Kryeministri Mustafa: Përkundër sfidave, Qeveria është treguar e suksesshme në agjendën ekonomike


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 19 korrik 2016
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
 
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se që nga marrja e drejtimit të Qeverisë janë ballafaquar me pengesa nga opozita dhe me një opinion të cilit i është imponuar kryesisht çështja e demarkacionit dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe.
 
“Ndërkaq, ne, edhe përkundër kësaj kemi arritur që agjendën ekonomike të Qeverisë ta vendosim në rend të parë. Kemi arrit po ashtu një agjendë të qëndrueshme, që të krijojmë kushte normale për punë të bizneseve dhe që të krijojmë një zhvillim ekonomik me të cilin ne mund të mburremi, por i cili nuk është ai që ne e synojmë dhe që e kemi prit sepse dëshirojmë që të jetë edhe më i madh”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Mustafa më tutje theksoi se kjo flet që në Kosovë ka biznese të shëndosha, ka asociacione të shëndosha të bizneseve dhe të suksesshme, se po ndërtohen politika të shëndosha ekonomike, një sistem bankar shumë i shëndoshë dhe i qëndrueshëm dhe ka vetëbesim për zhvillim ekonomik.
 
“Po ashtu, kemi besim edhe në investitorët e jashtëm dhe në partnerët e jashtëm, të cilët edhe përkundër situatës që e kemi pas në Kosovë kanë investuar edhe gjatë vitit të kaluar dhe po vazhdojnë të investojnë edhe këtë vit”, tha kryeministri.
 
Duke iu referuar të dhënave të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, por edhe të atyre që mbështeten nga Banka Qendrore, edhe nga institucionet monetare ndërkombëtare, kryeministri Mustafa tha se pritet një rritje ekonomike për vitin e kaluar prej rreth 4 për qind, që është më e larta në regjion.
 
“Mund të them se është arrit edhe përkundër dhunës, gurëve, gazit lotsjellës, molotovit, me të cilat ne jemi ballafaquar në mënyrë shumë të ashpër gjatë vitit të kaluar. Prandaj, mund të them se kjo Qeveri ka kaluar sfidat dhe është treguar e suksesshme në implementimin e agjendës ekonomike, por jo vet, por së bashku me ju”, tha ai.
 
Kryeministri Mustafa tha se vitin e kaluar Kosova ka arritur të absorbojë rreth 324 milionë euro investime të huaja direkte që është një rritje dy herë më e madhe se sa një vit më parë dhe po ashtu, ka rritje të kompanive me pronarë investitorë të jashtëm.
 
Ai, po ashtu, përmendi aktivitetet që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në përmirësimin e ambientit të biznesit.
 
“Ajo që na gëzon është se këto ditë është pranuar edhe nga Banka Botërore, se kemi treguar progres esencial te indikatorët e qeverisjes rregullatore, të matur sipas kësaj banke, se vlerësimet janë që ne nga nota 2.6 që e kemi pas një vit më parë tani kemi arrit në 4.6, derisa nota maksimale është 6, që do të thotë se ne kemi kaluar 30 vende gjatë një viti, dhe prej 187 vendeve, Kosova është ngritur nga vendi 73  në vendin e 43, që është një ngritje substanciale”, tha kryeministri, duke përmendur edhe vlerësimet pozitive të bizneseve kosovare në këtë drejtim.
 
Më tutje, kryeministri Mustafa përmendi interesimin për rritjen e bashkëpunimin me bizneset, për përpjekjet për ta aprovuar Ligjin për Investime Strategjike, për rregullimin e mëtejmë të politikave ekonomike që t’iu ndihmohet bizneseve që ato të kyçen në tregun e BE-së, në hapësirën që siguron Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe që ambienti për biznes të bëhet edhe më i përshtatshëm dhe optimizmi i bizneseve për suksese të jetë më i mirë sa i përket pjesëmarrjes në tregun regjional, në tregun evropian por edhe në tregun botëror.
 
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se nga rifunksionalizimi i këtij këshilli i cili kryesohet nga vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, institucionet pjesëmarrëse së bashku me komunitetin e biznesit kanë qenë mjaft aktiv, në punën e tyre të përbashkët sa i përket adresimit të barrierave të biznesit në mënyrë që ne të reformojmë ambientin e biznesit dhe të çojmë agjendën ekonomike përpara e cila është pjesë e programit qeverisës 2015-2018.
 
“Ne kemi bërë eliminimin e shumë barrierave, forcimin e ndërmarrjeve në Kosovë, kthimin e besimit të bizneseve në institucione, kemi pasur një ngritje substanciale të investimeve të huaja, dhe gjithashtu një rritje të numrit të kompanive me pronarë të huaj. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve të shumta, me kënaqësi mund të themi se ne sot mund të flasim për një sërë ndryshimesh dhe zhvillimesh mjaft të rëndësishme pozitive, të cilat janë arritur në fushën ekonomike me aktivitetin e shtuar të bizneseve dhe me rritje të investimeve në përgjithësi”, tha ministrja Bajrami.

Fjala e Kryeministrit Isa Mustafa në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik

Ju faleminderit znj. Ministre,
Ju përshëndes të gjithëve,
Ju përfaqësues të bizneseve, të Asociacionit të Bizneseve, Ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Zëvendësministrat, Drejtorët e Agjencive të caktuara që janë të lidhura me zhvillimin ekonomik,
Ju falënderoj për pjesëmarrje,

 
Dëshiroj të filloj me një fakt që më duket mua mjaft interesant, një fakt që ndërlidhet me kohën kur unë e kam marrë drejtimin e kësaj Qeverie dhe që bashkërisht kam punuar me anëtarët e Qeverisë dhe me subjektet e tjera, me të cilët jemi ballafaquar me pengesa nga opozita dhe me një opinion të cilit i është imponuar kryesisht çështja e demarkacionit dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, ne, edhe përkundër kësaj kemi arritur që agjendën ekonomike të Qeverisë ta vendosim në rend të parë. Kemi arrit po ashtu një agjendë të qëndrueshme, që të krijojmë kushte normale për punë të bizneseve dhe që të krijojmë një zhvillim ekonomik me të cilin ne mund të mburremi, por i cili nuk është ai që ne e synojmë dhe që e kemi prit sepse dëshirojmë që të jetë edhe më i madh.

Për çka flet kjo. Flet se ne kemi biznese të shëndosha, kemi asociacione të shëndosha të bizneseve dhe të suksesshme, se po ndërtojmë politika të shëndosha ekonomike, se kemi një sistem bankar që është shumë i shëndoshë dhe është shumë i qëndrueshëm, se kemi besim në vetveten për zhvillim ekonomik, po ashtu kemi besim edhe në investitorët e jashtëm dhe në partnerët e jashtëm, të cilët edhe përkundër situatës që e kemi pas në Kosovë kanë investuar edhe gjatë vitit të kaluar dhe po vazhdojnë të investojnë edhe këtë vit.

Dëshiroj, po ashtu, të përsëris se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, por edhe të atyre që mbështeten gati edhe nga Banka Qendrore, edhe nga institucionet monetare ndërkombëtare, ne presim që të kemi një rritje ekonomike për vitin e kaluar prej rreth 4 për qind, që është më e larta në regjion, e cila mund të them se është arrit edhe përkundër dhunës, gurëve, gazit lotsjellës, molotovit, me të cilat ne jemi ballafaquar në mënyrë shumë të ashpër gjatë vitit të kaluar.

Prandaj, mund të them se kjo Qeveri ka kaluar sfidat dhe është treguar e suksesshme në implementimin e agjendës ekonomike, por jo vet, por së bashku me ju.

Vitin e kaluar ne po ashtu, kemi arritur të absorbojmë rreth 324 milionë euro, investime të huaja direkte që është një rritje dy herë më e madhe se sa një vit më parë dhe po ashtu, kemi edhe një rritje të kompanive me pronarë investitorë të jashtëm. Mirëpo, statistikat tregojnë se edhe në periudhën janar-qershor të këtij viti, ne kemi një rritje prej 36 për qind të kompanive me pronarë të huaj, dhe ajo që veçmas në gëzon neve është se kemi një shtim prej 31 për qind të bizneseve ku pronare janë gratë, që është një faktor tepër i rëndësishëm i politikave tona ekonomike dhe synimeve tona ekonomike në mënyrë që të kemi një prezencë më të madhe të gruas në menaxhimin e bizneseve dhe në jetën ekonomike.

Gjatë vitit të kaluar ne kemi nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, e cila ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti, dhe po ashtu jemi përfshirë në projektin e Korporatës së Sfidave të Mileniumit, që është një projekt tepër i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të cilin ne i kemi plotësuar kushtet në saje të plotësimit të kritereve që janë shumë të ashpra të kësaj korporate.

Po ashtu, janë arrit rezultate dhe mendoj se jemi në rrugë shumë të mirë për realizimin e projektit të Termocentralit “Kosova e Re” me investitorë privat amerikan me të cilin ne do të arrijmë të stabilizojmë furnizimin me energji elektrike dhe të sigurojmë një resurs tepër të rëndësishëm për investime të jashtme direkte dhe për investime të brendshme.

Sa i përket aktiviteteve që ne i kemi zhvilluar në përmirësimin e ambientit të biznesit mund të them kështu në mënyrë telegrafike, se ne kemi hartuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, kemi hartuar Programin e Reformave Ekonomike dhe Planin Kombëtar për zbatimin e këtij programi, kemi Programin e Zbatimit të MSA-së, kemi zhvilluar gati të gjitha përgatitjet për aktivizimin e Prokurimit Elektronik si synim dhe si premtim tonin dhe besojmë se së shpejti do të aktivizohet. Ka pas një ngecje për arsye se me ndryshimin e Ligjit për Prokurim Publik pastaj është dashur të përshtatim edhe platformën e këtij prokurimi, kemi bërë reformat fiskale në shumë fusha dhe po ashtu me Ministrinë e Financave po vazhdojmë që këtë reformë ta pasurojmë duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me bizneset.

Kemi bërë që të funksionalizohet Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, dhe po ashtu Ministritë tona veçmas Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po punon në eliminimin e të gjitha barrierave që kanë të bëjnë me të bërit biznes.

Është arrit që me Gjykatën Themelore të formohet Divizioni për Zgjidhjen e Kontesteve Biznesore, që veçmas lehtëson kontestet që i kemi me partnerë të jashtëm. Është bërë unifikimi i numrit të regjistrit të biznesit. Po investohet mjaft shumë në infrastrukturën rrugore, tani jemi në projekte të investimit edhe në infrastrukturën hekurudhore, sepse kemi siguruar pjesën dërmuese të mjeteve për rikonstruimin e hekurudhës që do të lehtësoj dhe do të ulë kostot e biznesit.

Janë marrë masa edhe për shtimin e buxhetit sa i përket financimeve të nevojshme për Zonat Ekonomike, asaj në Drenas, Shtime, Mitrovicë, Suharekë, dhe tani është licencuar edhe Lipjani dhe mendojmë se kemi kapacitete të përkrahim edhe më shumë komunat përkatëse në infrastrukturën e këtyre zonave në mënyrë që të tërheqin sa më shumë investitorë në ato zona, dhe po ashtu ajo që na gëzon është se këto ditë është pranuar edhe nga Banka Botërore, se kemi treguar progres esencial te indikatorët e qeverisjes rregullatore, të matur sipas kësaj banke, se vlerësimet janë që ne nga nota 2.6 që e kemi pas një vit më parë, tani kemi arrit në 4.6, deri sa nota maksimale është 6, që do të thotë se ne kemi kaluar 30 vende gjatë një viti, dhe prej 187 vendeve, Kosova është ngritur nga vendi 73 në vendin e 43, që është një ngritje substanciale.

Sa i përket këtyre indikatorëve që kanë të bëjnë me parashikueshmërinë, që kanë të bëjnë me kornizën ligjore, që kanë të bëjnë me aftësinë e qytetarëve dhe bizneseve për t’u përballur dhe për t’u përshtatur me kushtet ekonomike, por edhe për të kundërshtuar dhe për të kërkuar përshtatjen e këtyre kushteve. Dhe unë mendoj se ky është një sukses shumë i rëndësishëm, jo vetëm i Qeverisë, jo vetëm i një ministrie, por është një sukses që ne e kemi arritur së bashku me ju, sepse pa përkrahjen dhe kërkesat e juaja nuk do të bëhej as kjo.

Kemi vlerësime pozitive edhe sa i përket vet bizneseve. Ne kemi pasur kontakte me Odën Ekonomike të Kosovës me kryetarin e Odës dhe me përfaqësuesit e Odës, dhe sipas indikatorëve matës të tendencës së bizneseve për tremujorin e dytë të vitit 2016, rezultatet tregojnë një optimizëm të rritur, një besueshmëri më të madhe, dhe një përmirësim të përgjithshëm të gjendjes së bizneseve dhe atë se bizneset presin në të ardhmen suksese edhe më të mëdha. Pesimizmi ka ra, pra kemi një optimizëm, një besim më të madh, neve na gëzon veçmas kjo.

Ne, tani jemi të interesuar që ta rrisim bashkëpunimin me ju që të kemi bashkëpunim ditor me bizneset edhe në nivel të Qeverisë edhe në nivel komunave, në mënyrë që politikat tona t’i ndërtojmë bashkërisht. Mund t’ju them se ministritë përkatëse, Qeveria dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës me përkrahje edhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë kësaj periudhe ka arrit që t’i bëjë disa marrëveshje shumë të rëndësishme për vija të buta kreditore me Austrinë, me Francën, me Gjermaninë, që flet se ne kemi  siguruar dhe do të sigurojmë mjete nga këto vende, dhe që flet për orientimin e qartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi vendeve të Bashkimit Evropian dhe zhvillimin ekonomik me këto vende të Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ne kemi nevojë tash të bëjmë edhe një përpjekje për ta aprovuar Ligjin për Investime Strategjike dhe besoj se edhe kjo do të kalohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse i kemi harmonizuar të gjitha kërkesat që kanë qenë nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes USAID-it, që kanë pas të bëjnë kryesisht me konkurrencën dhe me transparencën dhe ne dëshirojmë që edhe përmes këtij ligji të rrisim edhe më tutje konkurrencën në mes të firmave dhe për opinionin të kemi transparencë të plotë.

Duhet të shohim edhe më tuje bashkërisht se çka duhet të bëjmë më tutje në mënyrë që të rregullojmë politikat ekonomike në atë formë që ato duhet t’ju ndihmojnë bizneseve tona, që ato të kyçen në tregun e Bashkimit Evropian, në hapësirën që siguron Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, dhe çfarë duhet të bëjmë bashkërisht në mënyrë që ambienti për biznes të bëhet edhe më i përshtatshëm dhe optimizmi i bizneseve për suksese të jetë më i mirë edhe sa i përket pjesëmarrjes së tyre në tregun regjional, në tregun evropian, por edhe në tregun botëror. Sepse duhet të kemi parasysh se duhet t’i nënshtrohemi një konkurrence e cila është mjaft e fortë, por po ashtu kam besim të plotë se edhe bizneset tona po forcohen gjithnjë e më tepër, kanë produkte mjaft të mira, kanë cilësi të mirë, kanë qëndrueshmëri që t’i përballojnë këtij tregu.

Unë ju falënderoj shumë në këtë pjesëmarrje dhe uroj që bashkërisht t’i këmbejmë mendimet sot, iniciativat, dhe shprehë gatishmërinë e Qeverisë që të trajtojmë çdo iniciativë, dhe çdo kërkesë tuajën në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të ngritjes së efikasitetit ekonomik në të ardhmen.

Faleminderit. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors