Kryeministri Thaçi: 25 Korriku – Dita e Bashkimit të Kosovës, Enver Zymberi – Heroi i bashkimit të vendit tonë


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 25 korrik 2013
 
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të dyvjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymberi
 
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra
E nderuar familje Zymberi,
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të gjithë ju pjesëtarë të Policisë së Kosovës, EULEX-it

 
Dy vjet më parë Kosova nisi një kapitull të ri në shtrirjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial të saj.
 
Kishte mbi dymbëdhjetë vjet që në një pjesë të territorit të Kosovës ishte cenuar rëndë integritetit i vendit tonë.
 
Një pjesë e Kosovës ishte peng i strukturave ilegale, që nuk njihnin institucionet legjitime  të Republikës së Kosovës.
 
Dymbëdhjetë më parë Kosova ishte çliruar, dhe si një shoqëri në tranzicion, kishte tejkaluar me sukses të gjitha sfidat, duke përmbyllur procesin e shtetformimit me shpalljen e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik më 17 shkurt 2008.
 
Republika e Kosovës po ballafaqohej me procesin e suksesshëm të konsolidimit si në planin e brendshëm, – duke forcuar institucionet, ashtu edhe në atë ndërkombëtar,  – duke shtuar njohjet e pavarësisë nga shtetet më të fuqishme të demokracisë botërore dhe nga shtetet mike.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund të rrinte duarkryq tërë kohën, dhe që strukturat jolegjitime dhe kriminale në një pjesë të territorit të saj të vepronin dhe ta thellonin pushtetin e tyre të kundërligjshëm.
 
Prandaj, dy vjet më parë njësitë speciale të Policisë së Republikës së Kosovës ndërmorën një operacion për të vënë nën kontroll pikat doganore dhe ato të kufirit në pjesën veriore të Kosovës.
 
Këto struktura ilegale dhe paralele, jolegjitime dhe kriminale, përgatisnin terrenin për ndarje të Kosovës, për formimin e ndonjë Republika Srpska në atë pjesë të territorit Kosovës, për ndonjë status special apo autonomi.
 
Falë përgatitjes, guximit, sakrificës dhe përkushtimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës, pikat doganore dhe ato kufitare 1 dhe 31 prej 25 korrikut 2011 u morën dhe u vunë nën kontrollin e Policisë së Kosovës, ani pse edhe sot ballafaqohemi me sfida.
 
Pas 25 korrikut 2011 Kosova, për herë të parë, pas 12 vitesh, po ushtronte kontrollin mbi tërë territorin e saj, pra institucionet e vendit.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Në aksionin e profesional dhe të guximshëm të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, atë ditë plagoset rëndë njëri prej pjesëtarëve të saj të shquar, Enver Zymberi.
 
Plagët ishin fatale dhe ndërron jetë biri i familjes Zymberi, prindi, familjari, polici i Kosovës, Enver Zymberi.
 
Familja humbi një pjesëtar të dashur, policia e Kosovës humbi një koleg të përkushtuar, por Kosovës iu shtua një hero.
 
Hero i pasluftës.
 
Heroi pavarësisë së Kosovës.
 
Heroi i betejës për kthimin e integritetit territorial të plotë Kosovës
 
Heroi i funksionimit institucional dhe paqësor të Kosovës.
 
25 Korriku 2011 është Dita e Bashkimit të Kosovës.
 
Enver Zymberi është Heroi i bashkimit të vendit tonë.
 
Prandaj, të gjithë sot ne duhet të ndihemi krenar me heroizmin e Enver Zymberit dhe të gjithë atyre njerëzve që sakrifikuan për shtetndërtimin, konsolidimin e Kosovës.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
E dimë që është e rëndë humbja e një jete njerëzore.
 
Por, rënia në krye të detyrës e Enver Zymberit  është rënie që ngriti vlerat e moralit qytetar, të përgjegjësisë publike dhe të dashurisë ndaj atdheut.
 
Prandaj sot, në dyvjetorin e rënies së Enver Zymberit, por edhe për jetë dhe mot, institucionet më të larta shtetërore shprehin nderimet më të larta për këtë hero të Kosovës.
 
Mund të themi me kuptimin e plotë të fjalës se pas 25 korrikut 2011, Kosova  ka hyrë në një fazë të re të  zhvillimeve politike dhe institucionale.
 
Por, në të njëjtën kohë dua të theksoj se pas 25 korrikut edhe bota ndryshoi në raport me Kosovën, dhe bota filloi të na kuptojë edhe më drejtë, ta kuptojë qëndrimin tonë, vendimin tonë, përpjekjet tona dhe sakrificën tonë. Bota filloi ta kuptojë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
 
Prandaj, u vu në lëvizje gjithë diplomacia, edhe e Bashkimit Evropian edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Pas 25 korrikut edhe bashkësia ndërkombëtare, bota demokratike, rriti ndjeshmërinë ndaj gjendjes në veriun e Kosovës, dhe kështu pas 12 vjetësh për herë të parë lëvizi në drejtim pozitiv mekanizmi ndërkombëtar.
 
Sot jemi dëshmitarë të fillimit të procesit të zhbërjes së plotë të strukturave jolegjitime në veriun e Kosovës.
 
Dalëngadalë,  krahas funksionalizimit të institucioneve të Kosovës, edhe në atë pjesë do të kthehet besimi politik dhe qytetar në shtetin e Kosovës.
 
Pa atë heroizëm të Enver Zymberit dhe kolegëve të tij, nuk do të ndodhte ky ndryshim pozitiv që po ndodh sot.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Kosova ka shënuar rezultate të pamohueshme në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Sot kemi mbi njëqind njohje ndërkombëtare.
 
Vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Kosovës  e kemi më të fuqishëm sot sa i përket integrimeve euroatlantike. Para një viti ne përmbyllëm edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë.
 
Sot, Kosova është e vendosur që të funksionojë si shtet sovran, demokratik dhe me integritet të plotë territorial, duke lenë prapa të kaluarën.
 
Perspektiva jonë është që të lëvizim më shpejt drejt integrimeve në  NATO,  BE dhe OKB, si dhe dhe institucionet tjera është ëndrra e dëshmorëve të lirisë, është ideali për të cilin u sakrifikua heroi Enver Zymberi.
 
Është përcaktimi i ne të gjithëve.
 
Lavdi Heroit të Kosovës, Enver Zymberi!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors