Prishtinë, 15 janar 2016
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka përkujtuar 17 vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke theksuar se Kosova i përkujton me nderimet më të larta të rënët e kësaj masakre dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e Kosovës.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria, dhe të gjithë ne do të jemi të përkushtuar për të realizuar aspiratat për të cilat e kanë dhënë jetën të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë. Masakra e Reçakut 17 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike, ditë e pikëllimit, por edhe ditë e fillimit të fundit të luftës, ditë e cila e mobilizoi botën demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve legjitime të popullit të Kosovës për fitimin e lirisë”, tha kryeministri Mustafa.
Më tutje, kryeministri Isa Mustafa, në këtë ditë shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e shtetit dhe të partneritetit me miqtë ndërkombëtar, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjitha vendet demokratike, duke thënë se kjo ishte aspiratë e të gjithë atyre që kanë rënë për liri, për pavarësi dhe për shtetin e Kosovës, i cili tani po ndërtohet.
