Prishtinë, 4 nëntor 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës në, Prishtinë, Kristofer Dell kanë qëndruar sot në familjen e Dushan Jorgiq, pjesëtar i komunitetit serb nga Lipjani. Kryeministri Thaçi dhe ambasadori Dell kanë biseduar me serbët lokal lidhur me situatën dhe gjendjen në këtë komunë posaçërisht për pozitën e minoriteteve. Z. Thaçi dhe z. Dell u kanë bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
Kryeministri Hashim Thaçi falënderoi familjen Jorgiq nga Lipjani për mikpritjen që i bënë atij dhe ambasadorit Dell.
“Janë këto angazhime të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Kosovës , autoriteteve lokale, Qeverisës së SHBA-ve dhe ambasadorit Dell , për fillimin e jetës së re në Kosovë, për ndërtimin e vendit demokratik, shumetnik dhe të tolerancës”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se është mjaft inkurajues edhe zotimi i familjes Jorgiq dhe i komunitetit serbë për pjesëmarrje edhe më të madhe në zgjedhjet lokale të nëntorit.
“Janë këtë zgjedhje shumë të rëndësishme për të ardhmen e çdo familje, për të ardhmen e vendit tonë. Prandaj participimi i të gjitha komuniteteve dhe atij serbë është jetik. Prandaj zotimi i familjes Jorgiq dhe i gjithë komunitetit serbë në përgjithësi është mjaft inkurajues për vendin tonë. Kosovën po e ndërtojmë bashkërisht , e ardhmja është e përbashkët dhe është e sigurt për të gjithë pa dallim”, pohoi z. Thaçi.
Më tutje kryeministri Thaçi tha se çdo kryetar i ri i komunës i dalë nga zgjedhjet lokale do të ketë obligim të ndërtojë rrugë të reja, shkolla të reja, ujësjellës, hapësira gjelbërimi. “Unë jam mjaft i inkurajuar për këtë klimë të mirë ndër fqinjësore, ku jetojnë serbët dhe shqiptarët”, pohoi z. Thaçi .
“Ne ishim këtu së bashku me ambasadorin Dell në familjet serbe dhe shqiptare dhe kjo është Kosova për të cilin kemi investuar . Kam shpresë dhe besim për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt edhe demokratike por edhe euro-atlantike për Republikën e Kosovën”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Dushan Jorgiq shprehu pakënaqësinë me jetën e vështirë, mungesën e punës dhe mirëqenies sociale, duke thënë se ai nuk frikësohet nga askush të jetojë në Kosovë.
Jorgiq ka kërkuar që ti ndihmohet në pajisje për bujqësi dhe në përmirësimin e kushteve të banimit.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja i kanë premtuar familjes Jorgiq se do ta ketë mbështetjen e Qeverisë qendrore dhe asaj lokale.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë , Kristofer Dell, ka falënderuar kryefamiljarin Dushan Jorgiq nga komuniteti serb për mikpritjen në shtëpinë e tij.
