Prishtinë, 2 qershor 2010
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e Kryeministrit Thaçi:
Pata një takim me shefin e Agjencisë Kundër Korrupsion, z.Preteni, të cilin e falënderoj për punën, vullnetin dhe guximin e tij në angazhimet jashtëzakonisht të rëndësishme.
Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht kemi mbështetur plotësisht, me të gjitha kapacitetet e nevojshme, por edhe në realizimin e të gjitha kërkesave, të cilat i ka pasur Agjencioni Anti-Korrupsion dhe vetë z.Preteni, për të krijuar kushte më të mira për punë dhe arritur efektivitetin në punë.
Prandaj, përgëzoj z.Preteni për punën e tij, për efikasitetin e Agjencisë, e cila ka ngritur kapacitetet, por edhe besimin tek institucionet dhe qytetarët, mbështetje të plotë për Agjencisë në aspektin ligjor, me ligje përkatëse dhe plotësime nëse ka nevojë, me implementimin e Strategjisë Anti-Korrupsion, me fuqizimin e rolit të Agjencisë dhe përkrahje e mbështetje të të punësuarve në agjenci, si dhe mbrojtje adekuate.
Agjencioni Anti-Korrupsion është ndër shtyllat kryesore në luftimin e korrupsionit në vendin tonë dhe ftoj edhe organet e hetuesisë dhe të drejtësisë që të koordinohen dhe ndihmojnë njëra-tjetrën në luftimin e kësaj dukurie.
Në të njëjtën kohë, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për mbështetje dhe bashkëpunim.
Republika e Kosovës ka ndërtuar kapacitetet e duhura profesionale, institucionale dhe ligjore, ka vullnetin e shprehur politik, guximin të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, natyrisht me ndihmën dhe mbikëqyrjen, por edhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Është detyrë dhe obligim yni, por edhe vullnet, që të luftojmë të gjitha dukuritë negative kudo që paraqiten.
Agjencia dhe institucionet tjera e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë mbështetjen e plotë të Qeverisë, timin personal. Besoj fuqishëm edhe tek qytetarët në kryerjen e detyrës së tyre kushtetuese dhe ligjore.
Gjithashtu dëshiroj të theksoj dhe përgëzoj edhe z.Pretenei në rastin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve dhe publikimin e këtij fakti.
Republika e Kosovës, zyrtarët e saj janë rekord në rajon për deklarimin e pasurisë së tyre, që është deklarimi me përqindje më i miri prej të gjitha vendeve të rajonit.
Pra, ne do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Agjencinë Anti-Korrupsion dhe do të vazhdojmë si Qeveri në angazhimet tona të gjithanshme për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar që nga periudha e qershorit të vitit ’99 deri sot e tutje dhe, edhe nga takimet që kam zhvilluar me kryeprokurorin z.Kabashi edhe me shefin e Policisë dhe autoritetet tjera përkatëse në luftë ndaj këtyre dukurive, për sundimin e ligjit, është një vendosmëri, rritje të efikasitetit, është një guxim I munguar deri më tani për të korrur sukses në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht do të vazhdojmë të jemi udhëheqës në këtë betejë kundër të keqes, por me bindje dhe siguri të plotë për të korrur sukses për të ndërtuar vend demokratik, standarde demokratike, sundim të ligjit dhe me perspektivë të sigurt euro-atlantike.
Në vazhdim po e japim gjithashtu të plotë deklaratën e Drejtorit të AKK-së, Hasan Preteni:
Falënderoj për përsëritjen e përkrahjes për Agjencië dhe mua personalisht.
Dua t’ju siguroj juve, qytetarët e Kosovës, që momentalisht, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë dhe kemi pasur shumë sfida para nesh, shumë kërkesa prej institucionet qendrore, mund të them që Agjencia nuk e ka asnjë kërkesë të paplotësuar, as për Qeverinë as për Kuvendin.
Kemi tri ligje që në ekzekutivë e ngarkojnë Agjencinë, buxhetin sipas kërkesës, strategjinë dhe planin e veprimit 2009-2011.
Na është siguruar edhe një objekt për të vepruar, janë siguruar edhe pagat për shërbyesit civilë, një pjesë shtesë për motivim për punë më të suksesshme.
Ju siguroj ju z. Kryeministër dhe qytetarët e Kosovës që rezultatet e punës së Agjencisë do të jenë në proporcion të drejtpërdrejt me përkrahjen që do të marrim.
