Prishtinë, 18 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Japonisë në Kosovë, për nder të profesorit Hisashi Owada, ish-President i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Japonisë dhe ish-ambasador në Kombet e Bashkuara.
Me këtë rast, duke i uruar mirëseardhje profesorit të nderuar Owada, kryeministri Kurti në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, i shprehu mirënjohjen e përhershme që me kompetencë, integritet dhe dinjitet shembullor, si President i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e udhëhoqi atë në dhënien e një vendimi që konfirmoi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
‘’Profesor Owada nuk është vetëm një mysafir i nderuar i Kosovës – ai është një mik, kontributet e të cilit janë thellësisht të ngërthyera në historinë tonë kombëtare. Lidershipi i tij në të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimi i tij për paqen dhe drejtësinë kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive’’, tha kryeministri.
Ai shtoi se Kosova pati fatin të kishte një jurist të nivelit të tij intelektual dhe moral në krye të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një moment kaq kritik për shtetësinë tonë. Rendi juridik ndërkombëtar dhe parimi i bashkëjetesës paqësore midis kombeve kanë përfituar shumë nga qartësia e mendimit dhe forca e bindjes së tij.
Sot, Universiteti i Prishtinës ka nderuar z. Owada me titullin e lartë Doctor Honoris Causa në një ceremoni akademike të organizuar në nder të tij.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Profesor Owada dhe zonja Owada,
I nderuar Ambasador Iwama,
Të nderuar ish-presidentë të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu dhe znj. Atifete Jahjaga,
I nderuar Ambasador Kiçmari,
I nderuar Rektor Hajrullahu,
Ekselenca tuaja,
Të ftuar të nderuar,
Zonja dhe zotërinj,
Është një nder i veçantë dhe kënaqësi personale, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, t’ju shpreh juve, i nderuar Profesor Owada dhe zonja Owada, një mirëseardhje të përzemërt në vendin tonë. Ju faleminderit shumë Ambasador Iwama për ftesën tuaj të ngrohtë në këtë ngjarje të mrekullueshme.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Rektorit Arben Hajrullahu dhe Universitetit të Prishtinës për organizimin e kësaj ceremonie akademike të rëndësishme dhe për nderimin e Profesor Owada me titullin e lartë Doctor Honoris Causa. Po ashtu falënderoj Ambasadorin Kiçmari dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për rolin e tyre të çmuar në koordinimin e kësaj vizite domethënëse.
Zonja dhe zotërinj,
Në historinë e re të Republikës së Kosovës, dy ngjarje historike e kanë formësuar në mënyrë vendimtare identitetin tonë shtetëror: Deklarata e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik 2010. E para përfaqëson vullnetin e popullit tonë, të shprehur lirshëm përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur; ndërsa e dyta e ka konfirmuar atë vullnet në kuadër të të drejtës ndërkombëtare.
Në zemër të këtij momenti historik juridik qëndronte Profesor Hisashi Owada, në cilësinë e tij si President i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Me kompetencë, integritet dhe dinjitet shembullor, Profesori Owada e udhëhoqi Gjykatën në marrjen e një vendimi që konfirmoi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Për këtë, jemi thellësisht dhe përherë mirënjohës. Në emër të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës, dua të shpreh publikisht vlerësimin tonë të përhershëm.
Të dashur miq,
Kosova ka pasur privilegjin të mbështetet nga shumë vende dhe individë përgjatë rrugës së saj drejt lirisë—sidomos në kohët më të vështira. Por sot, mirëpresim një mysafir që përfaqëson një kombinim të rrallë të përvojës profesionale, akademike dhe diplomatike.
Karriera e shquar e Profesor Owada përfshin shumë sfera: ai ka shërbyer me dinjitet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, përfshirë si Zëvendësministër i Jashtëm dhe Ambasador në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ai ka ndarë njohuritë e tij si profesor në Universitetin Harvard, Universitetin e Tokios dhe Universitetin Waseda. Po ashtu, ai ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për 15 vite, përfshirë disa vite si President i saj.
Ajo që e bën vizitën e tij në Kosovë veçanërisht domethënëse është lidhja e thellë ndërmjet trashëgimisë së tij personale dhe profesionale me kauzën e pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Për më tepër, Profesori Owada është babai i Madhërisë së Saj, Perandoreshës Masako të Japonisë, e cila simbolizon rolin e një figure bashkuese për kombin japonez.
Profesori Owada nuk është vetëm një mysafir i nderuar i Kosovës – ai është një mik, kontributet e të cilit janë thellësisht të ngërthyera në historinë tonë kombëtare. Udhëheqësia e tij në të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimi për paqe e drejtësi kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive.
Kosova pati fatin të kishte një jurist të staturës së tij intelektuale dhe morale në krye të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një moment kaq kritik për shtetësinë tonë. Rendi juridik ndërkombëtar dhe parimi i bashkëjetesës paqësore midis kombeve kanë përfituar shumë nga qartësia e mendimit dhe forca e bindjes së tij.
Sot, populli i Kosovës thotë: Arigato Gozaimas – për udhëheqësinë tuaj parimore, respektin për vullnetin tonë demokratik dhe kontributin tuaj të qëndrueshëm për paqen ndërkombëtare. Ju tashmë jeni pjesë e rrëfimit të Kosovës—një rrëfim për qëndresë, dinjitet dhe shpresë.
I dashur Profesor, ju lutemi konsideroni Kosovën si shtëpinë tuaj të dytë. Në fakt, roli juaj në rrugëtimin tonë tashmë ju ka bërë një prej nesh. Jeni gjithmonë të mirëpritur – sot, nesër dhe në vitet që vijnë.
Me mendjen dhe zemrën tonë, ju urojmë shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe reflektime të vazhdueshme në shërbim të shkencës, filozofisë dhe përmirësimit të njerëzimit.
Edhe një herë: Arigato Gozaimas! Faleminderit shumë!










