Kryeministri Thaçi: 17 shkurti 2008 – dita më kulmore e përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi apo finalizimi i aspiratave të popullit të Kosovës


Image

Prishtinë, 14 shkurt 2014

E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, raporte dhe vendime nga fushat e përgjegjësive të saja ligjore dhe kushtetuese.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi theksoi:

“Sot kanë filluar kremtimet për 6 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kremtime këto që do të përfshijnë të gjitha institucionet e Republikës, në nivel qendror dhe lokal, një festë kjo e unitetit politik kombëtar dhe qytetar, dita më kulmore e përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi apo finalizimi i aspiratave të popullit të Kosovës.

Kam besim të plotë se këto festime që janë të çdo qytetari, të çdo familjeje, do të kalojnë në mënyrë të hareshme, do të kemi atmosfere festive kudo, prandaj edhe do ta respektojmë në përpikëri të gjithë agjendën shtetërore.

Por, më lejoni që sot, në ditën e fillimit të festimeve, të uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për 6 vjetorin e shtetit të pavarur dhe sovran.

Këto festime i fillojmë në kohën kur po e forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, tani kur kemi arritur 106 njohje ndërkombëtare, kur çdo herë e më tepër jemi më afër integrimeve euroatlantike, liberalizimit të vizave, procesit të stabilizim-asociimit, perspektivës për partneritet dhe anëtarësim në NATO, por në të ardhmen jo të largët të jemi pjesë edhe e OKB-së.

Sot kujtojmë të gjithë të rënët për liri, respektojmë sakrificën e çdo qytetari të Kosovës për çlirimin e vendit dhe në të njëjtën kohë zotohemi në përgjegjësitë tona për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë.

Gjithashtu, falënderojmë të gjithë miqtë dhe partnerët tanë që na mbështetën në momentet më të rënda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, të gjithë mbështetësit e përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe perspektivë evropiane.

Tani, 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës e shënojmë edhe me një kapitull të ri, atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, njohjet po shtohen dhe unë kam besim të plotë se edhe njohja nga vetë Serbia do të ndodhë në të ardhmen jo të largët, paralelisht me procesin integrues evropian.

Në anën tjetër, gjatë këtyre ditëve u mbajt edhe seanca e radhës së KS të OKB-së në Nju Jork, ku ne prezantuam të arriturat e shtetit tonë, progresin që kemi arritur, për reformat të cilat jemi duke i bërë, fqinjësinë që kemi ndërtuar me të gjitha vendet , perspektivën ekonomike të vendit tonë.

Gjithashtu, prezantuam të arriturat e përgjithshme në muajt e fundit dhe, është një vlerësim i përgjithshëm edhe i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se ky progres duhet të vazhdohet dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e vendit janë të vendosura që të lëvizin përpara me progres të pandalshëm. Në të njëjtën kohë të avancojmë dhe afirmojmë këtë progres.

Po ashtu, gjatë kësaj jave ka ndodhur takimi i radhës në mes të kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton në Bruksel, ku në parim është arritur marrëveshja për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa pritet në ditët e ardhshme të finalizohet në Bruksel.

E gjithë marrëveshja është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjen e 19 prillit.

Kam besim të plotë se me funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, do të kemi një fillim të funksionalizimit të tërësishëm edhe në pjesën veriore të Kosovës, në veçanti tash, pas organizimit të zgjedhjeve për herë të parë lokale, zgjedhjes së liderëve të tyre prej vullnetit të qytetarëve, fillimit të lëvizjes lirë të njerëzve dhe mallrave, integrimit në Policinë e Kosovës edhe nga komuniteti serb, fillimin e funksionimit të sistemit doganor të taksave, gjithashtu dhe fillimi i funksionalizimit të sistemit të IBM-it.

Është arritur shumë, por kam besim të plotë që të shënojmë progres edhe më të prekshëm pas fillimit të punës së sistemit të drejtësisë, që është baza e funksionalizimit të tërë sistemit edhe në veri të Kosovës.

