Prishtinë, 01 korrik 2009
Në vazhdim, po e japim të plotë deklarimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit nga vizita zyrtare në SHBA.
Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore por edhe nënshkrimi i marrëveshjes me OPIC, janë shenja të mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare për Kosovën.
Ky anëtarësim në këto institucione ndërkombëtare financiare shënon një kapitull të ri për shtetin tonë. Kapitullin e fillimit të zhvillimit real ekonomik, të besimit të plotë edhe më të fuqishëm ndërkombëtarë të institucioneve të Kosovës.
Ky sukses historik i Kosovës është para së gjithash rezultat i punës që kemi bërë në Kosovë, i vlerësimit ndërkombëtar për Kosovën. Dihet, para së gjithash se për tu anëtarësuar Kosova si shtet në këto institucione kanë votuar 138 shtete, shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe të tjera që janë në proces të njohjes,. Prandaj ky është një sukses thelbësor për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Ne do të vazhdojmë me përgjegjësitë të cilat i kemi marrë me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve për t’i kryer me përgjegjësi edhe ato obligime. Por, para së gjithash anëtarësimi i Republikës së Kosovës në FMN dhe BB krijon hapësirë, krijon mundësi shumë më të mëdha për të ardhmen tonë edhe më të mirë.
Kryeministri Hashim Thaçi i është përgjigjur edhe interesimit të medies lidhur me deklaratat e fundit të presidentit serb Tadiq, që bën thirrje për mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet komunale të nëntorit.
Mesazhi i Tadiqit është një mesazh i keq që përkon me politikën e mentalitetit të kaluar të Beogradit. Ne i kemi ftuar serbët që të jenë pjesë e institucioneve dhe janë pjesë e institucioneve. Po integrohen edhe në shoqërinë e re demokratike. Rikthimi i policëve serb në Policinë e Kosovës po tregon se ne po ndërtojmë shtet modern , shoqëri multietnike dhe me perspektivë të sigurt për tu integruar në NATO dhe BE, – ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
