Podujevë, 28 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala dhe disa ministra të kabinetit qeveritar ka vizituar Komunën e Podujevës.
Fillimisht, kryeministri është ndalur në objektin e Komunës së Podujevës, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Agim Veliu.
Më pas, kryeministri Mustafa dhe kryetari Veliu kanë parë nga afër punimet, që janë në fazën përfundimtare, në objektin e Maternitetit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa ka siguruar kryetarin Veliu se do të mbështes projektet e kësaj Komune.
“Këtu jemi në një objekt shëndetësor që është ndërtuar me buxhetin e Komunës, që do të jetë ndihmesë jo vetëm për qytetarët e Podujevës por edhe të Prishtinës, sepse do të zvogëlohet fluksi dhe presioni i cili bëhet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu do të punojë në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, si dhe në investime të veçanta në Liqenin e Batllavës, ku do të gjendet zgjidhje për ujërat e zeza që derdhen në këtë liqen, i cili furnizon me ujë jo vetëm Podujevën e Prishtinën, por në tërësi 9 komuna. Gjithashtu, do të investohet edhe në objektet e kulturës e të sportit si dhe ato të rinisë.
“Ne konsiderojmë se misionin tonë si Qeveri do ta realizojmë më së miri nëse zgjidhim problemet jetike të qytetarëve. Këto probleme fillojnë në komunë, zhvillohen ne komunë, dhe përjetohen në mënyrë të drejtpërdrejt nëpër komuna dhe me përgjegjësi të pushtetit lokal. Ne do të punojmë në këto prioritete së bashku me kryetarët e komunave, do të punojmë edhe së bashku me ministritë, në mënyrë që në Qeveri ta lehtësojmë orientimin tonë dhe të mundohemi që në mënyrë proporcionale të investojmë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky është objektivi ynë zhvillimor dhe mendoj se të gjitha çështjet tjera do t’i realizojmë dhe do të arrijmë që t’i zbusin nëse krijojmë kushte jetike për qytetarët”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Nga ana e tij, kryetari i Podujevës, Agim Veliu falënderoi kryeministrin dhe kabinetin për mbështetjen që po i jep projekteve komunale.
“Unë i dëshirova mirëseardhje fillimisht dhe nuk mundem pa e theksuar se kjo është vizita e parë që një kryeministër i Republikës së Kosovës i bënë Podujevës. E informova për situatën e sigurisë dhe zhvillimeve tjera në Komunë dhe për punën që stafi komunal është duke i kryer, përgatitjet për realizimin e Planit të Punës, dhe poashtu i diskutuam edhe njëherë disa projekte prioritare që janë për Komunën e Podujevës, që Qeveria t’i ketë si parashikime për realizimin e tyre në të mirë të qytetarëve”, theksoi kryetari Veliu.
