Prishtinë, 17 shkurt 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori telegrame urimi nga homologët dhe personalitete të shumta ndërkombëtare me rastin e kremtimit të shtatë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në telegramet e dërguara kryeministrit Mustafa, kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, kryeministri i Republikës Çeke, Bohuslav Sobotka, kryeministri slloven, Miroslav Cerar, kryeministri hungarez Viktor Orban, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Fatmir Besimi, si dhe personalitete tjera, kanë përgëzuar qytetarët dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për progresin dhe hapat e Republikës së Kosovë drejt fuqizimit të gjithanshëm të shtetësisë.
“Gjithashtu, janë për t’u lavdëruar edhe kontributet tuaja konstruktive në paqen dhe stabilitetin rajonal. Njëherësh, qëndrimi juaj i matshëm prej lideri për vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Prishtinës-Beogradit me rekomandime konkrete drejt zgjidhjes së qëndrueshme, gëzon një rëndësi dhe vlerë të madhe për të ardhmen e të gjithë popujve të rajonit”, thekson kryeministri turk Davutoglu, duke konfirmuar përkrahjen e plotë të Turqisë për Kosovën në të gjitha fushat.
“Suksesi i shtatë vjetëve të fundit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka konfirmuar besimin e shprehur nga Hungaria me rastin e njohjes, ndër të parat, të sovranitetit të shtetit tuaj. Mund të ju siguroj ju se ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm rrugën integruese evropiane të Kosovës“, shkruan kryeministri hungarez, Viktor Orban.
“I vlerësoj lartë relacionet shumë të mira ekzistuese ndërmjet Republikës Çeke dhe Republikës së Kosovës. Besoj se raportet miqësore ndërmjet shteteve tona do të vazhdojnë të zhvillohen në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, thekson Bohuslav Sobotka, kryeministër i Republikës Çeke.
“Sllovenia i kushton kujdes të veçantë agjendës së zgjerimit të BE-së dhe beson në perspektivën Euro-Atlantike të Kosovës”, thekson kryeministri slloven, Miroslav Cerar, duke shprehur mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në proceset integruese në BE.