Falënderoj baroneshën Ashton dhe gjithë mbështetësit e këtij procesi“ – ka thënë Kryeministri Thaçi

Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për linjën kreditore për Fondin e sigurimeve të depozitave në Kosovë nëpërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është miratuar sot nga kabineti qeveritar. Nëpërmjet këtij ligji ratifikohet Marrëveshja e Garancisë Shtetërore në shumën prej 10 milion euro. Qëllimi i linjës kreditore është rritja graduale e shumës së garantuar të depozitave nga 2 mijë euro në 3 mijë euro dhe mundësinë e qasjes në fonde në rast të dështimit të ndonjë banke.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për zhvillimin e procedurave ligjore për themelimin e Komunës së Hogoshtit, bazuar në Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave dhe në kërkesën e parashtruar nga Iniciativa e Pavarur e Qytetarëve të Hogoshtit me rrethinë.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për bartjen në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim, për interes publik, të pronave të KEK-ut në zonën kadastrale në Milloshevë, te ndërmarrja publike Kompania Regjionale e Ujit në Prishtinë, me qëllim të ndërtimit të Fabrikës së ujit në Shkabaj.

Me vendimin e aprovuar sotë në mbledhje të Qeverisë, ëshhtë plotsuar dhe ndryshuar vendimi për themelimin e Grupit Punues për menajgimin e projektit “Sistemi i Integruar i Informativ për Zhvillim Ekonomik”. Sipas vendimit të ri, grupi do të përbëhet nga përfaqësues të këtyre institucioneve:

1.    Ministrisë së Arsuimit Shkencës dhe Teknologjisë               anëtarë
2.    Ministrisë së Infrastrukturës                                                anëtarë
3.    Ministrsë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë                 anëtarë
4.    Ministrisë së Punëve të Brendshme                                      anëtarë
5.    Ministrisë së Punëve të Brendshme/Policia e Kosovës          anëtarë
6.    Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale                   anëtarë
7.    Ministrisë së Shëndetësisë                                                    anëtarë

Me qëllim të vazhdimit të fazës së dytë të këtij projekti përmes integrimit, mirëmbajtjes dhe shkëmbimit të të dhënave për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Grupi punues ka për detyrë që të vazhdojë projektin; të finalizojë termat e referencës për fazën e dytë të projektit dhe të monitorojë e drejtojë implementimin e aktiviteteve të projektit.

Është miratuar edhe vendimi përfundimtarë për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi Pallatit të Drejtësisë në zonën kadastrale të Çagllavicës, si dhe shpronësimin e përhershëm dhe me vënien e të drejtës së servitutit publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i largpërçuesit elektrik për nevojat e Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdovc.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e vet ka miratuar Raportin për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike, për periudhën maj 2012- dhjetor 2013.

Është aprovuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për ndarjen e grandeve te Përgjithshme ne komunat Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan. Sipas vendimit të aprovuar sot në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, mbetet ne fuqi ndarja e granteve të përgjithshme sipas ligjit për financat e pushtetit lokal. Sipas vendimit, Agjencia e Statistikave të Kosovës, ne bashkëpunim me organet e pushtetit lokal, do të filloj procedurën e regjistrimit te popullsisë ne këto komuna.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për themelimin e strukturave të institucioneve për koordinimin e zbatimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Sipas plotësimit dhe ndryshimit të bërë, sekretariati për Liberalizimin e Vizave përbëhet nga Ministria e Integrimeve Evropian dhe Departamentet për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për shtesat mbi pagën bazë e të punësuarve në pozitat e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, për kushtet specifike të punës. Çdo orë e punës e nëpunësit që është ekspozuar rrezikut nga kushtet specifike të punës, do të paguhet 30% më shumë se një orë e pagës bazë.

Me propozim të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Qeveria e Republikës së Kosovës,  ka marrë vendim për emërimin e Ragip Gjoshit, Drejtor të Përgjithshëm në Agjencinë për Arsim dheAftësim Profesional dhe për të Rritur në kuadër të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors