Prishtinë, 14 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim njoftues shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Republikën e Kosovës, Jacques Miniane, i shoqëruar nga përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë, Frank Lakwijk.
Kryeministri Mustafa, gjatë takimit, diskutoi mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë mbi performancën e sektorit fiskal. Kryeministri Mustafa theksoi se korniza aktuale e Buxhetit të Kosovës duhet të jetë e orientuar në atë formë që të krijojë mundësi për zhvillim, sidomos në sektorin privat të ekonomisë. Gjatë këtij takimi, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Financave Avdullah Hoti diskutuan me përfaqësuesit e FMN-së edhe për projektet kapitale dhe agjendën e implementimit të tyre.
Shefi i Misionit, Jacque Miniane e përgëzoi kryeministrin Isa Mustafa për seriozitetin dhe profesionalizmin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me çështjen e shpenzimeve buxhetore. Vendimin që pagat të lëvizin konform zhvillimeve ekonomike, shefi i Misionit e quajti vendim të guximshëm dhe të mirë për Kosovën.
Në këtë takim u diskutuan edhe modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe FMN-së dhe u pajtuan që në muajt në vijim të vlerësohet nëse Kosova ka nevojë për program me FMN-në si dhe të shihet se cili program është më i mirë për rrethanat ekonomike të Kosovës.
