Kryeministri Thaçi: Çelësi i vërtetë i rritjes dhe zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës, është sektori privat


Image

Prishtinë, 15 nëntor 2012

Në vazhdim po e japim fjalën e rastit të Kryeministrit Hashim Thaçi:

Të nderuar të pranishëm,

50 vite të Odës Ekonomike të Kosovës na tregojnë një histori të qëndrueshmërisë traditës , zhvillimit të ndërmarrjeve të kosovare  në periudha të rëndësishme historike që ishin bazë e krijimit të bazës materiale e shoqërore si dhe rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Në periudhën e pas luftës ekonomia e Republikës së Kosovës fillon pothuajse nga zero, sepse ishte shkatërruar rëndë.

Qeveria e Republikës së Kosovës krahas përkushtimit për realizimin e objektivave strategjike në rrafshin politik, është përkushtuar për realizimin e projekteve strategjike në rrafshin ekonomik. Andaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme me qëllim të fuqizimit të sektorit privat duke e konsideruar atë si motor të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Në rrafshin ekonomik, qeveria ka vendosur që me përkushtimin më të lartë që të krijojë kushtet për fuqizimit e sektorit privat.

Që nga viti 2009, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndryshuar politikën tatimore në favor të komunitetit të biznesit, duke përgjysmuar normën e tatimit në fitim, kemi zvogëluar barrën financiare ndaj biznesit.

Po ashtu, kemi filluar realizimin e projekteve kapitale me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore.

Siç edhe e dini, së shpejti ne do të përfundojmë rrugën 7 që lidh magjistralen Prishtinë-Pejë deri në Orllat për të vazhduar në drejtim të Aeroportit të Prishtinës deri në Besi, për të vazhduar në pranverë me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Por, qëllimi dhe vizioni ynë evropian bëri që të fitojmë mbështetjen e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Serbisë.

Siç e dini, jemi dakorduar, me financimin e BE-së që të fillojë ndërtimi i autostradës së re, që do të lidh shtetin e Kosovës me korridorin evropian, Prishtinë-Leskovc.

Falënderoj Komisionin Evropian që menjëherë pas kësaj marrëveshje ka konfirmuar mbështetjen financiare për fillimin e studimit të fizibilitetit.

Gjithashtu, ne kemi bërë investime të jashtëzakonshme përfshirë financimin infrastrukturor për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Qeveria këtë vit ka zotuar 10 milionë euro për transformimin e lidershipit me qëllim të përgatitjes së një gjenerate të liderëve të rinj kosovarë të profesioneve të ndryshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës është përkushtuar në reformën në sektorin e të bërit biznes, përmirësimit të infrastrukturës ligjore, si dhe kalimit nga ekonomia informale në atë formale.

Suksesi i kësaj pune është dëshmuar këtë vit me përmirësimin e pozitës së Republikës së Kosovës në Forumin e të Bërit Biznes.

Të nderuar të pranishëm,

Po ashtu, Republika e Kosovës është anëtarësuar në BB dhe FMN, por shumë shpejt do të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. Premtimet janë që ky anëtarësim të ndodhë në ditët e ardhshme.

Çelësi i vërtetë i rritjes dhe zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës, është sektori privat dhe jo Qeveria.

Qeveria do të krijojë rrethana lehtësuese për biznesin.

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar edhe Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

I nderuar kryetar Gërxhaliu,

Të nderuar të pranishëm,

Është jashtëzakonisht me rëndësi për ne që në 50 vjetorin e themelimit të OEK-ut, të shënojmë në një përvjetor jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe për Kosovën, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Prandaj edhe njëherë ju uroj suksese t më të mira, punë të mbarë dhe ju përgëzoj për sukseset që keni arritur.

Ju premtoj se do ta keni mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës me gjithë kapacitetet e saj.

Urime dhe suksese!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors