Prishtinë, 22 dhjetor 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka organizuar të martën një pritje për përfaqësuesit e mediave në Kosovë, me rastin e festave të fundivitit.
Kryeministri Mustafa, me këtë rast, ka falënderuar përfaqësuesit e mediave për prezencën në këtë përfundim të vitit të qeverisjes, një viti të rëndësishëm të bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me mediat.
Duke vlerësuar lartë përcjelljen shumë të rëndësishme të gjitha mediave kosovare, opinionet dhe analizat, kryeministri Mustafa tha se Qeveria me shumë kujdes i ka dëgjuar dhe i kemi lexuar të gjitha ato dhe pastaj i ka trajtuar në sjelljen e saj qeverisëse.
“Është me rëndësi shumë të madhe që mediat ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, ajo është një faktor korrigjues edhe për qeverisjen”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar lartë kontributin, bashkëpunimin dhe kryerjen në mënyrë profesionale të punës nga ana e mediave.
“Apeloj që të kemi prapë bashkëpunim në vitet në vijim, në mënyrë që të punojmë bashkërisht në të mirën e vendit, të bashkëpunojmë dhe t’i realizojmë objektivat të cilat nuk mund të jenë objektiva të ndara të Qeverisë, janë objektiva të kësaj shoqërie, të mediave, të shoqërisë civile, të qytetarëve dhe si të tilla ne i pranojmë dhe i përqafojmë”, tha kryeministri Mustafa.
Në fund, kryeministri Isa Mustafa, i ka uruar Vitin e Ri të gjithë përfaqësuesve të mediave, familjeve të tyre, duke u uruar atyre shumë suksese dhe mirëqenie në vitin 2016 dhe në vitet në vijim.
