Prishtinë, 14 janar 2016
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë takimit konsultativ për Ndërmarrjen Trepça, që u zhvillua sot, ka thënë se krahas reformave substanciale që ka bërë Qeveria e Kosovës, tani ajo do të fokusohet në zgjidhjen e çështjes së Trepçës.
Kryeministri Isa Mustafa, tha po ashtu se ky takim ka për qëllim bashkërenditjen e politikave qeveritare, me të gjithë aktorët relevantë, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Trepçës.
“Jam i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”, tha kryeministri Mustafa.
Në takim, ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, përfaqësues të tjerë të Kuvendit, të Qeverisë, të Ndërmarrjes Trepça, të minatorëve dhe ekspertë e zyrtarë të tjerë.
Fjala e plotë i kryeministrit Isa Mustafa në takimin konsultativ për Ndërmarrjen Trepça
Qeveria e Kosovës ka për objektiv themelor zhvillimin ekonomik. Ne kemi bërë disa reforma substanciale vitin që lamë. Por, mendoj se pjesë e këtyre reformave tani duhet të jetë edhe zgjidhja e çështjes së Trepçës.
Ky takim ka për qëllim që t’iu informojë lidhur me aktivitetet e deritanishme dhe me bashkërenditjen e politikave qeveritare, me të gjithë akterët relevantë, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit tonë më të rëndësishëm strategjik, Trepçës.
Jam i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit.
Tash ne të gjithë e dimë që Trepça paraqet një problem kompleks, është një problem legal, problem social apo shoqëror, problem ekonomik, teknologjik, i ambientit, që duhet të zgjidhet në një periudhë më afatgjatë.
Zgjidhjet sigurisht nuk janë të lehta, sepse me pas qenë të lehta ishin zgjidh deri më tani, por unë po ashtu i jap përkrahje të plotë qëndrimit edhe të kryetarit të Kuvendit që ne të gjejmë këtë zgjidhje bashkërisht, dhe që këtë zgjidhje ta bëjmë brenda vitit.
Ne, Trepçën e konsiderojmë si sinonim të minatorëve, si një gurthemel të zhvillimit ekonomik të vendit. Nuk dëshirojmë që këtë ta zgjidhim vetëm në mënyrë simbolike, por dëshirojmë që zgjidhja të jetë reale, të jetë një zgjidhje e qëndrueshme, e cila do t’iu sjell të mirën të gjithë qytetarëve tanë, pa marrë parasysh se a jetojnë afër Trepçës apo jetojnë në viset tjera, ose pa marrë parasysh përkatësinë sociale, ekonomike ose kombëtare të tyre.
Trepça ka qenë një prej organizatave të mëdha ekonomike të vendit, si organizatë e përbërë atëherë me mbi 20 mijë të punësuar. Ka qenë një kombinat që ka pas edhe shtrirje vertikale dhe shtrirje horizontale, që ka kaluar një histori të veçantë. Ajo edhe sot përbëhet brenda Kosovës prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tre komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Mirëpo, po ashtu, dihet se një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, ose keq shfrytëzimit në të kaluarën.
Unë nuk do të flas sot për minierat aktive që janë, sepse janë njerëzit që e përfaqësojnë Trepçën këtu dhe mund të flasin, mirëpo ajo për çfarë unë jam i interesuar sot veçmas të diskutojmë, është të shohim se si mund ta trasojmë rrugën në mënyrë që të vijmë deri tek një zgjidhje, në mënyrë që të bëjmë një vlerësim të saktë ose përafërsisht të saktë të rezervave që janë strategjike dhe atyre që janë të shfrytëzueshme, të bëjmë një zgjidhje lidhur me të ardhmen e Trepçës, dhe po ashtu të fillojmë që Trepça të aktivizohet dhe të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik.
Në bazë të dokumentacionit që ne kemi marrë deri më tani nga subjekte relevante kemi parë se kemi studime të rëndësishme mbi historinë e Trepçës, kemi dokumentacion dhe studime që ndërlidhen me rezervat gjeologjike dhe rezervat e shfrytëzueshme në Trepçë. Ka dokumentacion dhe studime lidhur me kërkesat e kreditorëve ndaj Trepçës, ka edhe ashtu studime dhe dokumentacion mbi modalitetet ekonomike të ndryshme, mundësitë e zhvillimit, ristrukturimin dhe format e propozuara lidhur me qeverisjen e ardhshme të Trepçës.
Ajo që ne mund të konstatojmë këtu është se Trepça nuk ka nevojë që edhe më tutje të mbetet Ndërmarrje Shoqërore në fushëveprim të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, se Trepça assesi nuk duhet të lejojmë që të likuidohet dhe atë e kemi treguar me vendim të Kuvendit, se për Trepçën mund të bisedohet në pikëpamje të së ardhmes pronësore të saj me një kombinim të pronësisë publike dhe të bashkëpronësisë, ose të një pjese të pronësisë private dhe të privatizimit të atyre aseteve të cilat nuk i nevojiten më tutje Trepçës dhe që do të ishin ngarkesë për Trepçën, siç janë bizneset që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me Trepçën.
Ajo që ne konsiderojmë se do të ishin detyra tonat, është që të merremi vesh se si t’i qasemi strategjisë së Trepçës, ose hartimit të alternativave ekonomike më fizibile që kanë të bëjnë me Trepçën. Dokumentacioni të cilin ne kemi deri më tani dhe studimet që janë bërë deri më tani, a janë të mjaftueshme, apo çfarë duhet të bëhet si shtesë, në mënyrë që ato të përmbyllen në një strategji me alternativa dhe me dhënie të sugjerimeve se cila është alternativa më e mirë për të ardhmen e Trepçës.
E dyta, është çështja e zgjidhjes legale për Trepçën që ne jemi përcaktuar që Kuvendi do të aprovoj ligj të veçantë për Trepçën, në suaza të saj, edhe hartimi i alternativave teknologjike mjedisore dhe alternativave të tjera të cilat tani do të harmonizohen me rregullat e Bashkimit Evropian.
Kryetari i Kuvendit e përmendi edhe përcaktimin tonë që të kemi edhe raste studimore të ndryshme të cilat do të na japin informata se si vendet e tjera i kanë zgjidhur problemet e tilla, të cilat pastaj do të na ndihmojnë edhe në modelimin e ligjit për Trepçën.
Ne kemi disa grupacione të detyrave që do t’i kemi këtu, kemi atë që ka të bëjë me modernizimin ekonomik, duke identifikuar një model modern të biznesit që do të krijojë vlerë të shtuar në ekonomi, do të mundësoj profit dhe do të mundësoj menaxhment profesional. Dhe tash do të shohim se ky model a do të bazohet në modelin e qeverisjes publike ose koorporative, modelin e partneritetit publiko-privat apo çfarë modeli. Pastaj, pozicionimin gjeopolitik i cili do të hap mundësi edhe për investime të huaja, të drejtpërdrejta, duke mbajtur përgjegjësinë e Qeverisë për këto pasuri. Të modelojmë se çfarë do të jetë roli i Trepçës në aspektin social në Kosovë dhe në pikëpamje të punësimit por edhe në pikëpamje të efekteve apo eksternaliteteve pozitive që do të jap për regjionin atje ku është dhe të përcaktojmë përafërsisht edhe datat sot ose pas këtij diskutimi dhe bartësit e të gjitha këtyre, kush është ai që do të punoj drejtpërdrejt në strategjinë për Trepçën, do të konsolidoj dokumentacionin, kush do të punoj në ligjin për Trepçën dhe kush do të jetë bartësi i studimeve të rastit ose “Case Studies” që do të prezantohen në një rrugë me zgjidhjet që të tjerët i kanë bërë për Trepçën.
Unë nuk jam për atë që ne sot të japim përgjigje përfundimtare ose të tentojmë të japim përgjigje se si do të jetë Trepça nesër. Më shumë jam për atë, që ne të diskutojmë se si do të organizohemi, çka do të bëjmë në mënyrë që pastaj edhe gjatë hartimit të strategjisë dhe studimeve të rastit, bashkërisht të takohemi kohë pas kohe dhe t’i këmbejmë mendimet tona. Faleminderit!
