Prishtinë, 21 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar edhe nga kabineti qeveritar, pas mbledhjes së Qeverisë, kanë vendosur lule tek shtatorja e Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, për të shënuar nëntë vjetorin e vdekjes së tij.
“Ishte një gatishmëri edhe një vullnet i gjithë kabinetit qeveritar që sot të dalim pas seancës së Qeverisë, dhe të bëjmë nderime tek shtatorja e Presidentit Rugova, me rastin e nëntë vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.
Kjo flet se Qeveria e Republikës së Kosovës, pa dallim prej përbërjes partiake, ka respekt për veprën e Presidentit Rugova dhe për të gjithë ata që i kanë kontribuar shtetit tonë, pavarësisë sonë, dhe unë jam falënderues për këtë respekt”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi me këtë rast ka thënë se institucionet dhe shteti i Kosovës e kujtojnë me pietet të lartë Presidentin e ndjerë.
“Sot, ne kujtojmë me pietet të lartë figurën dhe personalitetin e Presidentit Rugova, si institucione, si shtet, dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi
