Kryeministri Thaçi: Ftoj të gjithë për durim, mirëkuptim dhe besim në institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 23 korrik 2014

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi, zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt në të cilën mori vendime në kuadër të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në hyrje të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi theksoi:

“Pas zgjedhjeve të 8 qershorit, procesi implementues i rezultatit është duke shkuar në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Tani që kemi edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, pas kërkesës së presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga, kemi pasur veprime të cilat gjithashtu janë duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Mendoj se është një proces normal, një proces transparent, i përgjegjshëm, në suazat e zhvillimit të demokracisë, e në të njëjtën kohë ftoj të gjithë për durim, mirëkuptim dhe besim në institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës.

Të gjithëve na mbetet të punojmë me përkushtimin më të madh dhe përgjegjësinë më të lartë për implementimin e plotë të rezultatit të 8 qershorit, zgjedhje këto që kanë qenë mirë të organizuara, të standardit të lartë, transparente, për herë të parë të organizuara në gjithë territorin e Republikës së Kosovës” tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Vendimi i parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte ndarja e mjete financiare në shumën prej 960, 250.00€, për kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndarja e këtyre mjeteve financiare bëhet për t’ju dalë në ndihmë në rregullimin e protezave dhe shërimin për invalidët e luftës, dhe rehabilitimin e anëtarëve të Shoqatës së Invalidëve të luftës të UÇK-së, Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Raporti Vjetor 2013, i Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar. Ky Raport përveç plotësimit të obligimit ligjor, ka për qëllim, ta vë në dijeni shfrytëzuesin, publikun e gjerë dhe institucionet e vendit, për të arriturat dhe sfidat e Sistemit Statistikor të Kosovës, gjatë vitit 2013.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar Raportin gjithëpërfshirës mbi zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për  Reformën e Administratës Publike për vitin 2010 – 2013j. Me këtë vendim është përcaktuar funksionimi institucional i strukturave përgjegjëse për të siguruar, koordinuar dhe monitoruar zbatimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike dhe Planit të Veprimit.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme mori vendim për vazhdimin e mandatit trevjeçar për 9 sekretarët e përgjithshëm të ministrive, dhe 5 pozita që janë të barasvlershme  me këtë pozitë. Kontrata i është vazhduar Sekretarëve të Përgjithshëm:

1.    Arben ÇITAKU (MMPH)
2.    Xhavit DAKAJ, (MASHT);
3.    Shkelzen SYLAJ, (MFSK);
4.    Veton FIRZI, (MKRS);
5.    Eljana NAKA,  (MTI);
6.    Naim BAFTIU, (MF);
7.    Nazmi ZENELAJ, (MZHE);
8.    Fitim SADIKU, (MAP);
9.    Kapllan HALIMI, (MBPZHR);

Po ashtu kontratat për tri vite i janë vazhduar edhe:

1. Valdet Gjinovcit, Kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, 
2. Valdrin Llukës, Kryeshef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve/MTI;
3. Basri Ibrahimit, Kryeinspektor në Inspektoratin e Punës/MPMS;
4. Hafiz Garës, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Standardizim/MTI; dhe
5. Ramë  Manajt, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Kabineti qeveritar poashtu ka marrë vendim për të hapur konkursin për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.

Në mbledhjen e sotme, është ndarë shuma prej 1 milion euro për fëmijët e prekur nga leukemia dhe sëmundje të ngjashme, me qëllim të mbulimit të kostos së shërimit të tyre.
 
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili ka njoftuar kabinetin për krijimin e grupeve punuese nga kjo ministri, pas avarisë së ndodhur në termocentralin Kosova A, meqenëse parashihet mungesë e energjisë elektrike gjatë dimrit.

“Deri në javën e ardhshme sigurisht që do të vijmë me një skenar të mundshëm, dhe do t’i propozohet Qeverisë se çfarë mund të bëjmë nga secili segment për ta zbutur këtë mungesë të energjisë elektrike” ka pohuar ministri Ismaili.  

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors