Prishtinë, 15 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore për shënimin e 16 vjetorit të Masakrës së Reçakut, mbajtur në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Në shënimin e këtij përvjetori, kryeministri Mustafa mbajti një fjalë rasti, të cilën po ua përcjellim më poshtë.
Fjala e kryeministrit Mustafa në Akademinë Përkujtimore për Masakrën e Reçakut:
Të nderuar familjarë të martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli,
I nderuari kryetar i Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli,
Të nderuar komandantë të UÇK-së,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta,
Të nderuar deputetë të Republikës së Kosovës,
Ministra dhe pjesëtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, në 16-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ne shprehim nderimin tonë për martirët dhe dëshmorët, për ata që ranë viktima të kësaj ngjarjeje të tmerrshme, e cila me pamjet e saj rrëqethëse, tronditi mbarë botën.
Kjo masakër hoqi përfundimisht maskën e politikës serbe ndaj popullit të Kosovës dhe nxiti mobilizimin e Aleancës Veri-Atlantike për të ndërhyrë në Kosovë.
Në datën e sotme të vitit 1999, forcat ushtarake e policore serbe, vranë e masakruan 45 banorë të fshatit Reçak. Kjo masakër alarmoi botën për tmerrin dhe gjenocidin që po ushtrohej ndaj popullatës civile shqiptare dhe njëherësh shënoi një kthesë historike për Kosovën.
Vrasja brutale e civilëve të pambrojtur dhe loja e zezë e mosdorëzimit të trupave të pajetë familjeve, nga ushtria dhe policia serbe, me pretekstin e obduksionit, irritoi tej mase mbarë botën demokratike, e cila e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Aleancës Veri-Atlantike, vendosi që t’ia zgjaste Kosovës dorën e mbrojtjes, duke e nxjerrë një herë e përgjithmonë nga kthetrat e terrorit shtetëror serb.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ne nuk do t’i harrojmë kurrë ato që kanë ndodhur në Kosovë, tragjeditë e pafundme që ka përjetuar populli ynë nga dhuna serbe. Masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare janë të hershme dhe kanë nisur që në krahinën e Toplicës, e cila u spastrua etnikisht në fundin e shekullit XIX. Për fat të keq, spastrimi etnik i shqiptarëve vazhdoi pothuajse gjatë tërë shekullit XX.
Është Reçaku, pasqyrimi më tragjik i veprimeve të çmendura të ushtrisë dhe policisë serbe dhe grupeve të tyre paramilitare për spastrim etnik, pa zgjedhur viktimat, duke vrarë pleq e të rinj. Është Reçaku, po ashtu, një prej shembujve historik, i cili tregon qartë se sa e rëndë dhe e tmerrshme është historia e pavarësisë së Kosovës por edhe sa e çmueshme duhet të jetë ajo sot për ne.
Se pavarësia e vendit tonë u ndërtua jo në një ditë dhe me një akt, por në saje të përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të shumë gjeneratave, të shumë patriotëve, të vëllezërve dhe baballarëve tanë, të nënave dhe motrave tona, të luftëtarëve të rënë në altarin e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rezistencës paqësore.
Dhe janë këta njerëz tanë që duarthatë u masakruan dhe u vranë në Reçak, ata që çdo ditë duhet të përkujtojnë ndërgjegjen tonë dhe çdo njërin nga ne, pavarësisht se cilat përgjegjësi shtetërore dhe sociale i kemi, se sa peshon liria dhe pavarësia e këtij vendi dhe sa e rëndësishme është që ne të punojmë që Kosova të bëhet një shtet i fortë e i drejtë, në të cilin kurrë nuk duhet të ndodhin tragjedi të tilla, dhe të bëhet vend që ofron jetë të sigurt dhe ardhmëri për qytetarët e tij.
Institucionet e Republikës së Kosovës zotohen se do të bëjnë çmos për t’u krijuar kushte të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta ndërtuar të ardhmen këtu, për të pasur perspektivë dhe mundësi prosperimi të gjithë njësoj, sepse këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që u flijuan, ranë dëshmorë dhe ishin martirë të Kosovës. Në këtë kontekst, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë edhe për rritjen e kujdesit institucional për familjet e viktimave dhe të dëshmorëve të luftës, të cilët meritojnë dhe do ta kenë përherë kujdesin e shtetit të vet, kujdesin e Republikës së Kosovës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët tanë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!
