ju prezent, të nderuar, ambasadorë, ministra, zyrtarë të lartë, partnerë, donatorë, konsulentë dhe të tjerë të pranishëm, luani një rol kritik në suksesin e kësaj iniciative.

Andaj, kërkoj përkushtimin tuaj të vazhdueshëm në kryerjen me kohë dhe në mënyrë transparente të këtij procesi vërtet të rëndësishëm.

Po i drejtohem tani edhe këshilltarit të Transaksionit dhe kërkoj përkushtimin tuaj që ta kemi procesin e transaksionit të nivelit më të lartë  dhe më të mirë për Kosovën, duke punuar ngushtë me Qeverinë dhe këshilltarët tanë dhe duke përmbushur obligimet tuaja ndaj nesh në frymën e objektivave të përbashkëta, të cilat edhe tejkalojnë marrëveshjet kontraktuese.

Për Njësinë për Implementimin e Projektit, kërkoj nga ju përkushtim të plotë ndaj projektit, dedikim ndaj kësaj çështjeje dhe zell në punën tuaj, deri sa të kryhet me sukses transaksioni.

Për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ne e vlerësojmë shumë lartë pavarësinë e këtij institucioni si rregullator i tregut të energjisë. 

Me qëllim që të përfundohen këto transaksione, dhe të tjera në të ardhëm, kërkoj nga ju që të vazhdoni të kontribuoni në këto procese dhe të siguroheni që të krijohet një sistem tarifor që lejon rikuperimin e kostove në mënyrë që investitorët të shohin këtë privatizim si një mundësi e arsyeshme për investim.

Tani më Kosova ka dëshmuar mundësi të mira për investime, ka pasur sukses të plotë në procesin e fillimit të ndërtimit të autostradës, pastaj përmbylljen me sukses të koncesionimit të Aeroportit  Ndërkombëtar të Prishtinës, prandaj, ju, donatorë të pranishëm sot këtu, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj, sepse Kosova është vend duke u zhvilluar dhe ka mungesë të madhe të kapaciteteve të gjenerimit të energjisë, të cilat duhet t’i tejkalojmë.

Përfundimi i suksesshëm i projektit Kosova e Re dhe privatizimit të Distrubuimit dhe Furnizimit, me kosto sa më të ulët për popullin e Kosovës, është esenciale për të arritur qëllimin tonë të integrimit evropian. 

Populli i Kosovës, Qeveria e saj, pret shumë nga të gjithë ne dhe unë personalisht kam pritje të mëdha nga secili prej jush, prezent sot këtu.

Qeveria e Kosovës është e vendosur në këtë drejtim, presim partneritet të ngushtë dhe kam besim të plotë në suksesin që do të arrijmë.

Natyrisht do të kemi sfida, por kemi edhe mundësi të mëdha, tani është koha.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors