Prishtinë, 31 gusht 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot vizitoi komunën e Vitisë dhe Gjilanit, me ç’ rast u takua edhe me autoritetet komunale dhe pa nga afër disa nga investimet infrastrukturore shkollore dhe asaj rrugore që po realizohen në këto dy komuna
Kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Basri Musmurati, ishte për një vizitë në komunën e Vitisë, me ç’ rast u prit nga kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, i cili e njoftoi nga afër me punën që po bëhet dhe me projektet që po realizohen në këtë komunë.
Gjatë vizitës në komunën e Vitisë, kryeministri Thaçi bëri përurimin e asfaltimit të rrugës, në fshatin Drobesh.
Pas përurimit të rrugës, kryeministri Thaçi u prononcua për medie:
“Unë e falënderoj shumë kryetarin, Nexhmedin Arifi, për punën e tij të mrekullueshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe me rregullimin e shumë kilometrave të rrugëve të reja në komunën e Vitisë, mbi 70 km rrugë te reja të asfaltuara, të investuara edhe nga Qeveria e Kosovës edhe nga qeveria komunale.
Falënderoj ekipin e tij që, gjithashtu kanë bërë një punë tepër të mirë, në ndërtimin e shkollave te reja, kanalizimeve, të ujësjellësve, të hapësirave të reja të gjelbërimit. Ndërsa, si Qeveri e Kosovës, jemi sot këtu që të inspektojmë, edhe punimet tjera por natyrisht edhe të inaugurojmë, këtë rrugë të re të këtij fshati të bukur.
Kam besim të plotë se kështu do të vazhdohet edhe në të ardhmen dhe jam jashtëzakonisht i inkurajuar edhe prej kryetarit të fshatit, për këtë punë të mirë që është bërë dhe përkrahjes që i bëhet nga ana e qytetarëve, këtyre projekteve të rëndësishme për qytetin e Vitisë.
Vitia ka ndryshuar në këto vite, ka ndryshuar për të mirë, natyrisht se do të fuqizohet edhe më tepër në të ardhmen, dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdoj të mbështesë edhe në të ardhmen fuqishëm, të gjitha projektet që mund të prezantohen sot, dhe në të ardhmen për të investuar edhe më tepër në Viti” theksoi kryeministri Thaçi.
*************************
Pas Vitisë, kryeministri Thaçi, vazhdoj vizitën e radhës në komunën e Gjilanit, ku nga afër u njoftua me disa nga projektet shkollore që janë në përmbyllje e sipër. Në vizitën e sotme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u prit nga kryetari i komunës Qemajl Mustafa dhe autoritetet komunale të Gjilanit, pastaj së bashku vizituan punimet që po realizohen në dy objektet shkollore, shkollës së mesme “Arbëria” dhe Qendrës Edukativo – Sociale “Don Bosko”.
Pas vizitës kryeministri Thaçi u prononcua për medie:
“Jemi në kuadër të inspektimit të përmbylljes së punimeve të objekteve të reja shkollore në Gjilan. Edhe ky objekt i ri i shkollës bujqësore në Gjilan, jashtëzakonisht i bukur, jashtëzakonisht modern, do të ketë efektin e vet të jashtëzakonshëm për Gjilanin, por edhe për rrethinën e kësaj treve duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin.
Dëshiroj ta falënderoj kryetarin për punën e tij të mrekullueshme që ka bërë në këtë drejtim për akomodimin e plotë, të nxënësve dhe mësimdhënësve nëpër objekte moderne.
Këto janë prej objekteve më të bukura dhe më moderne jo vetëm në Kosovë, por mund të them edhe në rajon. Prandaj, gradualisht po jepet pamja dhe kuptimi i Gjilanit të ri, i Gjilanit modern, i Gjilanit të zhvilluar, i Gjilanit Evropian.
Kjo, ka ndodhë falë një qeverisje të mirë, efektive dhe efikase të kryetarit Qemajl Mustafa dhe ekipit të tij. Kështu që, ndihem tepër mirë dhe krenar që këto të mira po ndihen prej secilës familje, secilit nxënës, prej secilit punëtor të arsimit.
Edukimi ka qenë një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës Kosovës dhe një nga prioritetet kryesore edhe të qeverisë komunale.
Do të vazhdojmë të investojmë në edukim edhe më tutje duke përfshirë, edhe kujdesin për mësimdhënësit dhe njohjen e stazhit të punës nga vitet 1990 deri 1999. Natyrisht, duke përfshirë edhe në buxhetin e Republikës së Kosovës, sepse ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm i mësimdhënësve në këtë periudhë të përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Prandaj, Qeveria e Kosovës është duke përcjellë dhe duke punuar maksimalisht që ai vendim të ndodhë sa më shpejt, duke përfshirë edhe mbulesa buxhetore të nevojshme dhe të domosdoshme, natyrisht duke krijuar edhe mundësitë, por jam optimist se kjo do të ndodhë.
Prandaj vetëm dëshiroj të uroj dhe përgëzoj, kryetarin Mustafa, për punën e tij dhe natyrisht dua të falënderoj edhe deputetët që janë këtu, kryetarin e PDK-së, dega në Gjilan, z. Zenun Pajaziti, deputetët Njazi Idrizi dhe Salie Mustafa dhe të gjithë të tjerët që janë këtu sot bashkërisht” theksoi kryeministri Thaçi në Gjilan.
Gjatë vizitës në komunën e Gjilanit, kryeministri Thaçi ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Basri Musmurati, nga kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, dhe deputetët e zonës, Zenun Pajaziti, Njazi Idrizi dhe Salie Mustafa.
