Prishtinë, 8 korrik 2016
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Fabrikën e Tekstilit Kosovatex, ku është takuar me drejtuesit dhe ka vizituar ambientet e punës si dhe punëtorët.
Pas vizitës, kryeministri Mustafa ka vlerësuar lartë punën dhe rezultatet e arritura nga kjo Fabrikë duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për të krijuar kushte sa më të volitshme për bizneset në Kosovë.
Kryeministri Mustafa tha se bëhet fjalë për biznes botëror, një kompani Holding e shtrirë në tërë botën, me mbi 12 mijë të punësuar, e shpërndarë në 25 shtete në 150 lokacione e që ka marrë besimin e institucioneve botërore në kryerjen e shërbimeve.
“Fati ynë është që ky biznes, në krye me pronarin Lazim Destani është edhe këtu në Kosovë edhe në tri fusha tjera, sepse është më i koncentruar këtu në Ballkan. Është fjala për një biznes shumë të suksesshëm, i cili tërë prodhimtarinë e tij e eksporton në Gjermani përkatësisht në vendet e Bashkimit Evropian. Ne dëshirojmë që të zhvillojmë këso biznese. Dëshirojmë që të ofrojmë kushte sa më të mira që diaspora jonë dhe njerëzit tanë që kanë treguar suksese të jashtëzakonshme në biznes të jenë edhe këtu në Kosovë”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa tha se gjatë takimit kanë dëgjuar vlerësimet e tyre, vërejtjet e tyre për çështjet të cilat duhet edhe Qeveria qendrore edhe komuna dhe subjektet tjera t’iu ndihmojnë që ato t’i zgjidhin sa më shpejt, në mënyrë që të lehtësohet të bërit biznes.
“Kemi marrë edhe vlerësimet e tyre lidhur me fuqinë e punës të cilën ne duhet ta stabilizojmë, sepse gjithnjë ankohemi se nuk kemi punë, por kur puna ofrohet, pastaj është problemi i stabilitetit, sepse njerëzit nuk janë të prirë që të qëndrojnë gjatë në vendin e punës dhe të punojnë ashtu siç janë kriteret e produktivitetit evropian, sepse është fjala për biznese të cilat duhet t’i konkurrojnë tregut evropian, dhe këtë konkurrencë duhet ta bëjnë me produktivitet të lartë, duhet ta bëjnë me paga konkurruese, dhe me cilësi konkurruese. Sa i përket cilësisë, këtu cilësia është e nivelit më të lartë sepse pranohet nga firmat më të njohura gjermane dhe evropiane, por natyrisht që ne duhet të punojmë që të krijojmë një treg të punës i cili është efiçient, i cili është konkurrues, dhe i cili mundëson stabilitetin e bizneseve dhe të investitorëve që kanë ardhur këtu”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Lazim Destani, pronar i Fabrikës Kosovatex tha se gjatë takimit e kanë informuar kryeministrin për punët e deritashme që Kosovatex ka bërë, e cila ka filluar punën para 6 viteve dhe gjithmonë është në rritje e sipër.
“Biseduam rreth ideve për investimet që i kemi në Kosovë, të cilat shpresoj se do të realizohen, sepse biznesmenët e diasporës kanë interes të investojnë në vendet tona, Kosovë, Maqedoni apo viset tjera ku jetojnë shqiptarët. Të bësh biznes në vendet tona, duhet të presësh një kohë që të të kthehet ai investim, pra është afatgjatë, prandaj edhe është i qëndrueshëm, sepse bizneset e shpejta nuk janë të suksesshme”, tha Destani.
